/

Venecia, Amsterdami e të tjera qytete, ku do të duhet të paguani më shumë taksa turistike

Amsterdam
Amsterdam Canals

Është tashmë i njohur ‘boom’-i që ka prekur sektorin e turizmit, këto tre vitet e fundit pas pandemisë. Mgjth, nëse vendi ynë është i lumtur për rritjen e ekonomisë që po sjell turizmi, jo të gjitha shtetet e mendojnë njësoj. Disa prej destinacioneve kryesore për turistët në mbarë botën, po konsiderojnë masa të ndryshme për të luftuar pasojat e dëmshme të turizmit të tepruar 🙂

Përveçse gjobave të majme, shumë qytete prej vitesh aplikojnë një taksë turistësh, të cilën ju mund të mos e keni vënë re, pasi shpesh përllogaritet si pjesë e çmimit të hotelit, ose në disa raste edhe në biletën e avionit.

Nëse jeni duke udhëtuar drejt Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen, duke nisur nga viti 2024, do t’ju duhet të aplikoni për ETIAS, një leje qëndrimi turistike, e cila kushton 7€. Ju mund të mësoni më shumë rreth këtij aplikimi dhe mënyrës sesi ai funksionon në artikullin tonë.

Pas një pritjeje të gjatë, Venecia duket se do të vendosë një taksë ditore për turistët, duke nisur nga viti 2024. Pas disa shtyrjesh rreth këtij vendimi, duket se përgjatë fundjavave të pranverës dhe verës së vitit të ardhshëm, qyteti i Venecias do të vendosë këtë taksë hyrjeje për vizitorët, e cila do të kushtojë 5. Ende nuk dihen datat ekzakte se kur kjo do të ndodhë. Sipas qeverisë, kjo taksë do të përdoret për të ndihmuar qytetarët e Venecias, duke ulur kostot e mirëmbajtjes, pastrimit dhe jetesës.

Amsterdami parashikon të aplikojë taksën turistike më të lartë në Evropë – e mbase në botë. Tarifa ditore e aplikuar për vizitorët që do të lundrojnë, do të shkojë nga 8 në 11, ndërsa tarifa e qëndrimit, integruar në çmimin e dhomës së hotelit, do të rritet me 12.5%.

Barcelona aplikon një taksë turistike që prej vitit 2012, por kjo taksë mesa duket do të pësojë dy rritje të njëpasnjëshme. E para rritje erdhi këtë vit, ku duke nisur nga prilli, një person duhet të paguajë 5 për çdo natë qëndrimi në Barcelonë. Kjo tarifë do të rritet sërish në prillin e 2024, duke shkuar në 5.50 për person për një natë qëndrimi

Një tjetër qytet spanjoll që po ndjek shëmbullin e Barcelonës është gjithashtu Valencia, një prej destinacioneve të reja të Wizz Air nga aeroporti i Rinasit. Nëse keni në plan të udhëtoni drejt këtij qyteti në fund të këtij viti ose përgjatë vitit tjetër, ju do t’ju duhet të paguani nga 0,5 – 2 për person për çdo natë qëndrimi në qytet. Çmimi që duhet të paguani varet nga lloji i akomodimit tuaj (Airbnb, hostel apo hotel me 3, 4 apo 5 yje).

Tajlanda gjithashtu është në diskutime për aprovimin e një tarife prej 300 Baht (rreth 8) për të gjithë turistët. Kjo tarifë pritej të hynte në fuqi në fund të vitit 2022, por pas diskutimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga linjat ajrore, aplikimi u shty fillimisht për në Qershor të 2023-shit, e më pas për në Shtator të vitit 2023. Duket se kjo taksë ende nuk është aplikuar, por pritet që së shpejti të kemi një njoftim më të detajuar rreth saj.

Shumë shtete në Evropë kanë vendosur taksa për turistët, të cilat shpesh llogariten në bazë të netëve të qëndrimit. Disa prej shteteve të tjera që aplikojnë këto taksa prej vitesh janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia (vetëm përgjatë verës), Çekia (vetëm në Pragë), Franca, Greqia, Gjermania (vetëm në qytetet e mëdha), Hungaria (vetëm në Budapest), Holanda, Italia, Portugalia (vetëm në disa qytete),  Sllovenia, Spanja dhe Zvicra. Kësaj liste pritet t’i shtohet së shpejti edhe Islanda.

Të tjera shtete ku aplikohet kjo taksë jashtë Evropës përfshijnë Bhutanin, ishujt e Karaibeve, Indonezinë (vetëm në Bali), Japoninë, Malajzinë, Zelandën e Re dhe SHBA-në. 

*Burimi: Euronews, përpunim dhe përshtatje nga editorët e Ema’s Light.