/

5 Mënyra për të vizituar Dubain me buxhet të limituar

Courtesy of @VoyagePrive

Dubai njihet si një nga qytetet më ekstravagante në botë. Thjesht përmendja e emrit të Dubai-t, ngjall imazhe luksi e duket se gjithçka është tejet e kushtueshme. Por, nuk mund të presim një llotari për të vizituar këtë qytet vibrant – duhet thjesht planifikim i qenësishëm. Madje, me një buxhet të kufizuar mund të shohim edhe një anë më të thellë e më autentike të qytetit, zhytur nën fasadën luksoze. 

Burj Khalifa, Dubai

Planifikimi
Të udhëtosh në mënyrë spontane do të krijonte adrenalinë për këdo nga ne, nëse do kishim luksin e parave si edhe të kohës. Por, nëse buxheti ynë është i cunguar, e nga ana tjetër jemi udhëtarë të paepur për të eksploruar kultura të tjera, atëherë gjëja e parë që na duhet, është krijimi i një plani.

Ne udhëtuam me linjë direkte Wizz Air nga Tirana në Abu Dhabi (me çantë shpine) dhe biletat kushtuan €65 vajtje-ardhje. Fluturimi zgjati rreth 5.5 orë dhe nuk pati asnjë vonesë. Për të përftuar një çmim të mirë, biletat e avionit i rezervuam 2.5 muaj përpara udhëtimit e nga ana tjetër, datat e udhëtimit ishin 16 – 19 qershor (periudhë ku kërkesa për të vizituar Dubain bie, sikundër temperaturat rriten ndjeshëm). 

Museum of the future, Dubai

Ka disa mënyra për të shijuar këtë qytet duke u kujdesur për shpenzimet:

1. Vizitoni plazhet pa pagesë, duke marrë ujë dhe çdo pije tjetër në market. 

2. ‘Brunch‘ në orët e vona: buxheti i limituar s’do të thotë të kufizohesh për të shijuar jetën e natës, dhe Dubai ka shumë vende që ofrojnë brunch në darkë. Çdo të mërkurë, Luna Sky Bar organizon ‘lady’s night’, ku femrat marrin pije dhe sushi falas, krahas një prej pamjeve më të bukura të qytetit.

3. Përdorni transportin publik: Një ‘Day Pass’ nëpër qytet kushton 14 AED (3.8 euro). Trenat nuk do të jenë në gjendje t’ju çojnë kudo, por metroja ndalon në shumicën e atraksioneve kryesore turistike, përfshirë Dubai Mall, Burj Khalifa dhe ‘Souks’ (tregjet tradicionale).

4. Konsumoni ‘street food‘ në 2nd December Street. Edhe pse ligji në Dubai ndalon gatimin në rrugë, kjo zonë gumëzhitëse është e mbushur me një linjë restorantesh që shërbejnë ‘street food’ njohur si ndër më të shijshmit në vend. 

5. Bëni pazar në ‘Souk‘: Tregu i Arit, Tregu i Erëzave dhe Tregu i Parfumeve janë të gjitha brenda një distancë të vogël në këmbë, dhe tregu i famshëm i tekstilit është matanë përroit. Mund të bëni pazar me çmime shumë ekonomike, por kujdes nga mallra-t “Made in China”. Nga ana tjetër,  the Souk Madinat Jumeirah është një treg ku çmimet janë më të larta.

Itinerari ynë:
Me të mbërritur, fjetëm në hotelin “Premier Inn Abu Dhabi International Airport” të Abu Dhabit sepse mbërritja ishte në orën 2 të mëngjesit. Një natë qëndrimi në dhomë standarde kushtoi €52. Hoteli ndodhej ngjitur me aeroportin, ndaj nuk kishte nevojë të merrnim taksi. 

Premier Inn Hotel Abu Dhabi
Sheikh Zayed Grand Mosque

Dita e parë:
Hoteli ofronte transport pa pagesë me autobuz drejt “Sheikh Zayed Grand Mosque”, kështu që nuk mund ta humbisnim si mundësi. Kur hymë në xhami, kuptuam përse është vërtetë një vend aq special. Këtu mblidhen njerëz nga e gjithë bota për të admiruar arkitekturën unike, e cila jep një vështrim më të thellë të jetës dhe kulturës në Emirate. Hyrja ishte pa pagesë por kërkohej rezervim paraprak online.

Kodi i veshjes ishte strikt dhe nëse ai nuk respektohej, do të duhet të blije një nga veshjet e përshtatshme në dyqanet rrotull, për të vizituar xhaminë. Në katin e nëndheshëm, ndodheshin dyqane veshjesh, suvenirësh, ëmbëlsirash si dhe kafe/restorante. Çmimet e veshjeve varionin por, kryesisht kushtonin rreth €30 e lart.

