Kujdes! Këto shkelje në Itali gjobiten deri në 10,000€!

Për të mbrojtur monumentet dhe pasuritë natyrore nga numri i madh i turistëve, disa prej bashkive italiane kanë vendosur gjoba për një sërë veprimesh

itali gjoba
Photo by Ema's Light

E keni parë videon e turistes e cila mbush shishen e ujit në Fontana di Trevi në Romë? Fontana di Trevi është e rrethuar me tabela që ndalojnë mbushjen e ujit ose futjen e njerëzve brenda në shatërvan. Pas këtij veprimi, në fund të videos shihet që turistja është shoqëruar nga policia bashkiake, me shumë mundësi për t’u gjobitur.

Kjo nuk është e vetmja gjë e ndaluar në pikat turistike në Itali. Për të mbrojtur monumentet dhe pasuritë natyrore nga numri i madh i turistëve, disa prej bashkive italiane kanë vendosur gjoba për një sërë veprimesh. Këto gjoba mund të shkojnë deri në 10,000€ dhe ne do t’ju tregojmë se cilat veprime duhet të shmangni!

Meqë po flisnim për Fontana di Trevi, në Romë ndalohet që turistët të ulen në Shkallët Spanjolle, ndërkohë që vitin e kaluar një turist amerikan është gjobitur pasi po hante akullore në një nga shatërvanet historike të Romës. Larja në shatërvanet e Romës dhe Firences është gjithashtu e ndaluar, ndërkohë që në këto qytete, urinimi në publik mund të gjobitet deri në 10,000€.

Të njëjtat rregulla aplikohen edhe në Venecia, një nga qytetet italiane që e vuan më shumë numrin në rritje të turistëve. Përveç tarifës së hyrjes në qytet, e cila ende nuk është aplikuar, bashkia e Venecias ka ndaluar gjithashtu turistët të ulen në shkallët, urat, trotuaret dhe shatërvanet e qytetit. Në Venecia është po ashtu e ndaluar të lahesh në kanalet e lundrimi. Ky veprim nuk është vetëm i rrezikshme për shkak të gondolave, por kushdo që lahet mund edhe të sëmuret rëndë.

Fshati i Portofino, një prej destinacioneve më piktoreske dhe të lakmuara gjatë viteve të fundit, ka vendosur rregullat e tij për të mbrojtur ambientin. Në Portofino janë caktuar “zona të kuqe”, ku është e ndaluar të bëhen selfie, për të evituar kaosin. Nëse ju harxhoni kohë duke bërë selfie, mund të gjobiteni deri në 275€. Në Portofino është gjithashtu e ndaluar të ecësh në qendër zbathur, pa bluzë ose me bikini.

Ishujt dhe plazhet e Italisë gjithashtu kanë rregulla të ndryshme të cilat duhen ndjekur. Në Capri, materialet një-përdorimëshe plastike janë të ndaluara, dhe mund të gjobiteni deri në 500€. Turistët gjithashtu nuk mund të përdorin makinat e tyre në ishujt Lampedusa, Linosa dhe Procida, të cilat kanë ndaluar automjetet, pasi janë ishuj të vegjël dhe makinat shkaktojnë kaos në lëvizje.

Turizmi nuk ka vetëm aspekte positive, pasi shpesh sjell rrëmujë dhe prishjen e qetësisë publike për banorët e qytetit. Jo vetëm Italia, por dhe shtete e qytete të tjera në Europë dhe botë po marrin masa për të mbajtur nën kontroll turistët. Gjithmonë duhet të kemi parasysh teksa jemi duke udhëtuar që të respektojmë rregullat e traditën vendase, duke mos cënuar harmoninë e banorëve.

Po ju, a dini ndonjë rregull tjetër të çuditshëm? Mos ngurroni të na e tregoni më poshtë!

1 Comment

  1. Tek Fontana di Trevi nuk mundet as te afrohesh me ushqim apo pije ne dore.

Comments are closed.