//

Vizito Sarandën dhe Ksamilin: Guidë nga Ema’s Light

saranda ksamil guide
Photo by Ema's Light

Nëse do të përdornim një metaforë për të përshkruar Rivierën Shqiptare, do ta quanim një gjerdan me perla, secila prej tyre me veçantinë dhe bukurinë e saj. Një ndër këto perla është dhe Saranda, qyteti bregdetar në jug të Shqipërisë, ku ndërthuren plazhet shkëmbore mahnitëse, historia e pasur, mbrëmjet plot gjallëri dhe shumë më shumë. Dhe për ta bërë këtë destinacion edhe më tërheqës, vetëm 30 minuta më larg ndodhet Ksamili me plazhet e tij ranore që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.

Pavarësisht nëse po udhëtoni me një grup miqsh, çift ose edhe me familjen tuaj, Saranda ofron diçka për të gjithë. Nëpërmjet kësaj guide, ne do t’ju tregojmë se çfarë e bën Sarandën një destinacion tërheqës për të kaluar pushimet tuaja verore.

Si të shkosh në Sarandë dhe Ksamil?

Saranda është lehtësisht e aksesueshme në rrugë tokësore dhe detare. Nëse zgjidhni të udhëtoni me makinë nga Tirana, rruga zgjat rreth 3 orë e 30 minuta. Rruga e re Kardhiq – Delvinë eleminon Qafë Muzinën duke shkurtuar kohën dhe lodhjen për të arritur në qytet. Ju gjithashtu mund të shkoni drejt Sarandës me autobuz ose furgon. Nëse po vini nga Greqia, ju mund të vizitoni Sarandën duke kaluar doganën e Qafë Botës.

Një tjetër opsion nëse po vizitoni Sarandën nga jashtë Shqipërisë është nëpërmjet tragetit. Ju mund të zbrisni në aeroportin e Korfuzit dhe më pas të niseni me traget drejt Sarandës. Nëse zgjidhni tragetin express, kohëzgjatja është rreth 30 minuta dhe kushton 25€ – 30€ për person, ndërsa me traget normal udhëtimi zgjat rreth 1 orë dhe kushton 19€ – 22€.

Pasi të mbërrini në Sarandë, ju mund të shkoni me makinë ose duke përdorur autobuzat e qytetit drejt Ksamilit. Rruga zgjat rreth 30 minuta dhe, për të evituar trafikun gjatë sezonit të pikut, rekomandojmë të ndiqni rrugën e Kanalit të Çukës.

Ku të qëndrosh në Sarandë

Brenda Sarandës ka një sërë hotelesh të njohura. Një pjesë e hoteleve, nëse janë buzë detit, gjithashtu përfshijnë në çmim shezllonat.

Hotele me standard të lartë

Nëse preferoni të qëndroni në apartament ose AirBnB, Saranda ofron gjithashtu një sërë opsionesh. Gjatë fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, apartamentet nisin nga 40€ nata, por apartamentet e mira do t’ju kushtojnë minimalisht 60€ nata. Çmimet janë më të ulëta në qershor e shtator. Për të qënë sa më pranë plazhit dhe për të evituar lëvizjet me makinë, ju rekomandojmë të merrni apartamente pranë qendrës (rruga Onhezmi) dhe përgjatë rrugës Butrini ose rrugës Bilal Golemi. Kjo pasi Saranda është e ndërtuar në mal dhe një apartament në rrugën e tretë ose të katërt mund të duket afër detit, por në fakt të duhet t’i biesh rreth e qark, të ngjitësh një malore të fotë ose të marrësh makinën për të lëvizur. Personalisht kam patur një eksperiencë mjaft të mirë tek Ariana Apartment.

Plazhet më të bukura të Sarandës

saranda ksamil guide beach
Photo by Ema's Light

Nëse Saranda shquhet për diçka, janë gjiret me plazhe shkëmbore të lagura nga ujërat e kristaltë të detit Jon. Nëse nuk doni të largoheni nga qyteti, ju mund të bëni plazh në shezllonat e një prej hoteleve buzë detit.

saranda ksamil beach
Photo by Getty Images

Peizazhi ndryshon plotësisht në Ksamil, i cili konsiderohet nga të huajt si “Maldivet e Evropës”. Me rërën e bardhë, baret dhe restorantet e shumta si dhe tre ishuj piktoresk që mund të vizitohen me varkë, Ksamili është një opsion mjaft i mirë nëse po udhëtoni me fëmijë ose preferoni plazhet ranore.

Duhet të keni parasysh dy gjëra: plazhet në brendësi të Sarandës dhe të Ksamilit janë të mbipopulluara gjatë sezonit veror dhe mund të mos gjeni qetësinë që dëshironi. Gjithashtu, jeni duke humbur shumë nëse nuk zgjidhni të vizitoni plazhet më poshtë në listë 😉

saranda ksamil pulebardha beach
Photo by Ema's Light

Plazhi i Pulëbardhave ndodhet përgjatë rrugës Sarandë – Ksamil. Mund të aksesohet me këmbë ose me makinë, por kini parasysh se rruga që zbret deri në plazh është e ngushtë dhe jo e shtruar. Ndërkohë që jeni duke zbritur në plazh, do të shihni një pamje fantastike të gjirit dhe detit. Ju mund ta parkoni makinën buzë plazhit, ku do të gjeni dy restorante dhe shezllona.

saranda pasqyra beach
Photo by VisitSaranda

Plazhi i Pasqyrave është gjithashtu një opsion shumë i lehtë për t’u aksesuar, por kjo bën që të jetë dhe më popullor. Në plazh gjeni çdo lehtësi, përfshirë këtu një restorant dhe varka me pedale.

