/

Zoe Hora Dhërmi / Review

zoe hora dhermi review

E kush nuk e njeh tashmë Zoe Horën, investimin që rivitalizoi zemrën e fshatit të Dhërmiut, në kuadër të projektit të “100 fshatrave”…vendin ku fjeti Dua Lipa, fotot e instagramit në tunelin e ndriçuar…😄

Jam e sigurtë që e keni parasysh madhështinë e hotelit, me mure prej guri kombinuar me struktura moderne xhami, me motive florale në tavane tradicionale druri, me harqe, me ullinj e bimë natyrale, të gjitha këto për të mimetizuar hotelin me arkitekturën e fshatit.

E për ti dhënë një prekje moderne, shërben pishina “infinity”, e cila duket sikur shkrin malin me detin.

Sa herë e kisha parë, aq herë kisha menduar sesa bukur do të kish qenë të darkoja pranë asaj pishine. Por, nuk kisha patur kurrë fatin ta provoja si eksperiencë. Sa herë kam dashur të darkoj pranë pishinës (me apo pa rezervim paraprak), kanë qenë gjithmonë klientë të tjerë, ata që e kanë “merituar” atë vend më shumë se sa unë. Nuk u vë faj në fakt, e dua shumë Dua Lipën, por nuk i përngjasoj kurrkundi 😅 Për një arsye a një tjetër, unë nuk kualifikohesha kurrë për të qenë pjesë e atyre tavolinave.

Ndaj, si një njeri që më karakterizon vendosmëria, mendova: “po sikur të thyej algoritmin”, “po sikur të prish magjinë e zezë”, “po sikur…unë të fle një natë në atë hotel”! Pa diskutim, në këtë rast do të jem e denjë për t’u mbushur mendjen pritësve se darka buzë pishinës më takon 😃💡

E kështu, plot entuziazëm, ndërpres rrokjen e duarve, pas konfirmimit të bashkëshortit që data e menduar ishte ok edhe për të, dhe kap telefonin për të gjetur numrin e rezervimit 😍

Ëëmm, numri që del në Google qenkërka i fikur. Ok, ja të provoj të futem në website. Ahh sa intetesante, website qenka faqja e instagramit. 🙃 Epo mirë, ç’rëndësi ka! Mos u bëni negativë…

Le të marrim numrin që është vendosur në Insta, për rezervimin e hotelit. Hmm, nuk e hapkërka kush

Ne tentativën e dytë për të telefonuar kontaktin e vendosur për të rezervuar hotelin, m’u përgjigj një zotëri. Miq, unë isha realisht shumë entuziaste për të fjetur një natë në atë hotel, i cili, për nga arkitektura e dizajni, është i mahnitshëm. Nuk kam asnjë ngjyrë subjektiviteti në përshkrimin e kësaj eksperience, por e vërteta është se ajo telefonatë nuk kishte kurrfarë profesionalizmi. Asnjë “urdhëroni, po patjetër, ju mirëpresim”…

Praktikisht, në procesin e rezervimit pas asaj: “aaaalooo”, dukej sikur fshihej një njeri i ngrysur që mendonte me veten: “po ç’dua unë me këtë punë, unë vlej më shumë se kaq”.

Zotëria ishte i prerë në zhvlerësimin e telefonatës: “më dërgo detajet në WhatsApp dhe jemi ok”.

Një ditë përpara natës së mbërritjes në hotel, mendova ti telefonoj numrit të caktuar për rezervimin e restorantit. Në këtë rast, vajza që m’u përgjigj ishte e ëmbël dhe e sjellshme. I them që nesër do të flemë tek ju, ndaj do të doja të rezervoja një tavolinë pranë pishinës. Vajza përgjigjet: “ah, do e kem parasysh por nuk të premtoj dot, se varet” 😳

Hehe, buzëqesha! “Të më falësh poo, nga se varet”?! “Meqë një dhomë deluxe €280 dhe një telefonatë 28 orë më parë nuk paskërka asnjë rëndësi, të paktën të dimë nga kush u varkërka” 😅 “Eh, po varet se si do të organizohen tavolinat nga kërkesa” – shtoi vajza…

E si përfundim, dita e shumëpritur erdhi! Parkuam makinën e teksa tërhiqnim valixhen nëpër kalldrëmet e hotelit, gjejmë se ku ish vendosur recepsioni i cili nuk kishte ndonjë shenjë dalluese.

zoe hora hotel

Recepsioni: 6/10

Ishin nja katër a pesë vetë të grumbulluar tok, diç po zgjidhnin. Hymë! U desh pak të kuptonin që një klient kish hyrë në derë. Një djalë i qeshur na mirëpret, ndërsa vajza ngjitur tij vazhdoi të qëndronte me kurriz. Ishte hera e parë që përgjatë një procesi check-in, të kisha prapanicën e dikujt përpara…

Djali ishte i hareshëm. Me një stil shoqëror të tipit: ‘hey amigos’, na drejtoi për tek dhoma. Nuk morëm asnjë info rreth orarit apo vendit të mëngjesit, rreth operimit të pishinës, rreth ndonjë aktiviteti në hotel apo rreth ndonjë SPA-ja të mundshme. 

