Nga ujërat e kristaltë, e deri te limanet e fshehura, ka kaq shumë bukuri për të zbuluar në zonën e Himarës. Të lumtur që sezoni filloi, këtë fundjavë zgjodhëm të qëndronim tek Sea View Hotel (ky është viti i dytë që hoteli është hapur). Në këtë shkrim, do të bëj një përshkrim të eksperiencës sime personale duke shpresuar t’ju vijë në ndihmë në zgjedhjen tuaj.
Anët pozitive:
1- Recepsioni: mbërritëm në 12 të natës, recepsionisti na mikpriti duke na marrë të dyja valixhet, na pajisi me maska e doreza (rregull i hotelit), u bë matja e temperaturës dhe plotësuam një pyetësor të shkurtër lidhur me ekspozimin ndaj COVID-19.
2- Dhoma: arredim modern, standard 4*, në qese ndodheshin edhe batanije të papërdorura. Pamje relativisht nga deti, qetësi absolute (mbase ngaqe jemi ende jashtë sezonit).
3- Vendndodhja: rreth 200-300m larg nga deti (plazhi Potam Beach). Duhet sidoqoftë të kalosh rrugën e makinave për të mbërritur në plazh, nga ana tjetër hoteli ka ngjitur marketin më të madh të zonës.
4- Shërbimi: një nga pikat e forta të hotelit, i gjithë stafi mjaft i predispozuar për të ndihmuar, edhe zonjat e pastrimit të përshëndesnin kur dilje nga dhoma (nuk e has shpesh në Shqipëri).
5- Restoranti: më ka impresionuar, nuk do të rresht se trumpetuari privilegjin që kemi si vendas për të provuar kuzhinë cilësore e produkte ende të freskëta, por Sea View kishte pa diskutim prekje profesionale, shërbehej sushi, risotto fantastike, krudo të këndshme dhe raportin cilësi/çmim e gjeta shumë të mirë. Larmishmëria e verërave ishte po ashtu për t’u vlerësuar.
Vend për përmirësim:
1- Parkimi: hoteli mundëson vend parkimi për afërsisht 4-5 makina jashtë hotelit dhe 6 makina nëntokë. Sikundër hoteli ka afro 26 dhoma, në pikun e sezonit do të jetë pak problem.
2- Mëngjesi: ditën e parë nuk kishte mjaftueshëm njerëz për të patur një bufe. Kishte produkte standarde e nuk mund të them se mungonte diçka, por omelette-a
ishte e gatuar me shumë vaj ulliri, (personalisht aroma e vajit të ullirit të skuqur nuk më pëlqen).
3- Pishina: kishte vetëm 6 shezllonë (mbase ngaqë ende nuk ka shumë kërkesa).
U larguam me dëshirën për t’u rikthyer në të ardhmen, me kusht që hoteli të ruajë standardet dhe propocionin e drejtë cilësi/çmim. Himara, me bukurinë e saj natyrore dhe vëmendjen që ka patur nga autoritetet në infrastrukturë përgjatë viteve të fundit, është vërtet një destinacion që ia vlen të eksplorohet.