Duket se turizmi në Shqipëri po përjeton një tjetër “boom” përgjatë 2023. Mediat angleze kanë paralajmëruar prej kohësh një fluks të madh turistësh drejt Shqipërisë përgjatë kësaj vere. Plazhet e gjata ranore, hotelet me çmime të arsyeshme dhe restorantet e lira janë ato që sipas ekspertëve të turizmit po shtyjnë britanikët të vizitojnë vendin tonë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe mundësia për të udhëtuar drejt Shqipërisë pa shpenzuar shumë me linja si Wizz Air dhe Ryanair duke nisur nga tetori, e bën vendin tonë një prej destinacioneve më tërheqëse.
Sipas Foreign Office në Britani, mbi 120,000 shtetas britanikë kanë vizituar Shqipërinë, ndërkohë që mbi 450,000 pasagjerë kanë udhëtuar drejt Tiranës prej Londrës. Ndërkohë, shifra mjaft të larta raportohen edhe nga mediat greke. Sipas tyre, turistët italianë, por edhe ata grekë, kanë zgjedhur të braktisin vendin e tyre këtë verë për të vizituar Shqipërinë. Kjo mbështetet nga rritja e ndjeshme e numrit të turistëve drejt vendit tonë, por edhe nga një rënie deri në 30% e udhëtimeve të shtetasve italianë brenda vendit të tyre.
Rritjen e ndjeshme të turizmit drejt Shqipërisë e konfirmon gjithashtu edhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, e cila njoftoi më herët në Instagram sem vetëm gjatë muajit Korrik, në Shqipëri kanë ardhur mbi 1,7 milionë vizitorë të huaj, duke e çuar numrin në total në mbi 5,1 milionë deri më tani gjatë vitit 2023. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, e mbështetur nga OKB, Shqipëria është vendi i tretë me rritjen më të shpejtë të turistëve gjatë vitit 2023, e kaluar vetëm nga Katari dhe Arabia Saudite, të cilat kanë zhvilluar Kupën e Botës në futboll në fillim të këtij viti.
Megjithatë, rritja e numrit të turistëve sjell edhe problematika për banorët, të cilat nëse nuk adresohen, mund të dalin jashtë kontrollit. Mbetemi ende në pritje të statistikave të turizmit përgjatë Gushtit për të parë “suksesin” e vërtetë të këtij sezoni veror.