Ju vonua apo anulua fluturimi? Zbuloni se cilat janë të drejtat tuaja

Rregullorja EU261 dhe Autoriteti i Aviacionit Civil garantojnë të drejtat e pasagjerëve, duke i siguruar atyre kujdesin dhe dëmshpërblimin e nevojshëm në çdo rast vonese dhe anulimi.

fluturim anulim vonese kompensim
Photo: Getty Images

Vonesat dhe anulimet e fluturimeve, sidomos pas pandemisë, janë bërë një fenomen i shpeshtë dhe që nuk pritet asnjëherë mirë nga udhëtarët. Ndërkohë që për disa një shtyrje do të thotë thjesht disa orë më pak në destinacionin e tyre, disa të tjerë janë të detyruar të humbasin takime të rëndësishme, evente ose dhe më keq. E le të mos harrojmë këtu vërdallisjen me valixhe e fëmijë nëpër aeroport, duke pritur orarin e nisjes.

Fatmirësisht, pavarësisht nëse fluturimi juaj shtyhet ose anulohet në aeroportin ku ju jeni rezident ose në vendin ku po udhëtoni, Rregullorja EU261 dhe Autoriteti i Aviacionit Civil garantojnë të drejtat e pasagjerëve, duke i siguruar atyre kujdesin dhe dëmshpërblimin e nevojshëm në çdo rast vonese, anulimi, overbooking ose uljeje të klasit të fluturimit.

Nisur dhe nga raportimet e shpeshta drejt Ema’s Light, më poshtë do të mësoni se si të veproni në këto raste.

Kur mund të përfitoni kompensim?

Pavarësisht nëse jeni duke udhëtuar jashtë ose duke u kthyer, nëse jeni duke udhëtuar në Europë, ju do të përfitoni kompensim nga linja ajrore në rastet kur fluturimi juaj anulohet, si dhe në rastet kur ju mbërrini në destinacion:

  1. 2 orë ose më shumë me vonesë në rastin e fluturimeve prej 1500km ose më pak;
  2. 3 orë ose më shumë me vonesë në rastin e fluturimeve brenda Europës më të largëta se 1500km ose fluturimve jashtë Europës midis 1500km – 3500km;
  3. 4 orë ose më shumë me vonesë në rastin e fluturimeve të tjera që nuk mbulohen nga pikat më sipër.

KUJDES: Siç mund ta shihni, ajo që ka rëndësi është orari i mbërritjes në destinacion. Pra, edhe nëse fluturimi juaj më pak se 1500km është nisur 2 orë e gjysmë me vonesë, nëse ju arrini në destinacionin tuaj 1 orë e 50 minuta më vonë sesa ora e parashikuar e mbërritjes, ju nuk mund të përfitoni kompensim. E njëjta gjë vlen edhe nëse fluturimi niset në kohë, por mbërrin në destinacion më vonë sesa është parashikuar. Pra, sipas rregullave më sipër, edhe në këtë rast ju keni mundësi të përfitoni kompensim.

Çfarë kompensimi ju takon?

Në rast se fluturimi juaj anulohet pa një lajmërim paraprak, ose vonohet siç është detajuar më sipër, ju keni të drejtën e përkujdesjes, ndaj linja ajrore është e detyruar t’ju ofrojë:

  1. Ushqim dhe pije freskuese;
  2. Dy telefonata, mesazhe, ose e-mail
  3. Në rast qëndrimi për një natë ose më gjatë, akomodim dhe transport ndërmjet vendit të akomodimit dhe aeroportit.

Edhe në rast se linja ajrore nuk ju ofron akomodim, ju mund të zgjidhni vetë akomodimin tuaj dhe të kërkoni për rimbursim nga linja ajrore. Kini parasysh se përkujdesja ofrohet në çdo rast vonese, përfshirë këtu edhe në raste jashtë kontrollit të linjës ajrore.

