/

Valta Hotel Qeparo / Review

valta hotel qeparo

Ishte hera e parë që bënim pushime në Qeparo dhe vendimi u morr pikërisht se aty ndodhej Hotel Valta. Donim një hotel praktik familjar buzë detit, që të kishte dhoma komode (jo bungalows), si edhe të kishte një çmim i cili të justifikonte pushimet në Shqipëri, ku tek e fundit nuk gjen komplekse gjigande për të plotësuar nevojat e shumëkujt.

Qëndruam në këtë hotel në Gusht, me tipologji dhomë 2+1 (90€ me mëngjes). Në këtë artikull po bëj një përmbledhje të përshtypjes time.

Valta është një hotel tipik me menaxhim familjar (me dëshirë të madhe por pa përvojë hotelerie). Hoteli është i përshtatshëm për fëmijë sepse vendndodhja është ngjitur me detin. Mundësohet “baby cot”, lodra vetëm nuk ka.

🏡 Hyrja: u ngatërruam jo një herë por disa herë për të gjetur kthesën e saktë (të pashtruar) të hotelit, sepse nuk kishte asnjë tabelë e asnjë dritë orientimi. Pas 3 herësh ngatërresë, një ndërtesë me kangjella përballë u bë busullë jonë (mos e harroni). Të lumtur që arritëm, vumë re se hyrja nuk ngjaste me atë të një hoteli por me një parkim dhe me një derë të vogël të cilën me intuitë duhet t’ë kuptoj se ishte hyrja e hotelit.

🚘 Parkimi: i siguruar nga hoteli dhe i rregulluar (pa kthesa e ngushtica). I pashtruar me asfalt.

valta hotel hall

🏠 Ndërtesa kryesore: Hoteli ka një infrastrukturë moderne me shumë potencial, të gjitha dhomat janë me pamje nga deti. Nuk ka ndërtesa të tjera rreth e qark dhe shikimi në hapësirë është mbresëlënës. Qetësinë absolute dhe komoditetin e afërsisë me detin, restorantin, kafenë i kemi shijuar në maksimum. Cons: hoteli përbëhet nga 3 kate, por për çudinë tonë nuk kishte ashensor. Të paktën për karrocën ishte rezervuar një vend i posaçëm (se ndryshe do të ishim lodhur duke e ngritur). Mungonin masat kryesore të sigurisë si bombulat fikëse të zjarrit etj. Hoteli synon të ketë pushues familjare që qëndrojnë shumë ditë, por nuk kishte asnjë kënd gatimi për bebat e fëmijët e vegjël (ku të mund të frulojë ndonjë frut).

☎️ Recepsioni: Mikpritja ishte e ftohtë, por le të themi politikisht korrekte. Buzëqeshja, kuptuam se nuk ishte traditë e zonës 🙂

🛜 Wireless: Mesatar dhe në disa vende i dobët.

valta qeparo room
Dhoma ishte komode, por kishte SHUMË mushkonja
Dhoma ofronte pamje fantastike nga deti

🚪 Dhoma: Pamje nga deti, shumë e gjerë, arredimi me gurë por shumë komod, ndriçimi i zbehtë. Mushkonjat ishin problematike: megjithë pajisjet e dhomave me zgjidhje kundër mushkonjave, dhoma ishte e mbushur me to si edhe ambiente përreth. Pastrimi i dhomës linte shumë për të dëshiruar.

🛁 Tualeti: kishte një problem strukturor tek dushi, sepse nuk kishte një derë a kabine dhe tualeti përmbytej.

valta qeparo pishina
Nuk arritëm ta provonim pishinën, pasi shijuam kohën pranë detit

🏊‍♀️ Pishina: Përbëhej nga ujë deti, personalisht nuk e provuam sepse shijonim detin. Në pishinë nuk lejohej ushqimi, ama pronarit të hotelit i servirej vakti në mes të pishinës, e hej, nuk jemi njësoj 😎

valta hotel beach
Nuk mund të mungonin gazebot në vijën e parë..

🏖 Plazhi: Ishte shumë i përshtatshëm për fëmijë, bregu me gurë dhe më pas kishte rërë. Nuk kishte atë ngjyrën e kristaltë.

valta hotel breakfast
Mëngjesi ishte i larmishëm, po ishte vazhdimisht i njejti

🍳 Mengjesi: Fillon në orën 8 dhe mos bëni gabë të shkoni pas orës 10, se mbeteni pa gjë. Mengjesi nuk ishte ‘bufet’, ishte mjaft i larmishëm, por si frutë kishim çdo ditë shalqi. Veza servirej sy (e gatuar fort) dhe një herë që e ndërruam (me shumë përpjekje) me omletë u bëmë pishman.

👮‍♀️ Sherbimi: Pika më e dobët e këtij hoteli! Nuk di si mund të gjej një fjalë profesionale për të përshkruar një shërbim shumë të ulët. Kisha kohë që nuk mbaja mend të isha acaruar aq shumë nga menaxhimi si edhe nga kamerierët. Koncepti: “klienti ka gjithmonë të drejtë”, këta jo vetëm nuk e kishin mësuar, por për kundërshtim, filozofia ishte: “deri këtu e ke çakun, mos kërko më shumë”. Përgjigjet shumë joprofesionale, stafi totalisht i demotivuar (si edhe i lodhur, sepse ishte po ai personel në 3 turne).

valta restaurant chicken
valta restaurant spaghetti

🍝 Restoranti: I shtrenjtë për cilësinë që ofronte. Tentonte të kishte një kuzhinë të thjeshtë me çmimet e një kuzhinë moderne. Nuk dilnin kurrsesi jashtë meny-së dhe për fëmijët ishte pak problematik.

Për t’i përmbledhur: Paka të gjitha, në këto pushime i shijonim në maksimum.

Mezi pres të dëgjoj përvojat tuaja rreth këtij hoteli, komentoni më poshtë, ju lutem: A keni pasur të njëjtën eksperiencë? 😊