/

Një fundjavë italiane: Firenze dhe Piza në 48 orë

Ponte Vecchio in Firenze by Ema's Light

Diku lexova një shprehje në të cilën thuhej: “Nëse Italia do të ishte një Mona Lisa, atëherë Firenze do të ishte buzëqeshja e saj.’’ Do të thoni ju, vallë në aq shumë vende të bukura që ka Italia përse pikërisht qyteti i Firenze-s është kaq i veçantë? Firenze është një qytet me histori të pasur ndëshekuj, me kryevepra arti dhe arkitekturë me famë botërore.


Firenze by Ema's Light

Planifikimi

Ky udhëtim u planifikua rreth një muaj e gjysmë përpara dhe si opsion ekonomik zgjodhëm Wizz Air. Ky i fundit nuk kishte linjë direkte në Firenze por në Pisa. Një opsion tjetër me linjë direkte në Firenze është Alba Wings, sidoqoftë ne zgjodhëm alternativën e parë, pasi menduam që edhe Piza ishte një destinacion që duhej vizituar.

Biletat kushtuan €35 (vajtje-ardhje), ku të përfshirë kishim vetëm një çantë shpine (detajet e bagazhit mund t’i gjeni këtu). Udhëtimi shkoi shumë mirë, nuk pati vonesa dhe zgjati rreth 1 orë e 20 minuta përafërsisht.

Taksia nga aeroporti e deri në Pisa Centrale Train Station kushtoi rreth €10. Për nga aty, morëm trenin nga Pisa për në Firenze. Çmimi i biletës së trenit me TrenItalia kushtoi €9/pp (biletat mund t’i merrni në sportel, online ose në një nga makinetat në stacion). Udhëtimi me tren ishte shumë praktik dhe mos harroni të validoni biletat.

Ku të qëndroni në Firenze?
Hoteli që zgjodhëm: Hotel Spagna – e rekomandoj pasi vendodhja është 10/10. Një natë qëndrimi (në periudhën e këtij shkrimi) kushtoi rreth €134 për tre persona, pa mëngjes të përfshirë. Hoteli ndodhet 10 minuta larg stacionit të trenit (Santa Maria Novella Train Station) dhe 15 minuta në këmbë nga Piazza del Duomo.

Dita e parë
Stop 1: U zgjuam herët në mëngjes për të gjetur momentin perfekt për të shkrepur disa foto në Piazza del Duomo pasi është momenti i vetëm kur nuk ka shumë njerëz rreth e rrotull. Pra, e nisëm ditën në vendin ku është zemra e qytetit: “The Duomo”. Katedralja ishte një mrekulli, një nga më të bukurat që kisha parë ndonjëherë. Duhet të shkoni në majë të katedrales, për të patur një nga pamjet më panoramike të qytetit. Arkitektura e veçantë e “The Duomo” është arsyeja përse kjo katedrale është një nga atraksionet më të vizituara nga turistët anë e mbanë botës. Këshillë: Gjithmonë rezervoni biletat paraprakisht online, për të shmangur rradhët e gjata.

Stop 2: Përballë katedrales, ndodhej Caffe Scudieri ku konsumuam mëngjesin dhe kafenë. Vazhduam rrugën drejt Piazza della Signoria, një nga sheshet që duhet të vizitoni patjetër nëse jeni në Firenze. Aty pranë gjendet Palazzo Vecchio, si edhe një nga muzetë më të njohur në botë, Uffizi. Në këtë të  fundit, gjenden rreth 60 dhoma të mbushura me vepra arti të Rilindjes, ku veprat më të njohura  janë Botticelli, Leonardo da Vinci, Raffaello, Caravaggio etj.

 

Stop 3: “Osteria del Proconsolo”
Për drekën zgjodhëm një nga restorantet që na u rekomandua më së shumti nga miqtë tanë, Osteria del Proconsolo, e cila ndodhej fare pranë Duomos. Ushqimi ishte tejet i shijshëm, provuam lazanjën, pizza-t dhe pastën carbonara. Stafi ishte shumë mikpritës, madje disa nga kamerierët ishin patriotët tanë.

Stop 4: Afër hotelit tonë, ndodhej Santa Maria Novella Church me një arkitekturë mbresëlënëse. Ngjitur është një shesh ku mund të qëndrosh për të kaluar një mbasdite të këndshme me fëmijët apo pjesën tjetër të familjes. Ne qëndruam për disa minuta dhe provuam akulloret në një pastiçeri aty pranë.

