Në kerkim të një vendi larg smogut, për të shijuar pakëz diell apo për një gotë verë me miqtë pranë oxhakut në një ditë shiu, një nga sugjerimet e komunitetit të Emës është edhe Agroturizëm Arbër në Rubjekë, si një alternativë për t’u rifreskuar përpara se të kthehemi në punë të hënën (ose të martën nëse kemi ato fundjavat e gjata të festave në Shqipëri)
Si të mbërrini:
📍Restoranti ndodhet në Rubjekë, rrugës për në Gjirin e Lalëzit. Mungonte sinjalistika për të të drejtuar në vend, ndaj e ngatërruam kthesën.
Mënyra më praktike për të mbërritur në restorant do të ishte me makinë private e në mungesë të saj, një taksi do të ish zgjidhje e mirë (rreth 20-25 nga Tirana).
🚸 Kthesa të çonte në një rrugë fshati të paasfaltuar, ku në segmentin e fundit rruga ishte me çakull por, sidoqoftë nuk kish asnjë problem për veturat.
Struktura dhe ambienti:
Ky restorant është relativisht i ri (në momentin publikimit të këtij shkrimi), ka rreth 3-4 muaj që është hapur…Është një gjetje e këndshme të shohësh një ndërtesë druri vendosur pranë liqenit, larg trafikut, zhurmës dhe smogut.
Ambienti është i kuruar, parkimi privat i rregulluar, mobilimi është i ri dhe godina e brendshme është dizejnuar me xham për të përçuar dritë e për të mundësuar pamjen e peizazhit të ëmbël nga liqeni dhe kodrinat. Karrige për fëmijë të vegjël nuk vura re e nësë restoranti nuk i disponon, do sugjeroja t’i mundësonin.
Restoranti: Nga menuja mungojnë jo pak asortimente dhe opsionet për fëmijë janë të vakëta. Vlerësova faturën sjellë në një sënduk, gjetje shumë e këndshme. Fatura në foto është për një familje përbërë nga dy të rritur dhe dy femijë. Ushqimi: ne morëm disa meze të ngrohta si edhe një tavë pule. Kishte përpjekje për të ofruar gatime tradicionale në prezantim elegant, sidoqoftë kuzhina ishte mesatare dhe çdo pjatë për shijen time kishte nevojë për përmirësim.
Shërbimi:
Pronarët dallojnë sepse dukshëm qëndrojnë në këmbë e përkujdesen për çdo gjë. Kamerieri kryesor që na mori porosinë ishte në nivele amatoreske si në informacion, (psh na sugjeroi salçiçe por nuk kishte dijeni nëse ishin të shtëpisë apo të blera), si në prezantim apo në mënyrën e qëndrimit gjatë marrjes së porosisë, ashtu edhe në vëmendje të kërkesave specifike. Sidoqoftë, vlerësova dëshirën e mirë për të mos na mbingarkuar përgjatë porosisë.
Përmbledhje:
Bujqësia dhe turizmi janë ndër industritë që po zgjerohen me ritme të shpejta në vendin tonë, e kush më mirë se agroturizmi i ndërthur këto të dyja bashkë…
Sa nga interesi i klientëve vendas për ushqim të thjeshtë tradicional, e sa nga interesi i turistëve të huaj për të provuar shije lokale, restorante periferike në natyrë ka pa fund, e po çelen shumë të tjera. Por, sektorin unë e shoh ende të paformuar siç duhet dhe me shumë potencial.
Për t’u quajtur agroturizëm, duhen plotësuar disa kritere të cilat do i mbulojmë në një shkrim tjetër.
Si mendoni, i plotësojnë restorantet tona të quajtura agroturizëm, këto kritere? Çdo të kishit sugjeruar ju vetë teksa vizitoni ferma, kantina apo vende agroturistike? Komentoni në këtë blog post, në instagram ose tek kategoria Forum.
Agroturizëm Arbër 32
Go Ema suksese 👏👏
Ke shume te drejte per sa i perket fluksit te perhapjes se Agroturizmeve, specifikisht Agriturizmin e lart permendur se kam provuar dhe pse kam degjuar komente pozitive nga miq, sepse mendoj se qendron tek ajo qe gjehet kudo pak a shume. Gjykim i pa mbeshtetur ky i imi por kam shkuar me intuiten e faktit te te berit viral qe me frikeson e me mba larg vendeve te cilat perhapen ne masen e gjere.
Drit pac Ema 🥰
Faleminderit nga zemra!
Bravo Ema. Nje dritare e denje qe i mungonte Turizmit ne Shqiperi.
Ju falenderoj nga zemra, kemi ende shume pune per te bere por urojme qe ky website te sherbeje si nje pike e forte reference!
Bravo Ema! Suksese me tej 😀
Te falenderoj nga zemra Eni, inkurajimi qe na nevojitet!