/

4 ditë në Puglia: Itinerari perfekt me fëmijë

Pavarësisht nëse udhëtoni vetëm, në çift, me një grup shoqëror apo me fëmijë të vegjël, një gjë është e sigurtë: Puglia duhet të përfshihet në listën tuaj të dëshirave.

Planifikimi:

Periudha ideale për të vizituar Puglia-n në mendimin tim është pranvera ose vjeshta. Do ju sugjeroja të evitonit stinën e verës sepse ky udhëtim kërkon të lëvizësh shumë me makinë. Në pikun e sezonit ka pafund turistë, parkimi mund të jetë në distancë nga vendet që do të donit të vizitonit (e të ecësh në qytet në temperatura të larta nuk është shumë komode). Nga ana tjetër, Puglia është një vend relativisht i shtrenjtë sidomos përgjatë sezonit veror, si edhe plazhet mund të mbipopullohen.
Mendoj se ky itinerar katër ditor mbulon pikat kryesore turistike, por nuk përfshin Lecce-n. Sigurisht, cdo gjë varet nga shpirti juaj aventuresk ndaj nuk ka limite për asgjë.
Ky udhëtim ishte një planifikim në moment të fundit, ndaj biletat e avionit kishin kosto shumë të lartë. Nësë planifikoni udhëtimin në kohë, WizzAir operon me linjë direkte nga Tirana në Bari.
Opsioni i dytë është trageti: ne zgjodhëm “Ventouris Ferries” ku cmimi për 2 të rritur dhe 2 femijë së bashku me makinën, kushtoi €560. Sigurohuni të keni një dhomë private për një udhëtim komod me nisje rreth orës 22:00 nga porti i Durrësit dhe mbërritje në 8:00 të mëngjesit në Bari.

Dita e parë

Ndalesa 1 – Vizitoni kopshtin zoologjik në Fasano: €30/rritur dhe €24/fëmijë – një oaz natyror në të cilin ju jepet mundësia të shihni kafshët nga afër (ZooSafari) me mjetin tuaj personal. Vetëm në Afrikë do t‘ju jepet një mundësi e dytë

KUJDES: nuk ka nevojë për rezervim paraprak, biletat mund t’i merrni në biletarinë e kopshtit, por shihni mirë kalendarin në faqen zyrtare të kopshtit zoologjik në këtë link: https://zoosafari.it/

Jo çdo ditë e vitit është e hapur, dhe jo gjithmonë funksionojnë të gjitha shërbimet dhe aktivitetet. Mos harroni të blini bukë për kafshët, sallatë për zebrat e xhirafat, banane për majmunët, karrota për elefantët. Para se të hyni në kopësht, keni një market të vogël ku mund të bëni pazar. Kujdesuni për të shfrytëzuar kohën, në orën 14:00 disa aktivitete mbyllen.

 

Ndalesa 2 – Drekoni në restorant Albachiara

Ishte një vend më shumë se i thjeshtë, sugjeruar nga vendasit dhe ndodhej buzë detit në Fasano. Kur pashë strukturën e tendës mbyllur rreth e qark me plastikë e tavolinat plastike, pata një hezitim (në Shqipëri as nuk do e kishim konsideruar), por realisht ushqimi ishte shumë i shijshëm.

Ndalesa 3 – Hotel Rifugio Di Puglia në Alberobello

Rezervoni këtu:  Rifugio di Puglia 

Nuk mund të qëndrosh në Puglia e të mos përjetosh ndjesinë e fjetjes në një “trullo”, shtëpi tipike me çatinë konike. Nuk e sugjeroj më shumë se një natë sepse Alberobello mund të vizitohet edhe në disa orë. Ky hotel ishte shumë i ëmbël, por nuk më pëlqeu fakti që mëngjesi ishte i paketuar (prisja mëngjes tipik italian). E zonja sidoqoftë u përpoq shumë: na mori cornetti të fresket, kos për fëmijët e proshutë për tim shoq. Tualeti ishte i vogël, por nuk mund të pretendosh shumë nga një shtepi me qerpiç. 😅

Ndalesa 4 –  Trattoria da Donato 

Ky ishte një restorant i rekomanduar nga hoteli, i përshtatshëm për fëmijë pasi kishte edhe pica. Ishte një trattori tipike e ëmbël, jo ndër më cilësoret sa i takon mishit apo picave, sidoqoftë me një ambient shumë të ngrohtë e mikëpritës.

Dita e dytë

Ndalesa 1 – I trulli di Alberobello

Sa herë vizualizojmë Puglian, të gjithë kemi parasysh shtëpitë tipike prej guri gëlqeror, me çati në formë konike. Këtu mund të shpenzoni disa orë, të qetësoheni në një bar ose të drekoni, e meqë po flasim për forma konike, mund të ndaloni tek gelateria “Alte Freda” për një akullore.

Merrni një suvenir dhe disa dyqane do t’ju lejojnë të ngjiteni në tarracë e të shihni shtëpitë nga lart. Photography mood ON

Përgjatë udhëtimit me makinë, peizazhi i ullishteve dhe lëndinave plot gjelbërim është mbrëslënës, ndaj bëni një ndalesë e shijoni natyrën.