U kthyem sërish në hotel dhe pasi morëm valixhet, u drejtuam për në terminalin 1 të aeroportit për të blerë biletat e autobusit për në Dubai. I shpeshtë është edhe përdorimi i taksisë, i cili kushton rreth 250-350 AED (70-80 Euro), por hej lexues, keni buxhet të kufizuar apo jo? Bëni kujdes 😉 

Bileta e autobuzit kushtoi 35 AED/pp, udhëtimi zgjati rreth 1 orë e 15 minuta si edhe autobusi ishte i pajisur me WIFI (superb)! 

Për referencë: 1 AED = 0.25 Euro por shumë dyqaneve nuk pranojnë Euro, ndaj duhet patjetër të konvertoni paratë  ose të paguani me kartë (edhe kjo e fundit jo kudo është e mundur). 

Sheikh Zayed Grand Mosque

Akomodimi në Dubai:
Kishim bërë një zgjedhje të shkëlqyer! Hoteli “Paramount Hotel Midtown” kushtoi €320 (AED 1290) për dy netë qëndrimi. Dhoma që zgjodhëm ishte “Blockbuster suite”, me një ballkon me pamje të mrekullueshme nga Burj Khalifa. Suita përbëhej nga ambienti i qëndrimit dhe ambienti i ngrënies me pamje nga qyteti. Shërbimi ishte ekselent dhe stafi i gatshëm për t’ju përgjigjur çdo kërkese tonën.

Paramount Hotel Midtown

Pasi pushuam, mbasditen vendosëm ta kalonim në pishinën ‘Infinity’ që ndodhej në katin e 64-të të hotelit. Hyrja për klientët e hotelit ishte pa pagesë, ndërsa vizitorët kishin pagesë ekstra. Peshqirët merreshin tek hyrja e pishinës dhe gjithçka tjetër i lihej relaksit nën shijimin e një pamjeje në horizont. Sidoqoftë, se pasdite krijohej edhe pak rrëmujë, për shkak se hoteli organizonte ‘Happy Hour’. 

Pasditen e vonë vendosëm të vizitojmë “Museum of the Future”i cili ndodhej shumë pak minuta larg hotelit tonë. Forma e ndërtesës është futuriste dhe ndryshe nga kullat e larta që dominojnë horizontet ngado. Muzeu ka një simbolikë: Ndërtesa rrethore përfaqëson njerëzimin, pjesa e gjelbër mbi të cilën qëndron, përfaqëson tokën; ndërsa boshllëku përfaqëson të ardhmen e panjohur.

Museum of the Future, Dubai

Bileta për këtë muze kushton 149 AED/pp por pjesa e hollit dhe e dyqanit aksesohet pa pagesë. Për të parë katet e tjera më lart, nevojitet biletë.

Avocado Crunch, Sesame Salmon Bowl

E gjithë dita kaloi pa ngrënë një vakt të plotë, pasi më së shumti na pihej ujë. Temperaturat ishin të larta por jo të papërballueshme. Në darkë, rrugës për në hotel, ndaluam tek një supermarket i cili kishte këndin e tij të gatimit. Aty morëm ‘Avocado Crunch’ (sallatë me pulë, avokado dhe perime të tjera), si edhe ‘Sesame Salmon Bowl’ (me perime, oriz, salmon) – të cilat kushtuan vetëm 50 AED (~12.5 euro). Ne morëm edhe fruta të paketuara për 41 AED (~10 euro), si edhe ujë të vogël për 4 AED (~1 euro)

Pra, për referencë unë shpenzova për këtë darkë rreth ~13 euro. Vërtetë nuk po darkonim në një restorant me kuzhinë të rafinuar, por pamja e ballkonit nga Burj Khalifa ishte fantastike si edhe kuleta ime ishte shumë e lumtur.

Dita e dytë:

Mëngjesi ishte i përfshirë në çmim dhe ishte tejet i larmishëm. Cilësia ishte goxha e mirë dhe kishte shumëllojshmëri në çdo gatim. Lëngu i shtrydhur portokallit ishte i freskët dhe jo shurup i gatshëm siç haset shpesh nëpër hotele.

Breakfast at Paramount Midtown Hotel

Pasi mbaruam mëngjesin, morëm një taksi për të shkuar në Dubai Mall. Tarifa e taksisë ishte 12 AED (4 euro).

Akuariumi është një nga atraksionet kryesore në Dubai. Ai gjendet brenda Dubai Mall dhe është shtëpia e disa krijesave ujore (sic është King Croc, një zvarranik i rrallë – i gjatë mbi 5 metra e me peshë mbi 750 kg. Nëse udhëtoni me fëmijët, ky do të ishte një tur i këndshëm, mgjth bazuar mbi pritshmëritë që kisha për madhështinë që karakterizon çdo tërheqje turistike në Dubai, nuk është se u impresionova. Biletën mund ta blini në sportel por unë ju sygjeroj ta merrni online sepse shmangni rradhët e pritjes.