Për sa i përket kompensimit monetar, në rastin e anulimit ose vonesave si më sipër, ju mund të përfitoni:

  1. 250€ për fluturime prej 1500km ose më pak
  2. 400€ për fluturime brenda Europës më të largëta se 1500km ose fluturimve jashtë Europës midis 1500km – 3500km;
  3. 600€ kompensim për fluturimet e tjera që nuk mbulohen nga pikat më sipër.

Në rast se ju keni mbërritur në destinacionin tuaj pesë orë ose më shumë me vonesë nga orari i përcaktuar, ju gjithashtu keni të drejtë të rimbursoheni brenda 7 ditëve për vlerën e plotë të biletës tuaj.

Kini parasysh se, nëse juve ju është ofruar një fluturim tjetër si zgjidhje nga linja ajrore, ju do të përfitoni kompensimin në masën 50%.

Për më tepër, ky kompensim vlen vetëm për pasagjerët që kanë paguar për biletën e tyre. Pra, nëse keni udhëtuar me fëmijë të vegjël dhe nuk keni paguar biletë për ta, ju nuk mund të përfitoni kompensim në emër të tyre.

Si mund të kërkoj kompensim?

Për të aplikuar për kompensim, fillimisht duhet të plotësoni formularin në website-in e linjës ajrore me të cilën po udhëtoni. Më poshtë gjeni links për linjat ajrore kryesore që operojnë në Rinas:

  1. WizzAir
  2. Lufthansa
  3. Aegean Airlines
  4. RyanAir
  5. AirSerbia

Për linjat e tjera ajrore, ju duhet të dërgoni me e-mail drejt shërbimit të klientit informacionin e fluturimit tuaj, vonesës, faturat e hotelit dhe taksisë dhe të dhënat tuaja bankare për të marrë kompensimin.

Linja ajrore është pika juaj e parë e kontaktit për të marrë kompensimin. Nëse linja ajrore refuzon t’ju kompensojë duke cituar se vonesa ose anulimi është bërë për shkaqe jashtë kontrollit të kompanisë, ju mund të kontaktoni Autoritetin e Aviacionit Civil në e-mailin [email protected] pasi të plotësoni formularin e vonesave të gjata ose të anulimit të fluturimit të lëshuar prej tyre, ose një kompani ndërmjetësimi si SkyRights, të cilët ju garantojnë lehtësisht kompensimin që ju takon dhe do të ndjekin çështjen tuaj deri në gjyq. Nëse gjëndeni në këtë situatë, ju mund të bëni kërkesën tuaj duke plotësuar këtë formular online.

Në cilat raste nuk mund të kompensoheni?

Kini parasysh se problemet teknike të avionit NUK përfshihen në shkaqet e arsyeshme për refuzimin e kompensimit.

Edhe pse në shumicën e rasteve ju keni të drejtën e kompensimit, ka edhe raste ku ju nuk mund ta përfitoni ate. Fillimisht, nëse keni mbërritur në aeroport dhe keni bërë check-in pas orarit të rekomanduar nga linja ajrore ose më vonë se 45 minuta përpara orës së lajmëruar të nisjes, ju humbisni të drejtën e kompensimit. Gjithashtu, nëse vonesa juaj shkaktohet për arsye madhore si kushtet atmosferike, probleme ose protesta të punonjësve të trafikut ajror, sulme terroriste etj., ju nuk mund të përfitoni kompensim.

Në rastin e anulimit të fluturimit, nëse jeni njoftuar nga linja ajrore të paktën 14 ditë përpara nisjes ose nëse jeni informuar më pak se 14 ditë përpara nisjes dhe ju është ofruar një fluturim alternativ, ju nuk do të keni mundësi të përfitoni kompensim.

Sigurisht, shpresojmë që të gjithë ju të përballeni sa më pak me situata të tilla. Megjithatë, është gjithmonë mirë të dini të drejtat tuaja dhe të përfitoni kompensim maksimal për çdo problematikë që hasni gjatë udhëtimit tuaj.

Për çdo pyetje, mos ngurroni të shkruani në Ema’s Light 😊