Ksamili – Maldivet Shqiptare të mbipopulluara

Ksamili, i famshem per reren e tij te bardhe te importuar dhe ujin e kristalte, mbetet jo vetem ne vemendjen e turisteve Shqiptare por edhe atyre te huaj sidomos keto vitet e fundit.

Ksamili, i famshëm për rërën e tij të bardhë të importuar dhe ujin e kristaltë, mbetet jo vetëm në vëmendjen e turistëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, sidomos këto vitet e fundit. Turizmi i Ksamilit është zhvilluar në mënyrë konstante, por përgjatë viteve, ka qenë e mirëkuptueshme zemërata, që shumë prej nesh kemi shfaqur drejt shërbimit dhe kaosit, në infrastrukturën urbane të vendit. Sidoqoftë, një fundjavë e këtij Korriku më konfirmoi se, edhe pse kundrejt një çmimi që jo të gjithë mund ta përballojnë, Ksamili ka siguruar disa investime serioze, të cilat kanë filluar të kenë vizion, me fokus në cilësinë e shërbimit dhe ushqimit.

Nga ana tjetër, infrastuktura është ende shumë kaotike, me rrugë të ngushta, parkim problematik, sinjalizime të munguara, një pedonale e pa rregulluar plotësisht, e aktivitete të vakëta (sheh diku një kabinë të sajuar ku ofrohet masazh me çarçafë me lule, fare pranë së cilës qëndron një karrige ku është varur një bluzë e bardhë e grisur; e gjitha kjo nën aromën e koshit të plehrave fare ngjitur).
Shitësit ambulantë të objekteve pa vlerë, nuk është se i shtojnë vlera elegante tablosë, e sikur të mos mjaftonte kjo, ka vite që lufta akustike mes bizneseve është e pranishme dhe shqetësuese.

Agroturizëm Arbër 32

Sigurisht që të bërit turizëm në vendin tonë, të has në vështirësi shumë-dimensionale. Për fat të keq, shteti ynë nuk i ndihmon bizneset (për të krijuar infrastukturë, për të sjellë investime me vlerë, e për t’i lehtësuar me taksat). Por kujdesi i shtetit nuk është as mbi pushuesit, (që zbatueshmëria e ligjeve të kontrollohet, siguria e shëndetit të mos cënohet, që distanca midis çadrave të ruhet, që kontrolli i cilësisë së ushqimeve të funksionojë, etj., etj.). Të gjitha këto detaje të domosdoshme për klimën e biznesit, na tregojnë se, si shtet dhe shoqëri, kemi ende një rrugë të gjatë për të arritur standardet e fqinjëve.

Ksamili, sikundër ka gjire shumë të vogla dhe plazhe të krijuara nga dora e njeriut, sigurisht që ka edhe mbipopullim dhe është e kuptueshme që në një treg të lirë, kërkesa e lartë të rrisë çmimet. Edhe në vende jashtë Shqipërisë, në gjire shumë herë më pak tërheqëse, ka mbipopullim dhe çmime shumë të larta, pooor, ME NJË NDRYSHIM TË VETËM…
…Ndryshimi i madh është se jashtë Shqipërisë, klienti ka gjithmonë mundësinë të ZGJEDHË të pushojë në një plazh publik, nëse nuk përballon dot çmimet që ofron biznesi privat. E thënë ndryshe, të gjithë duhet të kuptojmë që ndarja e shtresave duhet të ekzistojë, por kjo s’do të thotë të diskriminohen ata që nuk kanë mundësi të paguajnë.

PLAZHI NUK KA PRONAR!
Taksat tona shërbejnë për të shfrytëzuar këto hapësira; atëherë përse duhet të paguajmë dyfish???

Unë jam plotësisht dakord të paguaj përkudrejt: privatësisë, komoditetit, shërbimit të përkujdesur e ushqimit të mirë, por çmimet elitare duhet të ofrojnë turizëm elitar. Një hotel me standard të lartë, duhet të ofrojë një plazh ekskluziv për pushuesit e hotelit. Një drejtues biznesi vizionar duhet të kuptojë, që taksat e shtetit nuk mund t’i paguaj me paratë e shezlonit, sado çmime të larta të vendosë. Klienti që humbet duke mos rezervuar një dhomë, ka më shumë vlerë se tridhjetë shezlone bashkë. Për më tepër, nuk mund të bëjmë turizëm duke dashur të kënaqim vetëm nevojat rinore.

Unë e kuptoj që në mendësinë e shumë bizneseve, klientet që sjellin para nga tregu i zi, mund të shpenzojnë shumë më tepër, sesa klientët që vijnë nga shoqëria e thjeshtë civile. Por, ajo që ofruesit e shërbimeve nuk po kuptojnë është se duhet të fillojnë të bëjnë një plan biznesi të mirëfilltë, duke mos pritur kthime të shpejta investimi në vetëm dy muaj të plotë turistik, por të mendojnë se si të rrisin vlerat e shërbimit të tyre, duke filluar që nga Maji deri në Tetor, pa qenë nevoja të mbyllin aktivitetin për pjesën e mbetur të vitit. Të dashur drejtues e menaxhues biznesesh të Ksamilit, por jo vetëm, me rrugën e re, keni mundesinë e artë të na riktheni, e të na ofroni shërbim edhe në dimër. BËJENI SAKTË!

Shembulli i Korçës, Pogradecit apo edhe Shkodrës së fundmi, na tregojnë se fuqia shpenzuese është e lartë, dhe është aty duke pritur me padurim, sikur JU t’i ofronit vetëm pak besim e siguri. Edhe pa patur shkuma-party, muzikë pa kriter, apo qindra çadra ngjitur, ju mund të përfitoni shumë, madje mund të përfitoni gjatë…

Sikur veç pak të kuptonit, sikur veç pak të dëgjonit, e sikur të mos reagonit instinktivisht, o miqtë tanë bregdetarë, gjërat do të ishin shumë ndryshe, për ju e për ne…

E dua detin tim, por plazhi nuk ka pronar…