Linja ajrore vonon apo humbet bagazhin tuaj? Ja se si duhet të veproni

Një listë hapash që do t’ju ndihmojnë të gjeni bagazhet tuaja, si dhe të merrni kompensimin që ju takon.

bagazhe humbur vonuar
Photo: Getty Iamges

Sikur të mos mjaftonte stresi i krijuar nga vonesat apo anulimet e fluturimeve, ku të gjithë na kap ankthi nëse do të arrijmë ose jo në kohë (në mos: a do ia dalim të mbërrijmë në destinacion, se mund edhe të na anulohet fare fluturimi),  kemi edhe një tjetër stres. Nëse ne vetë ia dalim të mbërrijmë në destinacion, a do t’ja dalë vallë edhe bagazhi ynë? 

Humbja e bagazhit, nuk është një ‘fjalë goje’! Udhëtimi nuk ka kuptim pa ndërresat, parfumin, shampon e çdo veshje apo send personal. Nëse nuk jeni hasur më parë me një situatë të ngjashme, paniku është i kuptueshëm e mund të hutoheni, duke mos vepruar siç duhet. 

Më poshtë, do të gjeni një listë hapash që do t’ju ndihmojnë të gjurmoni bagazhet tuaja, si dhe të merrni kompensimin që ju takon në çdo rast.

1. Merrni masa parandaluese

Siç thotë edhe shprehja popullore: ”më mirë të parandalosh sesa të kurosh”!

Bëni një foto të sendeve që do të merrni me vete në udhëtim kur jeni duke paketuar. Për të shtuar sigurinë përdorni Apple Air Tags ose pajisje gjurmuese të ngjashme, në mënyrë që të keni informacion të plotë dhe të detajuar për vendnodhjen e bagazhit tuaj. Kjo, pasi shpesh informacionet e aplikacioneve të linjave ajrore nuk janë 100% të sakta, (informacioni i saktë ndodhet vetëm në sistemin e tyre të brendshëm). Gjithashtu, nëse keni mundësi, zgjidhni fluturime direkte dhe nëse keni fluturime me tranzit, mos bëni check-in asnjë bagazh, por merrini ato me vete në kabinë. Gjasat që bagazhet të humbasin përgjatë fluturimeve me tranzit, janë më të shpeshta, sidomos kur koha e tranzitit është e shkurtër. 

2. Raportoni menjëherë, pa dalë nga aeroporti

Sapo të kuptoni se bagazhet tuaja mungojnë, raportojeni menjëherë si rast pa u larguar nga aeroporti. Raportimi mund të bëhet pranë zyrës së bagazheve të humbura në zonën e tërheqjes së bagazheve. Në këtë rast, do të plotësoni një formular të quajtur ‘property irregularity report’ (PIR). Gjatë plotësimit të këtij formulari, duhet të jeni sa më të detajuar për sendet që përmban bagazhi juaj.

Pas raportimit të problemit, do të merrni një numër reference PIR, të cilin duhet ta ruani dhe mund ta përdorni për të kontrolluar nëse valixhet tuaja janë gjetur ose nëse quhen ‘të vonuara’ apo ‘të humbura’. Në raste të problemeve me bagazhet, linjat ajrore i raportojnë ato si ‘të vonuara’ përpara se t’i quajnë zyrtarisht ‘të humbura’. Rregullat se sa kohë duhet që bagazhet të quhen të humbura, ndryshojnë në varësi të linjave ajrore.

3. Ruani çdo faturë të shpenzuar, teksa prisni bagazhin 

Nëse blini diçka për t’ja hedhur ditëve që ju mungon bagazhi – duke filluar që nga pasta e dhëmbëve e deri te kompletet e gjumit – ruani faturat. Mund t’ju duhen, kur të kërkoni kompensim. 

