Trazirat në Francë në fillim të këtij muaji, kanë sjellë pasiguri për pushuesit që planifikojnë udhëtimet e tyre drejt këtij shteti. Pas të shtënave fatale të 17-vjeçarit Nahel Merzouk gjatë ndalimit të trafikut të policisë më 27 qershor, Parisi dhe qytetet e tjera të mëdha u përballën me protesta të dhunshme gjatë natës.
Trazirat arritën kulmin me 850 persona të arrestuar në fundjavën e 1-2 korrikut. Që atëherë, trazirat më serioze duket se janë shuar.
Por, ka shqetësime se tensionet mund të ndizet përsëri pasi një protestues paqësor u përplas në tokë nga policia, të shtunën e kaluar. Youssouf Traoré iu bashkua marshimit vjetor në Paris në kujtim të vëllait të tij Adama, i cili vdiq në paraburgim në 2016-ën.
Policia është veçanërisht e shqetësuar se tensionet mund të ndizen gjatë Ditës së Bastiljes, më 14 korrik.
Të dielën, qeveria franceze ndaloi shitjen, posedimin dhe përdorimin e fishekzjarreve përpara festimeve të ditës kombëtare. Fishekzjarret u përdorën në përleshjet e dhunshme me policinë në fillim të këtij muaji. Ndalimi do të zbatohet deri më 15 korrik.
Vdekja e Nahelit ka ndezur një zemëratë të vazhdueshme për policinë dhe profilizimin racor, në periferitë me të ardhura të ulëta dhe multietnike të Francës. Një rekord prej 13 personash u vranë gjatë ndalimeve të trafikut të policisë vitin e kaluar, shumica e viktimave me origjinë zezake ose arabe.
Në Paris, Marsejë, Lion, Grenoble, Lille dhe Tuluzë, demonstratat e fundit u bënë të dhunshme. Ka pasur përleshje të ashpra me policinë, makina të djegura dhe dyqane të plaçkitura. Por, që nga fillimi i këtij muaji nuk ka pasur më incidente .
Nëse po planifikoni të udhëtoni në Francë, ja çfarë duhet të dini:
A po vazhdojnë trazirat në Francë?
Këshillat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për pushuesit që nga 30 qershori mbeten aktuale. “Vendndodhjet dhe koha e trazirave janë të paparashikueshme,” paralajmërojnë ata.
“Duhet të monitoroni mediat, të shmangni zonat ku po ndodhin trazira, të kontrolloni lajmet më të fundit dhe të ndiqni këshillat e autoriteteve.”
Mund të ketë ndërprerje në udhëtimin rrugor dhe opsionet e transportit lokal mund të reduktohen, shton Zyra e Jashtme e Shëndetit dhe Zhvillimit (FCDO). Ndërsa disa autoritete lokale mund të vendosin shtetrrethim.
Autobusët dhe tramvajet kanë ndaluar qarkullimin në orën 21:00 ose 22:00 në disa qytete, në mënyrë që të mos jenë në shënjestër të protestuesve. Trenat pritet të vazhdojnë normalisht, ashtu si edhe sistemi i metrosë së Parisit.
Ministria e Jashtme Gjermane gjithashtu përditësoi këshillat e saj të udhëtimit dhe sigurisë këtë fundjavë, duke u kërkuar pushuesve të qëndrojnë të informuar dhe të shmangin zonat ku kanë ndodhur trazira të dhunshme. Kjo deklaratë vjen pas një alarmi sigurie nga departamenti i shtetit i SHBA-së javën e kaluar, duke u kërkuar gjithashtu qytetarëve të shmangin pikat e nxehta.
A duhet të anuloni udhëtimin tuaj në Francë?
Nëse po përgatiteni të udhëtoni në Francë këtë javë, nuk ka nevojë të ndryshoni drejtim. Megjithëse mund t’ju duhet të qëndroni fleksibël me rezervimet e restoranteve dhe planet e mbrëmjes në disa zona, ka ende shumë për të eksploruar në këtë periudhë të njohur të vitit.
Bukuria e të qenit në një qytet të madh do të thotë se ka gjithmonë opsione; ndërsa qytetet më të vogla turistike përgjatë Cote d’Azur dhe gjetkë kanë qenë kryesisht të paprekura.
Nuk ka pasur raste të raportuara të civilëve të sulmuar nga demostruesit, të cilët e kanë drejtuar zemëratën e tyre ndaj ndërtesave, makinave të parkuara dhe policisë.
Meqenëse zyrat e huaja si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania nuk kanë këshilluar që të anuloni udhëtimet, agjencitë turistike nuk kanë gjasa të ofrojnë rimbursim nëse vendosni të mos shkoni.
“Është më e rëndësishme se kurrë të marrësh siguracion udhëtimi dhe të kontrollosh se nëse ka mbulim të mjaftueshëm të kujdesit shëndetësor,” shton FCDO.
Ka disa indikacione se linjat hekurudhore dhe ajrore mund të jenë fleksibël, nëse trazirat shpërthejnë sërish. Eurostar tha se pasagjerët që duan të shtyjnë udhëtimet e tyre mund të shkëmbejnë bileta, pasi paralajmëroi se transporti i brendshëm do të jetë “jashtëzakonisht i kufizuar” nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit.
Një zëdhënës i easyJet tha për Independent se klientët që do të fluturojnë gjatë fundjavës, nëse dëshirojnë, mund të “transferohen në një fluturim alternativ dhe ne do të heqim dorë nga tarifa e ndryshimit të fluturimit”.
Burimi: Euronews.com/ përshtatur nga editorët e Ema’s Light