Ndalesa 2 –  Polignano a Mare, një perlë e shndritshme në brigjet e Valle d’Itria të cilën nuk mund ta humbisni. I njohur për tre gjëra kryesore: hedhje nga shkëmbi (po patët guxim), dyqanet e akulloreve, si edhe për të famshmin Domenico Modugno, me të cilin vendi me të drejtë krenohet. Fëmijët kërkonin të luanin buzë bregut por, në fakt nuk ishte e lehtë të gjeje parkim, e aq me tepër një breg.

Pescaria”  ishte një vend shumë i famshëm, tip fast food me ushqime deti. Rradha ishte shumë e gjatë ndaj nuk pritëm dot.

Ndalesa 3 – Ndaluam për drekë tek një restorant i rastësishëm i quajtur: “Casa Mia” – asgjë speciale përvec shërbimit shumë miqësor të të zotit i cili nënën e kishte Shqiptare. 😄

Ndalesa 4Masseria San Francesco në Fasano – kjo ishte pjesa që unë personalisht shijova më shumë.

Këtë hotel e rezervuam në booking dhe sikundër ishim 2 të rritur e dy fëmijë, automatikisht disponueshmëria për ne ishte një shtëpi e cila përmbante dy dhoma gjumi në stil suitë, me dy tualete përkatëse, një dhomë ndenjeje, një kuzhinë dhe një oborr që të falte qetësi shpirtërore. Të gjithë ambientet kishin hapësirë të mjaftueshme, me një interior elegant sic dinë vetëm italianët të arredojnë, ndërsa ambientet e jashtme të hotelit më kanë mrekulluar. 

Këshilla ime: ky vend ishte perfekt për dy çifte, nëse jeni me femijë më mirë kontaktoni hotelin sepse ne personalisht nuk i shfrytëzuam hapësirat, përfunduam të gjithë në të njëjtën dhomë e në të njëjtin krevat. 😅

Darka: në hotel – jua rekomandoj sepse ishte fantastike. Hoteli ndodhet larg nga qendra e banuar, ndaj duhet të rezervoni paraprakisht ndryshe vështirë të gjeni diçka aty pranë.

Dita e tretë dhe e katërt

Mbetet edhe pak për të përmbyllur të gjithë itinerarin, i cili uroj shumë jo vetëm t’ju frymëzojë por edhe t’ju ndihmojë konkretisht në këtë udhëtim 

Ndalesa 1: Monopoli

Monopoli është vendi tipik larg radarit turistik, lënë shpesh nën hijen e Polignano-s së instagramueshëm. Fëmijët kërkonin të luanin buzë detit ndaj ne u endëm përgjatë Lungomares dhe qëndruam për rreth 2 orë, në qetësinë tonë absolute.

Kini parasysh që jashtë sezonit, këto nuk janë qyteza ku mund të gjesh ‘beach bars‘, ndaj siguroni ndonjë kafe përpara se të harroheni me femijët në breg. 😊

Ndalesa 2: Trattoria Arco Persio në Castellana Grotte – këtë vend e gjetëm rastësisht pasi shumë restorante që kisha në listë i gjeja të mbyllura në Mars. Aty mësuam rastësisht se ishte pikërisht një patrioti ynë, ai që zotëronte restorantin në të cilin do të kishim kaluar edhe më mirë nëse e zonja e tij italiane do të na kishte buzëqeshur pak. Në fakt, i vetmi moment kur nënqeshi ishte ai kur priste të largoheshim duke thënë: “se jeni mësuar ju gjithë ditën hapur, ne këtu e mbyllim”. 😅 Mishi mesatar dhe tagliatelle-t e shtepisë i kishin qarë.

Ndalesa 3: Ostuni – një qytet i vogël tepër piktoresk, me ndërtesa të zbardhura e rrugica të ngushta me kalldrëm. Përvec sezonit veror në të cilin është shumë i ngarkuar me turistë, çdo periudhë tjetër është e këndshme për të ecur në qytet. Mund të bëni një tur me guidë, të vizitoni Katedralen Gotike, ose të shkoni tek Piazza della Liberta, në të cilën ne ndaluam pasdite për një Spritz.

Darka: Masseria San Francesco (duhet patjetër rezervim edhe nëse qëndron në po atë hotel).

Ditën e fundit ne donim të vizitonim “Grotte di Castellana” por orari i mbylljes ishte në 12 të drekës ndaj nuk e kapëm dot. Kjo ishte pa diskutim një shenjë për t’u rikthyer në Puglia.

Dreka: Il Guazzetto në Monopoli, një vend në të cilin vajtëm pa shumë pritshmëri, por rezultoi një restorant me një shërbim shumë të përkujdesur dhe ushqim mjaft cilësor, ndaj jua super rekomandoj.

Ndalesa e fundit: Bari
Rekomandimet që mora:

1. Gelateria Gasperini për akullore

2. Rosticceria da Gaetano, një vend më shumë se i thjeshtë që njihej për ‘panzerotti’ shumë të mirë.