Ndërkohë që vera është në pikun e saj, shumë prej nesh kanë bërë gati valixhet dhe çantat e tyre për t’u nisur me pushime. Normalisht që ka dhe nga ata që paketojnë më tepër seç iu duhet, përfshirë këtu rroba plazhi, veshje të ndryshme dhe mbase edhe ndonjë xhaketë nëse bën pak ftohtë.
Megjithatë, duke nisur nga përpjekjet për të ulur ndikimin e udhëtarëve në mjedis, si dhe nga rregullat e reja në disa vende të botës që po përpiqen të kufizojnë bagazhet e turistëve, duket se udhëtimet me shumë bagazhe do të kthehen në diçka të së shkuarës.
Për të treguar se si do të dukej një e ardhme pa bagazhe, do të flasim për disa shembuj të kompanive dhe shteteve që kanë sfiduar mënyrën se si ne përgatitemi për udhëtime.
Si një prej vendeve me më shumë prirje drejt inovacionit, do ta nisim me Japoninë, ku Japan Airlines ka nisur fushatën “Any Wear, Anywhere?”. Nëpërmjet saj, udhëtarët kanë mundësi të marrin me qira paraprakisht veshje për qëndrimin e tyre në Japoni, duke hequr thuajse plotësisht nevojën e valixheve. Kur udhëtarët të mbërrijnë në Tokyo, Osaka ose Fukoka, atyre do t’iu dërgohen në hotel veshje të përmasave dhe stileve të ndryshme që ata mund t’i përdorin gjatë udhëtimit. Sipas kompanisë, qëllimi i fushatës është që linja ajrore të ketë mundësi të masë më mirë ndikimin mjedisor të udhëtimit me bagazhe në avion.
Thuajse të njëjtën ide kanë patur dhe resortet e skive në Alpet Evropiane. Për të ulur kostot e udhëtimeve të skive për udhëtarët (ku pajisjet e skive zënë jo pak vend dhe normalisht rrisin dhe kostot e udhëtimit), shumë resorte dhe kompani po ofrojnë marrjen me qira të kapeleve, syzeve, dorashkave, veshjeve dhe pajisjeve të tjera për ski, me kompani si Verbier në Zvicër dhe SkiGala në Austri të cilat janë mjaft të suksesshme sidomos me udhëtarët që preferojnë transportin publik. Sipas ekspertëve, kjo metodë ka disa aspekte pozitive. Parësorja është mbrojtja e mjedisit, pasi pajisjet përdoren nga shumë persona dhe riparohen nga profesionistë, duke rezistruar për shumë kohë. Jo vetëm kaq, por kjo metodë është edhe më ekonomike, pasi ul kostot e bagazheve në fluturim.
Ndërkohë, ka destinacione turistike që po zgjedhin të ndalojnë lloje të caktuara valixhesh në qytetet e tyre. Venecia ka diskutuar ndalimin e valixheve me rrota në rrugët e qytetit të vjetër që prej vitit 2014, ndërkohë që Dubrovniku ka shkuar një hap më tej, duke këshilluar turistët të mos përdorin valixhe me rrota në qytet. Zyra Turistike e Dubrovnikut, në udhëzimet e reja për turistët, rekomandon që ata të mos përdorin valixhe me rrota në qytet, për të respektuar qetësinë e banorëve.
Parqet safari në Kenia, Tanzani dhe Uganda gjithashtu janë një destinacion i veçantë udhëtimi. Edhe pse në këto vende nuk ka rregulla zyrtarë për ndalimin e valixheve, shumë kompani fluturimi ndalojnë përdorimin e valixheve të forta, pasi ato nuk mund të merren me vete në charter-at që fluturojnë drejt këtyre vendeve. Edhe pse, kur e mendon nga njëra anë, nëse zgjedh të bësh këto lloj pushimesh, nuk ka se ç’të duhen shumë veshje, apo jo?
Po ju, a preferoni të udhëtoni lehtë me bagazhe dore, apo preferoni të paketoni çdo gjë që mund t’iu duhet edhe pse, në shumicën e kohës, nuk i përdorni fare ato? Mendoni se do të arrini të udhëtoni ndonjëherë vërtetë, pa valixhe?