Shtëpitë prej guri dhe rrugët e shtruara me kalldrëm të Gjirokastrës mbartin me vete copëza të vyera nga historia e Shqipërisë. “Qyteti i gurtë”, i shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO, është i vendosur në një shpat mali mbi luginën e Drinos që prej 2500 vitesh. Gjirokastra ka shërbyer edhe si frymëzim për një prej romaneve më të njohura të shkrimtarit Ismail Kadare: ‘Kronikë në gur’.
Gjatë viteve të fundit, Gjirokastra është kthyer në një prej pikave kryesore dhe më të veçanta për turistët në Shqipëri, jo vetëm për shkak të traditës, por edhe për koncertet e festivalet që po zhvillohen çdo vit e më shpesh në qytet. Me arkitekturën e veçantë, gatimet tradicionale dhe kulturën e pasur, Gjirokastra është një prej qyteteve që nuk duhet humbur nga askush.
Si të shkosh në Gjirokastër
Nëse jeni duke vizituar Gjirokastrën, me shumë mundësi jeni duke ardhur nga Tirana ose Saranda. Drejt Gjirokastrës ju mund të udhëtoni në rrugë tokësore me makinë ose autobus. Në Shqipëri, një makinë me qira do t’ju kushtojë rreth 50-60€ dita. Duke u nisur nga Tirana, rruga drejt Gjirokastrës zgjat rreth 3 orë, ndërkohë që nëse po udhëtoni nga Saranda, rruga do të zgjasë rreth 1 orë po të ndiqni rrugën e re Kardhiq – Delvinë.
Gjirokastra ndodhet gjithashtu fare pranë Greqisë. Nëse jeni duke ardhur nga Greqia, ju mund të shkoni në Gjirokastër nga pika doganore e Kakavijes, rreth 35 minuta larg qytetit.
Ku të qëndrosh në Gjirokastër
Pjesa më e bukur dhe e cila ka më shumë interes dhe gjallëri në Gjirokastër është padyshim Qafa e Pazarit. Për këtë arsye, rekomandojmë të qëndroni në këtë pjesë të qytetit, e cila ndodhet pak më larg qytetit të ri. Nëse jeni duke udhëtuar me autobus, stacioni i autobusave ndodhet në hyrje të qytetit të ri dhe nëse do të shkoni në Pazar me këmbë, do t’ju duhet të bëni rreth 30 minuta rrugë në malore. Për këtë arsye, do t’ju rekomandonim të merrnit taksi.
Hotele në Gjirokastër
Çfarë të bësh në Gjirokastër
Ajo çka bie menjëherë në sy sapo i afrohesh Gjirokastrës është padyshim kalaja e Gjirokastrës, e cila duhet të vizitohet me patjetër. Kalaja e Gjirokastrës njihet gjithashtu edhe si kalaja e Argjirosë, princeshës së Gjirokastrës, legjenda e së cilës shpjegon origjinën e emrit të qytetit. Kalaja e Gjirokastrës ndodhet pranë qytetit të vjetër dhe mund të aksesohet me këmbë nga Qafa e Pazarit nga një rrugë panoramike. Në kalanë e Gjirokastrës do të shihni Kullën e Sahatit, skenën e Festivalit Kombëtar Folklorik dhe do të keni pamje mbresëlënëse të të gjithë qytetit. Brenda kalasë ndodhet gjithashtu Muzeu i Gjirokastrës, i cili ka një koleksion armësh nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, por edhe një avion luftarak amerikan dhe një tank italian Fiat. Poshtë Kalasë së Gjirokastrës ndodhet edhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, një bunker i shndërruar në muze dhe që mund të vizitohet pasi të shkoni në kala. Hyrja në kalanë e Gjirokastrës kushton 400 Lekë, ku përfshihet dhe hyrja në Muzeun e Gjirokastrës.
Pazari i Gjirokastrës, ose ndryshe Qafa e Pazarit, është zona me më shumë gjallëri në Gjirokastër, ku ndodhen edhe disa prej bareve dhe restoranteve më të mira. Pranë Pazarit dhe rrëzë kalasë ndodhet gjithashtu dhe Kisha e Shpërfytyrimit, e cila daton që prej 1784. Në Pazar, ju mund të kaloni kohë duke shëtitur në sokakët e Pazarit ndërkohë që hani diçka në dorë dhe shikoni punimet artizanale të zonës. Në mbasdite, Pazari gëlon me njerëz, muzikë e aktivitete të ndryshme, duke tërhequr vendasit dhe turistët.
Gjirokastra është vendlindja e disa njerëzve të shquar në historinë e Shqipërisë, ku më famëkeqi është padyshim Enver Hoxha, ish-diktatori komunist. Shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër, pasi u dogj më herët, u shndërrua në Muzeun Etnografik të qytetit. Brenda kësaj shtëpie-muze 4-katëshe ju do të mësoni më shumë mbi jetesën e familjes tipike gjirokastrite në vitet 1800, si dhe do të gjeni kostume dhe orendi të tjera të kohës. Hyrja në muze kushton 200 Lekë.
Gjirokastra shquhet gjithashtu dhe për shtëpitë e tjera muze. Një prej shtëpive më të bukura është Shtëpia e Zekatëve, e cila të tërheq vëmendjen menjëherë sa hyn në qytet me dy kullat e saj. Shtëpia e Zekatëve është një ndër shembujt më të mirë të arkitekturës osmane në qytet. Teksa jeni në Gjirokastër, mund të vizitoni gjithashtu Shtëpinë e Skëndulëve, të ndërtuar në fillim të viteve 1700. Të tjera shtëpi të cilat ia vlejnë të vizitohen janë edhe shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare dhe Shtëpia Babameto.
Vetëm 3km larg Gjirokastrës ndodhet dhe Parku i Viroit, i cili e merr emrin nga liqeni i Viroit. Ky park është vendi perfekt për të shijuar një piknik, kafe ose drekë në qetësi dhe freski, duke e bërë destinacionin ideal sidomos gjatë ditëve të verës.
Një tjetër alternativë pranë Gjirokastrës është edhe qyteza e Libohovës, e njohur për gatimin, bukuritë natyrore dhe objektet fetare. Ndër këto objekte fetare do të veçonim Kishën e Kryqit në Labovë, një ndër monumentet më të vjetra në Shqipëri.
Nëse keni kohë dhe po qëndroni disa ditë, do rekomandonim të vizitonit gjithashtu Përmetin dhe Tepelenën, të cilat ndodhen shumë afër me Gjirokastrën.
🍹 Bare në Gjirokastër
Çfarë të hash në Gjirokastër
Gjirokastra dhe zona përqark shquhet për kulinarinë e pasur. Disa prej ushqimeve më të veçanta janë padyshim pashaqofte (supë me qofte), qifqi (qofte orizi), shapkat (byrek me miell misri), sarma (dollma ose japrakë) dhe oshaf (ëmbëlsirë me qumësht dhe fik). Shumica e restoranteve në Gjirokastër ofrojnë gatime tradicionale shqiptare dhe greke.
Restorante në Gjirokastër
- Te Fuçitë
- Restorant Odaja
- Kërculla Resort
- Restorant Ndrico (ndodhet në Derviçan, fshat pranë Gjirokastrës)
- Taverna Kuka
- Bujtina Maria (ndodhet në Libohovë)