///

4 destinacione për të shijuar magjinë e Krishtlindjes

christmas market
Photo: Getty Images

E çfarë mund të vlerësojmë më shumë sesa ngrohtësia e familjes, në kohë ku shumica e lajmeve të copëton zemrën? Po vjen…jo babagjyshi sepse për fat të keq, jemi rritur. Po vjen atmosfera e shpresës, Krishtlindja!

Po vjen paqja që të dhurojnë rrugicat e mbuluara nga dëbora, dritat e varura në çdo shtëpi, të mblidhesh me një gotë kakao ose një verë të ngrohtë në dorë… tingëllojnë si Krishtlindjet ideale apo jo? Nëse jeni duke përgatitur udhëtimin tuaj të fundvitit, filloni kërkimin e biletave. Ne në Ema’s Light, kemi zgjedhur 4 destinacione evropiane ku jemi të sigurt se do të kaloni një Krishtlindje magjepsëse!

1. Budapest, Hungari

budapest christmas market
Photo: Getty Images

Gjatë viteve të fundit, Budapesti është votuar vazhdimisht si qyteti evropian me tregjet më të bukura të Krishtlindjes! Në Budapest gjendet një atmosferë më e ngrohtë dhe më intime krahasuar me shumë qytete të tjera, si dhe një prej pistave të patinazhit më të mëdha në Evropë, fiks në qendër të festimeve. Për të mos folur për pamjet fantastike historike, si edhe banjat termale të cilat edhe pse të komercializuara, kanë veçantinë e tyre.

Festimet e Krishtlindjes në Budapest fillojnë në 24 nëntor dhe mbarojnë në 31 dhjetor. Ju rekomandojmë të mos e vizitoni qytetin në datat 24-26 dhjetor, pasi shumica e muzeve dhe aktiviteteve, do të jenë mbyllyr. Ju mund të fluturoni direkt drejt Budapestit me Wizz Air ose RyanAir.

2. Vjenë, Austri

vienna christmas market
Photo: Getty Images

Vetëm 2 orë larg Budapestit ndodhet Vjena, një prej qyteteve më të bukura të Evropës në çdo periudhë të vitit. Megjithatë, gjatë Krishtlindjes, ngjyrat e dritave dhe dekoreve, i japin një atmosferë komplet ndryshe Vjenës, e cila nuk duhet humbur edhe nëse e keni vizituar më herët. Përveç tregut të madh të Krishtlindjes në Maria Theresien Platz, në Vjenë ka edhe tregje të tjera më të vogla të shpërndara nëpër qytet, duke bërë që i gjithë qyteti të rrezatojë nga atmosfera e Krishtlindjes.

Festimet e Krishtlindjes në Vjenë nisin në 10 nëntor dhe mbarojnë në 31 dhjetor, ndërkohë që disa tregje të vogla, mund të mbyllen edhe më herët. Ju mund të fluturoni direkt drejt Vjenës me Austrian Airlines ose Wizz Air.

3. Mynih, Gjermani

munchen christmas market

Sapo mbaron Oktoberfest, gjermanët paketojnë lederhosens për të veshur pulovrat e tyre të Krishtlindjes. Tregjet e Krishtlindjes mbahen në disa qytete të Gjermanisë, por Mynihu shquhet si një prej qyteteve me atmosferën më magjike gjatë kësaj periudhe. Tregu më i madh i Krishtlindjes në qytet mbahet në Marienplatz. Nëse jeni “foodies” si ne, tregjet në Mynih janë padyshim vende që duhen vizituar!

Tregjet e Krishtlindjes në Mynih mbyllen pak më herët se në qytetet që përmendëm më parë. Ato nisin në 27 nëntor dhe mbyllen në 24 dhjetor për vigjiljen e Krishtlindjes, ndaj kini parasysh të planifikoni udhëtimin tuaj brenda këtyre datave, për të shijuar atmosferën në maksimum. Drejt Mynihut ju mund të fluturoni me Lufthansa ose me Wizz Air, i cili ofron fluturime drejt aeroportit të Memmingen.

Teksa jeni në Gjermani, mos harroni t’i hidhni një sy edhe këtij tregu mjaft të veçantë Krishtlindjesh!

4. Pragë, Çeki

prague christmas market
Photo: Getty Images

E ashtuquajtura “Zemra e Evropës”, nuk kishte se si të mungonte në listën e destinacioneve ideale për të festuar Krishtlindjen. Përveç dritave dhe dekorimeve shumëngjyrëshe, ato çka e bëjnë Pragën të veçantë në këtë periudhë, janë dy tregjet e Krishtlindjeve vetëm 5 minuta larg njëri-tjetrit – nga Old Town Square në Wenceslas Square në qendër të qytetit. Festimet me pamjen më mahnitëse në këtë qytet, mbahen padyshim përpara Bazilikës së Shën Gjergjit. Nëse gjithmonë keni patur dëshirë të vizitoni Pragën, Krishtlindja është një nga periudhat që do ju rekomandonim më shumë!

Festimet e Krishtlindjes në Pragë nisin në 2 dhjetor dhe mbarojnë në 6 janar 2024. Ju mund të fluturoni direkt nga Tirana me RyanAir, ndërkohë që fluturimet me Wizz Air drejt Pragës nisin nga 18 dhjetori.

Paçi dritë e paqe, në këto festa të bekuara!