Është e kuptueshme – ndonjëherë jeni kaq të emocionuar që po shkoni me pushime, sa thjesht bëni një foto klasike të boarding pass-it dhe pasaportës dhe e postoni në rrjetet sociale. Por, na besoni, kjo nuk është ide e mirë. Boarding pass përmban informacion personal dhe nëse ai informacion bie në duart e gabuara, jeni në telashe.
Një boarding pass, tregon gjithmonë emrin e plotë, numrin e biletës dhe rekordin e emrit të pasagjerit (PNR), i cili është kodi alfa-numerik gjashtëshifror unik për rezervimin tuaj. Duke përdorur PNR dhe mbiemrin, një haker mund të ketë akses të plotë në informacionin e rezervimit, gjë që do t’i japë atij akses në numrin e telefonit, adresën e email-it dhe informacionin e kontaktit të emergjencës së pasagjerit, i cili kish dashur thjesht të postonte një foto nga emocioni 😅
Hacker-at, ç’është e vërteta, në këtë pikë e kanë punën shumë të lehtë. Me gjithë këtë informacion, është e lehtë për këdo që të ndryshojë rezervimin tuaj. U nevojitet vetëm një emër dhe PNR për të ndryshuar ose anuluar fluturimet në internet, pa fjalëkalim të nevojshëm.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Ndaj, të ndash detajet e një boarding pass-i mund të ketë pasoja përtej vjedhjeve dhe mashtrimeve të lidhura me udhëtimet. Mashtruesit po informohen se do të jeni me pushime, që do të thotë se mund të jeni më pak vigjilentë në kontrollimin e llogarive bankare për ndonjë aktivitet të pazakontë. Përveç kësaj, t’u bësh me dije të tjerëve se je me pushime, do të thotë se je larguar nga shtëpia, duke u ekspozuar ndaj kërcënimeve të sigurisë fizike (por, në këtë pikë, vështirë për këdo nga ne të rezistojë pa postuar foto përgjatë udhëtimit), kështu që po i lëmë teoritë 😅
Lexoni më shumë:
Nëse tundimi është i fortë për ta postuar atë foto, sigurohuni që të merrni masa paraprake. Mund të rregulloni foton në mënyrë që asnjë nga informacionet identifikuese të mos jetë i dukshëm, ose mund të përdorni aplikacione të redaktimit të fotografive për ta turbulluar atë informacion. Kjo përfshin edhe barkodin, pasi hakerët mund të përdorin skanues të barkodit për të vjedhur informacion nga boarding pass-et e postuara në internet ose të lëna pas në aeroplanë dhe aeroporte. Në varësi të linjës ajrore, një skanues i barkodit mund të zbulojë numrin e llogarisë së linjës ajrore të një fluturuesi, email-in dhe numrin e telefonit, si dhe kodin e konfirmimit të fluturimit – informacion që mund të përdoret për ta bërë një sulm kibernetik.
Idealja do të ishte të mbanim të sigurta informacionet dhe të mos ekspozohemi, por a e realizojmë dot?
Ju vetë te cili grup bëni pjesë: tek ata që postojnë në kohë reale, apo ata diskretët? 😊
Burimi: Travel and Leisure – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light