Nëse mendoni se eksperienca e të fluturuarit, me kaq shumë vonesa e anulime – nuk mund të jetë më e mjerueshme se kaq, ndryshimet klimatike janë këtu për të na provuar të kundërtën. Po, ka edhe më keq!
Ndërkohë që nxehtësia ka tendencën të na bëjë më dembelë e madje edhe të na rrezikojë jetën në raste ekstreme, industria ajrore gjithashtu po vuan pasojat e ndryshimeve klimatike dhe nxehjes së motit. Moti i nxehtë e bën më të vështirë fluturimin e avionëve. Kjo pasi ajri i nxehtë është më pak i dendur se ajri i ftohtë, duke e bërë më të vështirë ngritjen dhe qëndrimin e avionit në ajër.
Në rastin e temperaturave shumë të larta, linjat ajrore shpesh zgjedhin të shtyjnë ose të embarkojnë më pak pasagjerë dhe valixhe në fluturimet e tyre. Kjo sjell ndryshime të pakëndshme në të gjithë sistemin, me pasagjerët që e gjejnë veten të ngecur, me raste edhe brenda në avion në pritje të nisjes.
Ndryshimet klimatike do të sjellin vetëm një përkeqësim të këtij problemi. Sipas një studimi të vitit 2017 nga Columbia University, rreth 30% e fluturimeve në SHBA deri në 2050-ën do të preken nga limitimet e peshave gjatë verës. E, përveç ndonjë mrekullie të inxhinierisë, kompanitë ajrore nuk kanë shumë se çfarë të bëjnë për të mposhtur ligjet e fizikës.
Shumë prej nesh mendojnë se i ftohti dhe ngricat janë rreziku më i madh për avionët, por në të vërtetë i nxehti shkakton shumë më shumë shtyrje dhe vonesa. Për shembull, në aeroportin e Chicago-s, gjatë verës së 2022 pati thuajse dyfish më shumë vonesa se gjatë dimrit të kaluar.
Problemi i nxehtësisë është më evident sidomos në aeroporte me pista të shkurtra, ku avionët kanë më pak hapësirë për të arritur shpejtësinë e nevojshme për t’u nisur. Fatmirësisht për ne, aeroporti i Rinasit nuk hyn në këtë listë. Aeroporte të tjera të cilat hasin vështirësi nga moti i nxehtë janë ato në vende të larta, të cilat janë të pakta në Europë, por janë të përhapura në Kinë, SHBA dhe shtete të tjera.
Inxhinierët ajrorë punojnë vazhdimisht për të ndërtuar aeroplanë më të lehtë dhe më ekonomikë, por duket se progresi po ngadalëson. E, derisa të kemi një shpikje të re revolucionare, linjat ajrore janë të detyruara të gjejnë zgidhje si shtyrja e fluturimeve, ulja e peshës së lejuar dhe zgjatja e pistave të fluturimit.
Si rrjedhojë, në vitet në vazhdim pritet një rritje e vonesave të fluturimeve, duke rritur ndikimin e ndryshimeve klimatike në industrinë e aviacionit. E jo vetëm kaq, por dhe shtimi i turbulencave dhe zgjatja e fluturimeve si pasojë e ndryshimit të erërave janë të tjera pasoja që vijnë nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, një zgjidhje efektive dhe afatgjatë duket ende larg.