Një tjetër linjë ajrore pritet të marrë “trofenë” e fluturimit më të gjatë në botë I cili do të jetë plot 20 orë! Në fund të vitit 2025, linja ajrore Qantas Airways do të nisë fluturimin direkt nga Aeroporti i Sidney-t në Australi drejt Aeroportit Heathrow në Londër, nje vizion i quajtur ‘’Project Sunrise’’. Ky fluturim do të mbulojë rreth 10,576 milje dhe do të zgjasë aq shumë sa pasagjerët do të kenë mundësi të shohin lindjen e diellit dy herë (e fundit gjë që do të më impresiononte në fakt pas aq shumë orëve udhetim)…
Fluturimi do të realizohet me anë të një Airbus A350-1000s, një model që njihet si një nga më të mëdhenjtë në histori. Në përgjithësi, një model i tillë arrin të akomodojë rreth 350-410 pasagjerë, por Projekti ‘’Sunrise’’ planifikon që të ketë vetëm 238 vende, duke përfshirë 6 suita të klasit të parë, 52 suita të klasit të biznesit, 40 vende premium të klasit ekonomik (në konfigurim 2-4-2) si dhe 140 vende të klasit ekonomik (në konfigurimin 3-3-3). Gjithashtu, të gjithë pasagjerët do të kenë mundësi të kenë akses në ‘’ Zonën e Mirëqenies’’ ku sipas Qantas, do të jetë një hapësirë e dedikuar për të levizur me një ‘Snack-bar’ me vetë-shërbim.
Nuk ka një shifër të saktë sesa do të kushtojnë biletat apo se si do të jetë shërbimi i fluturimit.
John Grant, një partner me grupin e konsulencës së aviacionit MIDAS Aviation, u shpreh se teknologjia për të kryer fluturime super të gjata, është e pranishme prej disa vitesh. Por, implementimi i projektit ka patur varësi nga konfigurimi i avionëve të posatshëm ndërkohë që pritej të vërtetohej se koncepti do të ishte fitimprurës. Një studim të tillë, Qantas e ka bërë vazhdimisht vitet e fundit me shërbimet në Perth, Australi dhe në Londër, ku ka hasur mjaftueshëm interes, tregues ky për të vijuar me projektin.
‘’Fluturimi duhet të operojë me më pak ndenjëse sesa çdo të kishte një konfigurim normal, gjë që redukton peshën dhe zgjeron rrezen’’ – vijoi Grant.
“Por, që kjo të ndodhë dhe që shërbimi të jetë fitimprurës, duhet të kemi besim se Qantas mund t’i mbushë vendet me trafik premium. Eksperienca nga shërbimi i Perth-it ka vërtetuar se kërkesa është aty, ndaj vijueshmëria me fluturimin e Sindey-t tashmë ka tërësisht kuptim.”
Linja direkte nga Perth drejt Londrës filloi në Mars të 2018-ës. Udhëtimi prej 9000 miljesh zgjati rreth 17 orë. Sipas faqes zyrtare të Qantas, një udhëtim vetëm vajtje nga Perth drejt Londrës në korrik nis nga $1159 për klasin ekonomik.
Ekspertët shprehen se udhëtimi ajror po merr ende veten nga pandemia, kështu që të kesh një fluturim me tranzit përbën risk. Mungesa e stafit mund të cojë në vonesa dhe pasagjerët mund të humbasin fluturimin.
Grant nuk beson se në një periudhë afatshkurtër do të ketë ndonjë tjetër linjë ajrore në horizont, në gjendje për t’i marrë “kurorën” Qantas për udhëtimin më të gjatë në botë.
A do e ndërmerrnit një udhëtim të tillë nëse do t’ju lindte nevoja?
Referenca: New York Times; Qantas Airways; Afar – përshtatur nga editorët e Ema’s Light.