Pasdite vizituam Piazza della Repubblica, ku u krijua një atmosferë e veçantë, pasi disa artistë filluan të këndonin dhe shumë njerëz iu bashkuan duke kërcyer.

Firenze

Dita e dytë

Stop 1: Mëngjesi ishte gjëja e parë që kishim në mendje, por hoteli nuk e ofronte si shërbim. Ditën e parë na kishte zënë syri një vend afër Piazza della Repubblica dhe menduam të ndalonim aty. Vendi quhej “Caffe Gilli’’ dhe gjendej në qendër të Firenzes. Shërbimi ishte i një niveli shumë profesional si edhe e gjithë arkitektura e vendit ishte një ndërthurje e stilit elegant dhe klasik.

Brioshët kishin shije fantastike dhe mund të them me plot bindje: ndër më të mirët që kam provuar ndonjëherë (provoni shijen me fëstëkë dhe do të më kujtoni). 

Breakfast @ Caffe Gilli

Stop 2: Mbasi konsumuam mëngjesin, vazhduam rrugën drejt ‘’Ponte Vecchio’’, që ndryshe quhet simboli i përjetshëm i Firenzes. Kjo është ura më e vjetër në Firenze, përballur me zjarre, përmbytje, luftëra e çfarë marrëzia dhe pakujdesia njerëzore kanë prodhuar në shtatë shekuj histori. Ura qëndron ende sot, e lavdishme dhe e pavdekshme, e sigurt për fitoren e saj kundër kohës.

Pasdite në Piza

Ora shënonte 11:00 am dhe menduam që ishte koha për të shkuar në Piza. Pasi shkuam në stacionin e trenit “Florence Santa Maria Novella (SMN)”, blemë biletat dhe u ulëm në tren për të shijuar udhëtimin. 

Tek kulla e Pizës mund të shkoni me autobus, Linja Rosso (biletat blihen në kioskat aty pranë). Nga stacioni i trenit për në kullën ikonike, mund të shkoni në këmbë (rreth 20 minuta larg).

Stop 3: Kulla e Pizës është simboli kryesor që vazhdon e tërheq turistë nga e gjithë bota. Lërmëni t’ju tregoj një sekret: Nëse doni pamjen më panoramike të kullës, ngjitur keni një muze që quhet “Museo dell’ Opera”. Hyni në kat të parë dhe kërkoni në ashensor shënimin ‘Cafeteria’. Në foto ilustrohet qartë pamja e bukur që ofrohet e për nga aty, mund të konsumoni ndonjë pije apo snack sipas dëshirës. Për referencë, çmimi për një Aperol Spritz ishte rreth €9, ndërsa një tost i thjeshtë kushtonte rreth €6.

Nëse dëshironi, mund të bëni turin që ju çon deri në majë të kullës së Pizës, i cili kushtonte €35/pp dhe zgjaste rreth dy orë. Për të shmangur rradhët e gjata, rezervoni biletat paraprakisht këtu.

Piza është një qytet i vogël, ndaj disa orë janë mëse të mjaftueshme për t’a eksploruar.

Janë disa qytete që të lënë mbresa e për mua, Firenze përfshihet në ato vende që do të doja t’i rikthehesha kurdo të mundja. Ndërsa ecni dhe endeni rrugëve të Firences, ka magji në çdo cep. Është e vështirë të shpjegosh ndër shkronja, ndjesinë e vizitës në këtë qytet të jashtëzakonshëm. Piza nga ana tjetër, është një vend i vogël por ikonik, përfaqësuar nga një prej kullave më të veçanta në botë.

Keni një fundjavë të lirë përpara? Ndiqni këtë guidë, ju siguroj që do t’ju kushtojë më shumë të qëndroni në shtëpi 😉

1 Comment

  1. Sa shkrim informues! Me pelqeu shume. Keni dhene informacion te detajuar, por duke dhene links, na lini te hetojme vete cfare na pelqen me shume. Ne vecanti, u kenaqa kur lexova qe fluturimi ne nje qytet tjeter nuk perben problem, por nje mundesi per te zgjeruar horizontin duke e bere edhe kete pjese integrale te udhetimit e jo angari. Mezi pres te lexoj me shume!

Comments are closed.