//

Fresco Tiranë/ Review

Me një ambjent të thjeshtë, totalisht jo formal në një rrugicë pranë Juridikut, Fresco të pret me stendën e menusë së jashtme. Ka një kapacitet të vogël me pak tavolina, por ia dalin të ofrojnë ushqim të mirë, shërbim të ngrohtë dhe cmim shumë ekonomik.

Arsyeja përse ky vend ka kohë që më ka fituar si kliente të përhershme, është se më ofron ekzaktësisht atë që pres kur dua një zgjidhje të shpejtë për një drekë të shpenguar: pa ndonjë rafinim apo teknikë të komplikuar gatimi, më ofron shije e në fund faturohem pikërisht për atë që marr. Pra, nëse dua një eksperiencë të një niveli të lartë kulinarie, zakonisht zgjedh opsione “fine dining” dhe jam okej të paguaj më shumë.

fresco gjuze
Gjuzë e marinuar

Kuzhina është e hapur dhe (edhe pse ne si klientë nuk do të bëjmë auditim), kjo qasje ofron një farë sigurie. Restorante ekonomike ka shumë por në disa raste kam merak të ha ushqim krudo. Fresco derimë tani, më ka lënë një shije të sigurtë si nga prezantimi, ashtu edhe nga fakti që shumë produkte (të paktën me ç’më thonë), mungojnë sepse i marrin përherë të freskëta.

Friturë me fruta deti Fresco
Friturë me fruta deti

Problemin e kam me ato dreka të shpejta ku disa kokrra shegë dhe disa lule të bukura, më ofrojnë ushqim standart tejet të përsëritur (e kam me ju o skampi me vaj e limon), ku më sugjerohen më shumë pjata seç ka nevojë stomaku im e ku fatura tejkalon atë që kisha në mendje.

fresco linguine seafood
Linguine alle Vongole

Te Fresco shijoj veçanërisht linguinet me frutat deti, tartarin e tonit (i cili shpesh mungon), friturat krokante pa vaj të nxirë dhe mbi gjithçka: gjuzat apo ndonjë peshk të egër kur e shërbejnë me salcë limoni e ku balanca e gjalptë është e duhura për shijet e mia.

fresco tuna tartare
Tartar toni

Çfarë do i sugjeroja restorantit në vazhdim do të ishte vëmendje e shtuar në mirëmbajtje, veçanërisht në tualet si edhe shpresoj shumë me rritjen e ngarkesës të mos cënohet asnjë nga pikat e forta të përmendura më lart, siç kemi shembuj të vendeve të tjera të ngjashme.

Në gjykimin tim, raporti cilësi/çmim është tejet i lartë, vazhdoni kështu.

Fresco Fish Restaurant