Që nga dita e hënë, linjat ajrore janë detyruar të anulojnë ose të shtyjnë qindra fluturime nga dhe drejt Britanisë së Madhe. Kjo ka ardhur si pasojë e një problemi teknik në sistemin e trafikut ajror, i cili ndodhi pikërisht në një nga periudhat me më shumë fluturime për vendin.
Vetëm gjatë ditës së hënë, më shumë se 200 fluturime nga Britania dhe 271 të tjerë që ishin drejtuar drejt Britanisë janë anuluar. Ndërkohë, shumë fluturime të tjera u shtynë me më shumë se 8 orë e më pas janë anuluar plotësisht. Edhe pse hapësira ajrore britanike nuk ka qënë e bllokuar për asnjë moment, si pasojë e këtij problemi teknik ka qënë e pamundur nisja e një pjese të madhe fluturimesh nga aeroportet në Britani.
Edhe pse sipas agjensisë së trafikut ajror NATS problemi u zgjidh brenda orës 15:00 gjatë ditës së hënë, numri i madh i fluturimeve të shtyra ose të vonuara vazhdon ende të sjellë probleme. Vetëm sot, British Airlines që është detyruar të shtyjë 34 fluturime të tjera nga London Heathrow. Disa prej këtyre fluturimeve janë shtyrë për një kohë të gjatë, deri në 23 orë.
Autoritetet britanke deklaruan se një situatë e tillë e paprecedentë ndodhi si pasojë e disa planeve të fluturimit me të dhëna të gabuara, të cilat detyruan sistemin të bllokohej automatikisht për të shmangur kaosin në aeroport. Kjo do të thoshte se kontrollorët duhej të vendosnin manualisht të dhënat e fluturimeve, një proces i cili normalisht kërkon shumë kohë, gjë e cila shkaktoi dhe vonesat.
Fatkeqësisht, edhe pse linjat ajrore janë detyruar të ofrojnë ushqim dhe pije në aeroport, si dhe akomodim për fluturimet ajrore, pasagjerët që kanë patur anulime ose shtyrje fluturimesh gjatë këtyre ditëve e kanë të pamundur të kërkojnë kompensim. Kjo, pasi situata e krijuar është e paprecedentë dhe jashtë kontrollit të linjave ajrore, e rrjedhimisht nuk mund të aplikohet për dëmshpërblim.
Madje, pas kësaj ngjarje, linjat ajrore Evropiane kanë kërkuar një reformë të sistemit të kompensimeve dhe rimbursimeve. Sipas të dhënave nga ekspertë të industrisë, problemet e sistemit kanë shkaktuar rreth £100m humbje për linjat ajrore, si pasojë e kompensimeve për ushqim, qëndrim dhe udhëtimeve të tjera të ofruara.
Sipas linjave ajrore, është e padrejtë që ata të paguajnë për kompensim, ndërkohë që sistemi i trafikut ajror, i cili ka qënë edhe burimi i problemit, nuk paguan as edhe një qindarkë. Sipas tyre, duhet të gjenden mënyra se si kompensimi i pasagjerëve të paguhet nga kompanitë të cilat janë përgjegjëse për vonesat dhe anulimet e ndryshme, qofshin ato aeroportet, trafiku ajror, kompanitë e kontraktuara të menaxhimit të bagazheve etj.