Vizita në Burj Khalifa
Pranë hyrjes, ndodhet sporteli ku mund të blini biletat për të vizituar katin 124 dhe 125 të Burj Khalifa. Bileta për këto dy kate kushtonin €45/pp. Nga ana tjetër, ka edhe bileta të kombinuara: Kati 124, 125 së bashku me akuariumin, kushtonin €61/pp. Biletat e ritheksoj se është më mirë t’i rezervoni online paraprakisht. Unë nuk u interesova të dija çmimin për katet më lart apo të paguaja ekstra për ‘skip the line’ sepse nëse ju kujtohet, po lexoni guidën e Armelës – always on budget 😛

Burj Khalifa, The view

Pamja nga Burj Khalifa është ekzaktësisht siç e përshkruajnë, mahnitëse! Na u deshën disa orë të mira të shijonim proçedurat raportuese me super foto e më pas, gati për drekë 😉

Bosporus Turkish Cuisine

Dreka
Vendosëm të provonim një restorant që ndodhej brenda Dubai Mall-it, i quajtur “Bosporus Turkish Cuisine”. Një nga ushqimet që na rekomanduan ishte Chicken doner durum, e cila përmbante pite të mbushur me mish pule, perime, salca, patate anësore dhe disa turshi. Këto pjata kushtuan AED 108 (rreth 28 euro), për dy persona. Ushqimi ishte shumë i shijshëm dhe shërbimi 10/10.

Kaluam disa orë në qendrën tregtare duke kërkuar për ëmbëlsira dhe suvenire e më pas shkuam në hotel për të pushuar pakëz. Në dhomë, stafi kish sjellë ujin e paketuar në shishe qelqi si edhe na ndihmoi për të bërë kafenë me makinerinë që gjendej në dhomë.

Një nga aktivitetet që mund të shihni falas në Dubai, është shfaqja e shatërvanit. Shfaqja ndodh çdo 30 minuta nga ora 6 e pasdites deri në 11 të darkës.

Përgjatë shatërvanit ka shumë turma njerëzish por lërmëni t’ju tregoj një sekret: nëse doni të shijoni pamjen më të bukur të shfaqes, shkoni brenda Dubai Mall-it dhe kërkoni për Joe’s Caffe. Në darkë pamja është magjike dhe nuk është e nevojshme të porosisni për të ngrënë, mundet edhe thjesht të merrni diçka për të pirë. Ne morëm dy pije freskuese të cilat kushtuan AED 52 (12 euro).

The Dubai Fountains
Fruit platter

Darka
 Në supermarket gjetëm disa platters (kombinime ushqimesh). Siç duket në foto, ne zgjodhëm kombinim e frutave AED 75 (boronicë, shegë, kivi, mjedër, manaferra, luleshtrydhe) si edhe sanduiç me karkaleca që kushtonin 25 AED (plus një pije falas).

Dita e tretë:

Mëngjesin e hëngrëm në hotel dhe qëndruam pak më gjatë për të shijuar kafenë dhe pamjen nga qyteti.
Jo shumë larg hotelit, rreth 12 minuta me makinë, ndodhej “La mer beach”. Plazhi ishte publik dhe nuk kishte pagesë hyrjeje. Vendosëm të kalonim disa orë aty, e më pas u drejtuam për në hotel për të bërë valixhet gati, sepse paçka dëshirës sonë për të qëndruar më gjatë, pasdite kishim fluturimin e kthimit…

Një reflektim…
Pasi rezervova biletat, shumë miq apo të afërm më thonin se Dubai është aq i shtrenjtë si qytet sa nuk do ia dilja dot. Madje, ndjeva pak nënqeshje teksa i përmendja buxhetin tim të kufizuar miqve, të cilët reflektonin dyshime se si u angazhova unë, me punën time, të udhëtoja në Dubai. Por, unë isha e vendosur që ti planifikoja gjërat saktë e në fund të këtij udhëtimi kuptova se: ndoshta nuk vizituam vendet më luksoze apo nuk hëngrëm vakte në restorantet ‘mainstream’ por, në këtë udhëtim unë mësova rreth një kulture totalisht të ndryshme nga ajo Evropiane. U bëra tok e kuventova me vendasit për të mësuar më shumë rreth botëkuptimit të tyre, e nuk privova veten ta merrja këtë eksperiencë vetëm nëpërmjet ekranit. Unë shijova gjithçka nga fare pranë, e jam e bindur se në jetë, edhe me pak para e shumë të qeshura, mund të kalohen ditë të paharrueshme, qoftë edhe në një nga qytetet më luksoze në botë, Dubai…

Dubai