Finlanda ka sjellë revolucionin e fundit në botën e udhëtimeve, duke prezantuar programin e pasaportave digjitale.
Më në 28 gusht 2023, Dogana Finlandeze njoftoi se ka nisur një program pilot, duke i lejuar udhëtarët në fluturime të caktuara, të kalojnë kontrollin e pasaportave duke përdorur Digital Travel Credentials (Kredencialet Digjitale të Udhëtimit, DTC). Në vend që të mbajnë rradhë për të kontrolluar pasaportat, udhëtarët mund të skanojnë kodin në aplikacionin e celularit të tyre, në pikat e caktuara të kontrollit.
Sipas autoriteteve, DTC është një version digjital i pasaportave fizike, me të njëjtën besueshmëri. Ai lejon kalimin e kufirit pa vonesa, duke mos vënë në asnjë moment në pikëpyetje sigurinë. Komisioni Evropian, së bashku me vendet anëtare, po punojnë për të zhvilluar DTC si pjesë të një iniciative të gjerë për të digjitalizuar identifikimin personal nëpërmjet disa shërbimeve.
Gjatë periudhës së provës, e cila zgjat deri në Shkurt të 2024-ës, pasaporta digjitale do të funksionojë vetëm në fluturimet e Finnair, ndërmjet aeroportit të Helsinki-t dhe tre aeroporteve në Mbretërinë e Bashkuar: Edinburgh, Londër dhe Manchester.
Për t’u bërë pjesë e këtij programi, shtetasit finlandezë duhet të shkarkojnë aplikacionin FIN DTC të zhvilluar nga Dogana Finlandeze, ku ata duhet të plotësojnë një formular dakordësimi, si dhe të bëjnë një foto që do të përdoret për njohjen e fytyrës. Ky proces duhet të bëhet vetëm një herë.
Pasi regjistrohen, udhëtarët duhet të japin të dhënat e udhëtimit të tyre nga 36 orë deri në 4 orë përpara fluturimit. Këto të dhëna i dërgohen Doganës Finlandeze, e cila i proceson përpara udhëtimit. Në aeroport, udhëtarët duhet thjesht të skanojnë aplikacionin e tyre. Kjo risi padyshim që do të përshpejtojë procesin e kontrollit të pasaportave, sidomos në një kohë kur turizmi në Evropë ka arritur shifra rekord.
Pas Finlandës, pritet që ky program të testohet gjithashtu në aeroportin e Zagrebit gjatë këtij viti. Megjithatë, ende nuk ka një datë zyrtare. Të dyja programet po financohen nga Komisioni i BE-së.
Ky program dhe leja e nevojshme ETIAS, janë vetëm dy prej mënyrave se si Bashkimi Evropian po përgatitet për digjitalizimin e udhëtimeve. Pritet të shohim se sa i suksesshëm do të jetë ky testim dhe se si ai do të ndryshojë të ardhmen e udhëtimeve.
Po ju, a do i besonit një pasaporte digjitale?