9 destinacione për festat e nëntorit

nentor udhetime

Në pamje të parë, Nëntori me shira dhe temperatura të ulëta nuk duket si periudha më e mirë për të udhëtuar. Megjithatë, për fatin tonë, pushimet që kemi gjatë kësaj periudhe na ofrojnë një tjetër mundësi për të vizituar destinacione të reja. Gjithsesi, kudo që doni të udhëtoni, qoftë brenda vendit, në Ballkan, apo Evropë, mundësitë gjatë Nëntorit janë të shumta. Më poshtë do të listojmë 9 destinacione, të cilat ne mendojmë se janë alternativa të mira për të shijuar festat e Nëntorit.

Udhëtime brenda Shqipërisë

Vlorë

vlora november

Festat e flamurit nuk mund të festohen askund më mirë sesa në qytetin ku ai u ngrit, në Vlorë. Edhe pse s’është koha ideale për të shijuar detin e Jonit, Vlora ofron plot aktivitete gjatë këtyre ditëve, sidomos në Sheshin e Flamurit që gëlon nga aktivitetet tematike, por edhe përgjatë Lungomares. Nëse doni të lëvizni, mund të vizitoni Manastirin e Zvërnecit, Kaninën dhe qytetin antik të Orikumit. Ndërkohë, opsioni tjetër është të çlodheni në hotel, ku ne ju rekomandojmë Yacht Hotel.

Korçë dhe Voskopojë

korca guide

Korça, qyteti i serenatave, është një tjetër destinacion i preferuar përgjatë gjithë vitit nga familjarët, çiftet, por edhe grupet shoqërore. Atmosfera e festave të pavarësisë ndihet edhe në këtë qytet, i cili gëlon nga pushuesit gjatë këtyre ditëve. Korça shquhet për aktivitetet e shumëta kulturore përgjatë bulevardit, sheshit të Katedrales e brenda pazarit, por edhe për ushqimin e mirë dhe jetën e natës. Duke qenë se është një destinacion mjaft i kërkuar, hidhini një sy guidës tonë për disa ide hotelesh.

Ndërkohë, teksa jeni në Korçë, mos ngurroni të bëni një vizitë dhe në Voskopojë, për ajrin e pastër dhe qetësinë që të ofron natyra. Në guidën e Korçës do të gjeni gjithashtu mjaft ide hotelesh në Voskopojë.

Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë

gjirokastra bazaar at night

Si një muze i gurtë në qiell të hapur, në jug të Shqipërisë ngrihet Gjirokastra me kalldrëmin e saj. Me arkitekturën unike, aktivitetet e shumta dhe ushqimin tradicional që të ngelet në mendje, historia dhe tradita përzihen më së miri në këtë qytet, nga ku burojnë dhe veprat letrate të Kadaresë. Me një sërë aktivitetesh përgjatë Qafës së Pazarit, jemi të sigurt se në Gjirokastër do të kaloni një fundjavë argëtuese. Nëse do të vizitoni Gjirokastrën gjatë Nëntorit, mund të qëndroni në Kërculla Resort, ose hidhini një sy opsioneve të tjera në guidën tonë.

Fare pranë Gjirokastrës ndodhen gjithashtu edhe qytetet e Tepelenës dhe Përmetit, të cilat janë gjithashtu dy opsione mjaft interesante dhe çlodhëse për një ose dy netë qëndrimi. Nëse dëshironi të shkoni në Tepelenë, do t’ju rekomandonim të qëndroni te Hotel Uji i Ftohtë, një prej investimeve më të fundit, ngritur pikërisht mbi luginën e lumit Drino, për të cilin mund të gjeni përshtypjet e mija këtu. Ndërkohë, Përmeti, përveç glikove aq të shijshme dhe njerëzve të mirë e të dashur, ofron gjithashtu një destinacion më autentik e tradicional, të ndërthurur me qetësinë që të fal natyra. Nëse koha është e mirë, mund të vizitoni gjithasthu Banjat e Bënjës për ujërat termalë kurativ. Në Përmet ju rekomandojmë hotelin Villa Përmet, për të cilin mund të lexoni shkrimin tim këtu.

Berat

berat november

Qyteti i një mbi një dritareve është një tjetër ide e mirë për të shijuar festat e nëntorit brenda vendit. Një tjetër qytet i mbrojtur nga UNESCO si trashëgimi botërore kulturore, në Berat do të mund të përhumbeni në kalldrëmet e kalasë, Mangalemit e Goricës. Muzeu Ikonografik Onufri në Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeu Etnografik i Beratit janë gjithashtu dy atraksione të tjera interesante në qytet. Ndërkohë, nëse jeni më të tërhequr nga natyra dhe keni pak më shumë kohë, mund të vizitoni kanionet e Osumit ose të ngjiteni në malin e Tomorrit drejt Ujëvarës së Sotirës. Ndërkohë, për ju që doni të çlodheni gjatë këtyre ditëve, ju rekomandojmë Berat Castle Hotel, brenda kalasë së qytetit.

