Evropa Jugore vazhdon luftën me zjarret, situata tragjike në Greqi

Vala e të nxehtit vazhdon të sjellë probleme edhe në Spanjë, Itali, Francë e Portugali.

greqi zjarre evropa jugore
Photo: Getty Images

Zjarret e ditës së hënë kanë mbuluar qiejt grekë me tym, sipas imazheve të publikuara nga Observatori Kombëtar i Athinës. Sipas parashikimeve, kushtet ekstreme atmosferike të ditëve në vazhdim do të favorizojnë edhe më shumë përhapjen e zjarreve, të cilat pritet të vazhdojnë edhe ditën e mërkurë sipas ekspertëve.

Autoritetet greke të motit gjithashtu kanë publikuar hartën e zonave të rrezikut gjatë ditëve në vazhdim. Situata duket e frikshme, pasi në hartë një pjesë shumë e madhe e Greqisë, përfshirë këtu Athinën, Thesalinë, Korinthin, Peleponezin dhe ishujt e Egjeut duket se do të jetë e rrezikuar.

greece fire danger map
Photo: METEO unit of National Observatory of Athens

Vala e të nxehtit ka ardhur pas muajit korrik, i cili u shpall muaji më i nxehtë në histori. Greqia ka qënë një prej vendeve më të prekura nga zjarret. Këto të fundit “pushtuan” ishujt e Rhodos dhe Korfuzit, duke prishur pushimet për shumë turistë. Temperaturat vazhdojnë të shënojnë 40 gradë Celsius në Greqi, ndërkohë që ditën e sotme situata alarmante është kthyer në tragjedi.

18 trupa të shkrumbuar janë gjetur në verilindje të Greqisë ditën e sotme. Sipas zjarrfikësve, turpat e pajetë të gjetur në një kasolle në jug të fshatit Avantas ishin emigrantë. Kjo zonë njihet si një prej kalimeve kryesore të emigrantëve klandestinë nga Lindja e Mesme dhe Azia, të cilët kalojnë përmes Greqisë për të shkuar në Evropë.

Jo vetëm Greqia, por edhe një pjesë e madhe e Evropës Jugore është në gjendje emergjence si pasojë e temperaturave të larta dhe rrezikut të zjarrit. Franca e Italia kanë shpallur alarmin e kuq në disa zona, ndërkohë që në Spanjë e Portugali, vazhdon lufta me vatrat e flakëve. Një pjesë e madhe e Spanjës është shpallur zonë rreziku pas kësaj vale të nxehti, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të shuar zjarrin në pyjet e ishullit të Tenerifes, një prej destinacioneve më popullore të pushimeve në Spanjë. Në Portugali, autoritetet kanë shpallur pjesën qëndrore dhe veriore të shtetit si zonë rreziku, përfshirë këtu dhe Algarve, një prej zonave më të preferuara nga turistët. Në Itali, 700 persona janë evakuar nga ishulli i Elba, ndërkohë që në 16 qytete kryesore, përfshirë këtu Romën, Milanon dhe Firencen, autoritetet kanë shpallur gjëndjen e emergjencës dhe kanë këshilluar qytetarët të mos dalin gjatë orëve më të nxehta të ditës. Situata duket e ngjashme edhe në Francë, ku katër rajone jugore – Rhone, Drome, Ardeche dhe Haute-Loire – janë shpallur zona rreziku. As në mal situata nuk duket e sigurt, pasi alpinistëve iu është kërkuar të mos ngjiten në Mont Blanc për shkak të temperaturave të larta.

Duket se kjo verë në Evropë ka qënë mjaft kaotike, jo vetëm prej zjarreve, por edhe si rrjedhojë e numrit të madh të pushuesëve që kanë vizituar kontinentin. Duke marrë shkas dhe nga tragjedia e ndodhur, shpresojmë të jeni të sigurt nëse jeni duke pushuar në një prej zonave të rrezikuara, si dhe ju këshillojmë të ndiqni këshillat e autoriteteve.