Qeveria britanike ka vendosur të rrisë çmimet e vizave me 15% – 20% për udhëtarët ndërkombëtarë duke nisur nga muaji Tetor, për të siguruar fonde për pagesën e rrogave të reja të rritura në sektorin publik.
Prej datës 4 tetor, kostoja e vizës turistike gjashtë mujore drejt Anglisë do të rritet me £15 duke shkuar në £115, ndërkohë që çmimi i vizës studentore do të rritet me £127, duke shkuar në £490.
Në deklaratën e saj, qeveria thotë se këto të ardhura janë shumë të rëndësishme për funksionimin e sistemit të tyre të emigrimit dhe shtetësisë. Sipas kësaj deklarate, ky vendim është konsideruar në mënyrë të kujdesshme, duke lehtësuar barrën që do të kishte rritja e rrogave te qytetarët britanikë.
Qeveria e kishte lajmëruar paraprakisht rritjen prej 15% për çmimet e vizave të punës drejt Mbretërisë së Bashkuar gjatë Korrikut. Ndërkohë, vizat me prioritet, vizat studentore dhe çertifikatat e sponsorizimit do të shtrentjohen edhe më shumë, pasi çmimi i tyre do të rritet me të paktën 20%.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të implementojë së shpejti Autorizimin Elektronik të Udhëtimit (ETA) për udhëtarët nga vendet që nuk kanë viza me Mbretërinë e Bashkuar. Kjo leje, e ngjashme me lejen ETIAS për vendet e BE, do të aplikohet duke nisur nga tetori për vizitorët nga Katari dhe do të kushtojë £10 për çdo pasagjer. ETA do të lejojë hyrjen në vendet e Mbretërisë së Bashkuar për një periudhë dy vjeçare.
Ky autorizim do të aplikohet fillimisht për udhëtarët nga shtetet e Gjirit Persik – Bahrain, Jordani, Kuvajt, Oman, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përpara se të vendoset edhe për qytetarët e tjerë, përfshirë këtu ata që vijnë nga vendet e BE.
Nëse jeni të interesuar për të vizituar Anglinë dhe vendet e tjera të Britanisë së Madhe, ju mund të aplikoni për vizë turistike 6 mujore këtu.