Kini parasysh se në rast se bagazhet tuaja janë vonuar, linjat ajrore do të kompensojnë vetëm produktet e përdorimit të përditshëm, si dhe do të mbulojnë koston e transportit të bagazhit drejt hotelit ose shtëpisë suaj. Ndërkohë, ato nuk do të kompensojnë për veshje të reja ose objekte të shtrenjta që mund të blini gjatë vonesës, për të zëvendësuar ato që ndodheshin në bagazhet tuaja.

4. Kërkoni KOMPENSIM

Pavarësisht nëse bagazhet tuaja janë vonuar ose kanë humbur, teksa ju jeni duke udhëtuar drejt një vendi të huaj ose gjatë kthimit në vendin tuaj të rezidencës, juve ju takon kompensim në bazë të Traktatit të Montrealit. Traktati është një dokument i firmosur nga pjesa më e madhe e shteteve në botë, i cili siguron kompensim në raste problematikash gjatë fluturimit.

Kërkesa për kompensim duhet bërë sa më shpejt, por limiti është 21 ditë për të kërkuar kompensim në rast se valixhja ju kthehet. Për të marrë kompensim, duhet të plotësoni formularin online pranë linjës ajrore me të cilën fluturuat, ose në rast se nuk kanë një formular, të dërgoni një letër/e-mail zyrtar. 

Në rastin e fluturimeve me tranzit me disa linja ajrore, kompensimi duhet të kërkohet pranë linjës ajrore përgjegjëse për fluturimin e fundit.

Më poshtë gjeni links për të plotësuar formularin, nëse keni udhëtuar me një prej linjave ajrore kryesore në aeroportin e Rinasit:

  1. Lufthansa
  2. Austrian Airlines
  3. British Airways
  4. Air Serbia
  5. Ryanair
  6. LOT

Një pjesë e linjave ajrore nuk kanë një formular online. Këtu përfshihen WizzAir, Albawings, Air Albania etj. Në këtë rast, jeni të detyruar të dërgoni një e-mail pranë shërbimit të klientit të kompanisë me të cilën keni fluturuar.

  • WizzAir – plotësoni të dhënat dhe dërgoni informacionin me e-mail këtu;
  • Albawings – dërgoni të dhënat tuaja në e-mail këtu dhe më pas do të kontaktoheni nga linja;
  • Air Albania – [email protected]

Ky e-mail duhet të përmbajë informacion sa më të detajuar në lidhje me fluturimin tuaj: informacione personale, numrin e fluturimit, nisja, destinacioni, data, ora, numri i boarding pass, numrin e PIR, një listë të detajuar të sendeve brenda bagazhit të humbur, si dhe informacion mbi llogarinë bankareDo të ishte perfekte të kishit ruajtur faturat e blerjes së produkteve që posedoni në bagazh, por ehh, kush mban fatura aq të vjetra… 

Sigurohuni që në e-mailin tuaj të përmendni Traktatin e Montrealit (Montreal Treaty).

Pasi të dërgoni këtë e-mail, prisni përgjigjen nga linja ajrore, e cila duhet fillimisht të dakordësojë me ju për vlerën që do të kompensohet. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, kompensimi mund të arrijë deri në 1,100€ për bagazhet e humbura ose të vonuara. Në rastin e fluturimeve midis dy aeroporteve në SHBA, kompensimi mund të shkojë deri në $3,600.

5. Drejtohuni tek kompani ndërmjetësimi

Siç tashmë e dimë, linjat ajrore do të bëjnë çmos për të vështirësuar procesin e kompensimit, ndaj nëse nuk keni sukses, konsideroni kompani ndërmjetësimi si sky-right.com , të cilat janë kompani që kujdesen enkas për të marrë kompensim, sikundër kanë profesionistë të fushës dhe fitimet e kompanisë varen direkt nga komisioni i këtij kompensimi. Gjasat për kompensim nuk janë të garantuara, por janë më të mëdha sesa kur aplikojmë vetë ne si pasagjerë. 

Shpresojmë shumë që të mos haseni me situata të tilla, por në çdo rast është mirë të dini se si të veproni dhe se çfarë ju takon, në bazë të të drejtave tuaja. 

Për çdo pyetje, mos hezitoni të na kontaktoni.