Faqja zyrtare e Tirana International Airport njoftoi zyrtarisht se, nga data 3 Prill 2024, do të nisin fluturimet direkte Tiranë – Amsterdam nëpërmjet linjës ajrore low-cost Transavia. Rezervimi i biletave ka nisur që tani dhe çmimet e biletave nga Tirana nisin nga €39 në vajtje dhe €69 në ardhje. Në fluturim përfshihet vetëm një valixhe dore 10kg.
Fluturimi direkt Tiranë – Amsterdam me Transavia do të kryhet dy herë në javë, ditën e mërkurë dhe të shtunë. Ditën e mërkurë ky fluturim do të kryhet pasdite, ndërsa ditën e shtunë do të operojë gjatë paradites.
Deri më tani, e vetmja linjë fluturimi direkte drejt Holandës ka qënë ajo e Tiranë – Eindhoven, e cila operohet nga Wizz Air me 5-7 herë në javë. Tashmë që ky destinacion kaq i dëshiruar është shtuar edhe nga Transavia, Holanda e Amsterdami janë shumë më të prekshme për të gjithë udhëtarët.
Nuk duhet harruar fakti se Amsterdami parashikon të aplikojë taksën turistike më të lartë në Evropë – e mbase në botë. Tarifa ditore e aplikuar për vizitorët që do të lundrojnë, do të shkojë nga 8 në 11 euro, ndërsa tarifa e qëndrimit, integruar në çmimin e dhomës së hotelit, do të rritet me 12,5%.
Linja low-cost Transavia është në pronësi të Air France dhe operon në aeroportin e Rinasit që prej 2017-ës. Transavia ka operuar kryesisht linjën Tiranë – Paris Orly, ndërkohë që për një periudhë kohe ka operuar gjithashtu edhe linjën Tiranë – Amsterdam deri në ndërprerjen e saj, për ta rikthyer sërish pas këtij njoftimi.
Pra, do bëni ndonjë plan për në Holandë në Prill të vitit që vjen? 😉
Ohh cfare lajmiiiii 🤩🤩🤩