sarande ksamil shpella pellumbave beach
Photo by Ema's Light

Nëse jeni aventurierë dhe ju pëlqen hiking, nga Plazhi i Pulëbardhave ose Plazhi i Pasqyrave ju mund të vizitoni Shpellën e Pëllumbave, një tjetër gji fantastik dhe i papopulluar shumë pranë. Shpella e Pëllumbave mund të vizitohet gjithashtu me varkë. Kini parasysh se këtu gjeni vetëm një lokal, i cili momentalisht është në rikonstruksion, prandaj duhet të merrni ushqim dhe pije me vete.

saranda ksamil lukova beach
Photo by Getty Images
saranda ksamil bunec beach
Photo by VisitSaranda

Megjithatë, disa prej plazheve më të bukura të Sarandës ndodhen në anën tjetër, duke shkuar drejt Lukovës. Lukova është një fshat turistik, dhe plazhi ndodhet në një gji të gjerë me ujëra të kristaltë dhe guralecë të vegjël. Kjo e bën një destinacion perfekt për familje dhe persona që duan të shijojnë qetësinë. Në afërsi të Lukovës ndodhet gjithashtu plazhi i Bunecit, një plazh edhe më pak i njohur, i cili ngjason shumë me plazhet e Himarës dhe Dhërmiut. Plazhi është i gjatë dhe i gjerë dhe ka restorante të vogla dhe një market, duke e bërë një vend ideal për familjarë ose kamping.

saranda kakome beach
Photo by Ema's Light
saranda kroreza beach
Photo by VisitSarnda

Dy prej plazheve më të bukura të zonës, të cilët mund të vizitohen vetëm me varkë, ndodhen përgjatë rrugës drejt Lukovës. Kakomeja dhe Krorëza janë plazhe komplet të virgjëra, prandaj nëse zgjidhni t’i vizitoni, merrni ushqim dhe pije. Për të vizituar këto plazhe, mund të merrni një varkë në Sarandë.

Çfarë të shohësh në Sarandë?

blue eye saranda
Photo by Getty Images

Një prej pasurive natyrore më të bukura të Sarandës, e cila për mendimin tim është edhe një prej më të bukurave në Shqipëri, është Syri i Kaltër. Ky burim ujor ndodhet në afërsi të Bistricës dhe e merr emrin për shkak të formës kur shihet nga lart. Burimi është shumë i thellë dhe zhytësit kanë arritur të shkojnë deri në 50m thellësi e jo më tej për shkak të presionit të madh të burimit. Rregullat e ndalojnë notin në Syrin e Kaltër për të mbrojtur vlerat e tij natyrore, por shumë persona gjithsesi lahen në të. Megjithatë, kini parasysh se uji është shumë i ftohtë. Afër Syrit të Kaltër ndodhen gjithashtu bare dhe restorante, ku mund të shijoni një drekë ose një pije. Rekomandojmë të shpenzoni rreth 2 orë këtu.

saranda lekuresi castle
Photo by Kalaja e Lëkurësit

Pamja më e bukur e perëndimit në Sarandë mund të shihet nga Kalaja e Lëkurësit. Kjo kala prej vitesh shërben si restorant gjatë sezonit të verës, ku ju mund të shijoni një drekë ose darkë me muzikë live me një pamje fantastike të qytetit. Shumë pranë kalasë ndodhet gjithashtu dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve, i cili tashmë është rrënuar.

saranda butrint
Photo by Getty Images

Nëse jeni të interesuar për historinë e qytetit, pranë qendrës së Sarandës gjeni Sinagogën dhe Mozaikun e Sarandës, por absolutisht nuk duhet të humbisni qytetin antik dhe parkun natyror të Butrintit.  Butrinit ndodhet në jug të Ksamilit dhe është shpallur zonë e mbrojtur nga UNESCO. Brenda tij mund të shihni ndërtesa antike greke dhe romake të mbrojtura mjaft mirë siç janë Amfiteatri, Tempulli i Asklepit, një Akropoli e shumë ndërtime të tjera. Mundohuni ta vizitoni herët në mëngjes ose pas dreke, pasi dielli mund të bëhet i padurueshëm.  Bileta kushton 1000 Lekë dhe është i hapur çdo ditë nga ora 09:00 – 19:00.

Çfarë të bësh në Sarandë?

Saranda Promenade
Photo by Ema's Light

Nëse keni zgjedhur të qëndroni në AirBnB ose hoteli juaj nuk ofron mëngjes, ju rekomandojmë të provoni frapen me qumësht Nounou tek Pastiçeri Dolce, si dhe brioshët tek Sweesh, i cili sapo është hapur këtë vit. Byrektore Kaci pranë qendrës gjithashtu bën byrek fantastik. Një kafe te Limani, siç e do tradita në Sarandë, gjithashtu nuk është aspak ide e keqe.

saranda ice cream
Photo by Ema's Light

Ndër qytetet dhe fshatrat në Rivierën Shqiptare, Saranda dallon për aktivitetet dhe jetën e natës. Gjatë muajve të verës, qyteti gëlon nga njerëzit që shëtisin në shëtitoren e qytetit dhe vizitojnë baret, restorantet dhe klubet e natës. Në shëtitore do të gjeni dyqane suvenire, aktivitete të ndryshme, snacks, dhe herë pas here koncerte me këngëtarë shqiptarë gjatë muajve të verës.

🍸 Koktejle:

🪩 Klube nate:

Restorante në Sarandë

Restorante ‘Fine Dining’