Udhëtime në Ballkan

Dubrovnik

dubrovnik november

Për disa prej nesh, ditët e pushimit gjatë festave të Nëntorit shërbejnë edhe si një mundësi për të udhëtuar jashtë vendit dhe për të provuar qytete e eksperienca të reja. Me uljen e çmimeve, krahasimisht me periudhën e verës, si dhe numrin më të vogël të turistëve, Dubrovniku është një destinacion që të jep një ndjesi plotësisht të ndryshme gjatë Nëntori. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e bareve dhe restoranteve sezonale qëndron e mbyllur, sërish do të keni mundësi të humbisni në labirinthet e Old Town-it historik (ose King’s Landing, për ju fansat e Game of Thrones). Për një pushim të kompletuar dhe për t’u rikthyer plotësisht gati për pjesën e mbetur të vitit, do t’ju rekomandonim qëndrimin në Rixos Premium.

Budva dhe Tivat

Mali i Zi shijohet më së miri gjatë verës, por është gjithashtu një destinacion i këndshëm fare pranë vendit tonë gjatë fundajvës. Do të rekomandonim të nisnit vizitën tuaj në Budva, Old Town-in e të cilës mund ta shijoni më së miri tani që turistët zbrazin rrugicat e ngushta dhe kishat antike. Fare pranë ndodhet gjithashtu edhe qyteti i Tivatit, i shndërruar në një marinë luksoze jahtesh në bregun e Kotorit. Me më pak turistë, do të keni mundësi të eksploroni bulevardet e marinës si dhe të shijoni një fundjavë relaksuese dhe të rafinuar. Gjatë kësaj periudhe, iu rekomandojmë të qëndroni në TivatThe Chedi Lustica Bay, për të cilin mund të lexoni më shumë këtu.

Selanik

Greqia shquhet për disa prej plazheve më të bukura në botë, por nuk është një destinacion i cili mund të frekuentohet vetëm përgjatë verës. Si qyteti i dytë më i madh i Greqisë dhe me vendndodhje fare pranë Shqipërisë, Selaniku është një destinacion që mund të frekuentohet dhe shijohet plotësisht edhe gjatë nëntorit. Përzierja e kulturave greke, romake dhe otomane i jep Selanikut një sharm të veçantë, ku do të gjeni një sërë monumentesh nga periudha të ndryshme kohore. Më i famshmi është padyshim Kulla e Bardhë, e cila ndodhet përgjatë shëtitores buzë detit të qytetit. Mos harroni dhe ushqimet e shijshme në tavernat tradicionale greke, teksa në kthim do të keni mundësi të ndaloni dhe të pushoni dhe në Korçë. Për të qëndruar në Selanik, ju rekomandojmë Onoma Hotel.

Udhëtime në Evropë

Treni panoramik Bernina Express

bernina express train

Pikërisht në këtë periudhë gjatë nëntorit, pata mundësi të provoj një udhëtim në trenin panoramik Bernina. Kjo është një eksperiencë totalisht e veçantë, ku do të kaloni përmes Alpeve në disa peizazhe që nuk do t’i harroni kurrë. Për mua është një prej udhëtimeve të mija të preferuara, të cilit i kam dedikuar një postim me çdo detaj në Instagram.

Verona

Qyteti i Veronës, i përjetësuar nga Shekspiri në “Romeo dhe Zhuljeta”, ka një atmosferë magjepsëse gjatë nëntorit. Nga shtëpia e Zhuljetës, baret e shumëta në Piazza Bra që rrethojnë Arenën e Veronës, pamjet fantastike nga Castel San Pietro dhe godinat klasike të Piazza delle Erbe, çdo monument në Verona mund të eksplorohet për vetëm €20 me Verona Card! Ky qytet është një destinacion ideal për një fundjavë, ku mund të vizitoni çdo atraksion që ka për të ofruar, si dhe të shijoni kulinarinë e pasur Italiane. Drejt Veronës, mund të fluturoni me Albawings, Air Albania ose Wizz Air, teksa për të qëndruar ju rekomandojmë Relais Empire.

Po ju, cilin udhëtim keni planifikuar këtë nëntor? Mos ngurroni të na e tregoni!