Pavarësisht rezervave që kam për investitorët e këtyre kullave, më duhet të pranoj që tek Kompleksi Delijorgji, përvec ndërtesave me standard të lartë e infrastukturës së rregulluar si rrallë ndonjëherë në Tiranë, është krijuar edhe një pikë referimi për bare e restorante me investime shumë të këndshme.
Zbulimi i fundit ishte restorant Tokyo, përgjatë një vizite në mars të 2022-shit. Nisur nga emri i restorantit, prisja të gjeja kuzhinë Japoneze por, në fakt jo…menu-ja nuk përmbante as edhe një pjatë të vetme të tillë. Nuk di cili ka qenë qëllimi i vendosjes së emrit, mbase ndonjë nostalgji… Kuzhina ishte kryesisht mesdhetare, si edhe përmbante pjata italiane.
Për referencë, çmimi në periudhën e vizitës sime, varjonte në ~1,500-2,000L / person. Më poshtë, po ju përshkruaj disa nga pjatat e porositura:
Burrata (500L) – Burrata është një përzierje e përsosur e teksturave të kundërta, që së bashku, krijojnë një shije përmbushëse. E mbeshtjellë nga një shtresë me teksturë më të fortë, mbushja kremoze jep një përplasje ndjesish dhe një konsistencë që dallon nga djathërat e tjerë. Ndaj ata që e dashurojnë burratën, krijojnë një farë varësie 🙂
Në këtë restorant, burrata ishte e freskët dhe e shijova kombinimin me salcën e shegës, por kishte mbingarkesë të sasisë së rukolës (e cila duhet të kish qenë thjesht shoqëruese, pasi nuk porositëm sallatë me rukola.
Tartar Vici (1,100L) – tartari zakonisht përpunohet, por shërbehet me disa erëza veçmas, për t’u shtuar sipas shijes. Këtë unë e has disi rrallë në Shqipëri. Përbërësit vijnë zakonisht të miksuar gatshëm në pjatë. Sidoqoftë, ky tartar përmbante qepë, kaperi, salcë soje, të verdhën e domosdoshme të vezës, dhe shijet kombinoheshin saktë. Ç’ka nuk më pëlqeu edhe aq shumë, ishte cilësia e mishit në vetvete. Rukola apo luleshtydhja, mund edhe të evitohen.
Pasta Strozapretti (750L) – shërbyer me skampi, karkalecë, mascarpone dhe shegë (si mund të mungonte shega)…Pastat ishin realizuar mirë, amalgamimi dhe kremoziteti ishte i duhur për shijet e mia.
Linguine me salmon, edhe këto kremoze e të realizuara shijshëm
Embëlsirat: lava cake (nuk di pse i thonë sufle) dhe creme brulée, të dyja 350L.
Sheqerin e kremit brule do e doja më të karamelizuar, sidoqoftë i rekomandoj të dyja.
Alternativë e këndshme dhe ekonomike 😉
Tokyo Restaurant