Nga 2024, ndryshojnë rregullat e udhëtimit drejt Evropës për shtetasit shqiptarë

Duke nisur nga viti i ardhshëm, shtetasit shqiptarë do të duhet të aplikojnë online në sistemin ETIAS përpara se të udhëtojnë drejt vendeve të BE dhe të zonës Schengen

etias aplikim shqiperi
Photo: Getty Images

Momentalisht, shtetasit shqiptarë mund të vizitojnë pa asnjë problem 27 vendet e zonës Schengen në Evropë, pa patur nevojë për viza ose një autorizim tjetër. Megjithatë, duke nisur nga viti 2024, të gjithë udhëtarët do të duhet të aplikojnë nëpërmjet European Travel Information and Authorisation System (ETIAS) përpara udhëtimit të tyre.

Shtetasit shqiptarë do të duhet të aplikojnë online në sistemin ETIAS përpara se të udhëtojnë drejt vendeve të BE dhe të zonës Schengen. Ky sistem regjistron hyrjet dhe daljet nga zona Schengen dhe ka nisur punën që prej vitit 2016, ndërkohë që pritet të jetë tërësisht funksional në 2024-ën, kur do të duhet të bëhet dhe aplikimi për ata që duan të udhëtojnë drejt zonës Schengen.

ETIAS lejon qëndrimin në shtetet evropiane për 90 ditë në një periudhë prej 6 muajsh, pra nuk ndryshon ligjet aktuale. Aplikimi në ETIAS është i vlefshëm për 3 vite, ose deri në momentin e skadimit të pasaportës. Kohëzgjatja caktohet automatikisht nga sistemi në momentin që lëshohet, në bazë të riskut që personi në fjalë paraqet për kryerjen e aktiviteteve ilegale në shtetet e BE.

Megjithatë, një ETIAS i aprovuar nuk garanton hyrjen në destinacion, pasi çdo udhëtar sërish do të duhet të kalojë kontrollin doganor për të verifikuar se ata plotësojnë të gjitha kushtet për të vizituar destinacionin e tyre.

Për të aplikuar për ETIAS, nevojiten të dhënat si më poshtë:

  1. Të dhënat biometrike (emër, mbiemër, datëlindja, vendlindja);
  2. Të dhëna mbi shtetësinë dhe dokumentin e identifikimit (numri i pasaportës, data e skadencës etj.);
  3. Adresa;
  4. Email dhe numri i telefonit;
  5. Edukimi dhe eksperienca e punës
  6. Shteti i parë që keni si qëllim të vizitoni;
  7.  Informacion mbi të shkuarën (dëshmi penale, informacion mbi ekspulset etj.);

Në rastin e fëmijëve, për ETIAS do të duhet të aplikojnë prindërit. Pagesa për aplikimin për ETIAS është €7 për moshat 18-70 vjeç. Personat jashtë kësaj grupmoshe nuk kanë nevojë të paguajnë tarifën e aplikimit.

Një aplikim në ETIAS mund të refuzohet për arsye të ndryshme. Ndër këto arsye përfshihen:

  1. Gabime në të dhëna;
  2. Të pasurit e një dosjeje penale ose ekspuls nga vendet e BE;
  3. Udhëtimi nga një zonë me problematika epidemie/pandemie.

Në vazhdim, pritet të ketë më shumë informacion në lidhje me procedurën që duhet të ndiqet, por edhe detaje të tjera të nevojshme, për të cilat padyshim do t’ju mbajmë të informuar.