U sigurova t’i kërkoja edhe djalit, për një tavolinë në pishinë. Mbase “varet” nga ky, po bëja provat e mia 😅

Tashmë ishte momenti të relaksoheshim në pishinë…

zoe hora reception

Eksperienca në pishinë: 7/10

Ndjesia çlodhëse që provon kur je zhytur në një pishinë të freskët dhe elegante teksa shijon perëndimin e diellit, rrezet e të cilit rrahin muret e gurta të një arkitekture aq të bukur si ajo e Zoe Horës, vështirë të përshkruhet me fjalë. 

Për fat të keq, nuk do të zgjaste shumë…Ne mbërritëm në hotel rreth orës 5 të pasdites, dhe na njoftuan se në orën 18:00, pishina mbyllej e duhet të bëhej gati për darkën. Që një pishinë të mbyllet rreth orës 19:00-19:30 është normale, por…në 18:00?

Më falni por çfarë mund të bëjnë klientët në majë të fshatit të bukur të Dhërmiut, pas asaj ore?

Nxituam të porosisnim dy pije. Për referencë, një gin tonic kushtonte 1,500L dhe një vodka sour (e cila vetëm ‘sour’ që nuk ishte), kushtonte 1,200L.

Pishina ishte shumë e vogël për kapacitetin e hotelit, kishte maksimumi 7 çadra me 14 shezlone. Në një strukturë larg detit, duhet menduar patjetër se si klientët të qëndrojnë në hotel. Kjo ndihmon edhe vetë menaxhimin, sepse duke qëndruar aty, klientët do të shpenzojnë.

Nga ana tjetër, ishte gati komike të shihje peshqirët brand-uar me logon: ‘Yamato, restorant japonez’. Seriozisht?

I pimë ato cocktail-e me nxitim, edhe këtu u sigurova t’i kërkoja një djali të na rezervonte një vend pranë pishinës. Shërbim masazhi nuk kishte, as pishinë të brendshme siç shkruhet në website, por për fat ishim pa fëmijë dhe gjetëm mënyrat tona të argëtimit 😅

zoe hora pool

Dhoma: 7/10

Ne kishim dhomën Double Deluxe: €280 me mëngjes të përfshirë.

Më pëlqeu aq shumë të shihja se si ishte ruajtur forma autoktone e ndërtesave të vjetra të fshatit, duke u ndërthurur me detaje moderne siç është dritarja e madhe e xhamit, vaska në dhomë, e, në rastin e dhomës sonë: një tavan pasqyrë, por me motive ‘vintage’.

zoe hora room
Deluxe Double Room

Megjithatë, kushdo që e ka konceptuar atë hotel,  ka patur një sy me shumë gusto, por jo eksperiencë hotelerie. Kjo ndodh rëndom në fakt, strukturat në tërësi bëhen të bukura, por jo praktike.

E para: e kuptoj që tualeti me xham tërheq. I jep dhomës hijeshi e krijon iluzion hapësire. Por, edhe në çift ka PRIVATËSI! Ku është e bukura të më shohë partneri duke kryer nevojat e mia, më falni?! Kemi edhe 15 vite bashkë, nuk kam ndonjë emocion të veçantë se po më sheh im shoq teksa bëj dush. Na mjafton investimi i krevatit me pasqyrë! 😃 A mund të gjeni një opsion për të mbuluar tualetin? Kjo bëhet me ndonje grilë elektronike,  xham smart film me buton, e kushedi ç’ka nxjerrë teknologjia në 2023-shin, mjaft të kërkosh!

Një vend për të mbajtur peshqirin e duarve pranë lavamanit, mungon (edhe ky problem i përsëritur). Vend për të vendosur valixhen, nuk kishte dhe bufeja/dollapi, më ngjau jo funkional.

Ndiçimi në dhomë ishte i zbehtë, pra kishte “dimmed light”, e realisht e pata të vështirë të bëja tualetin. Është një dhomë shumë e madhe, por nuk ka asnjë pasqyrë vertikale për t’u parë (edhe kjo është praktikë e zakonshme hotelerie).

Minibari kishte pije, por kishte vetëm ujë me gaz. Absolutisht asnjë shishe ujë plastike pa pagesë.

Nga ana tjetër, problem i madh dhe i përsëritur, është mungesa e mirëmbajtjes teknike. Nuk mendoj se hotelet punësojnë staf teknik full time për mirëmbajtjen e hotelit (uroj të jem e gabuar). Një kontroll përpara se klienti të futet në dhomë, është i domosdoshëm. Ne kishim një piletë në tualet të pavendosur, si edhe atë derën e bukur të xhamit totalisht të rënë – kërrciste sa herë duhet ta hapnim apo ta mbyllnim.

Po ata shapkat e holla pa asnjë logo? Nuk takojnë me standardin dhe me çmimin e paguar për vendndodhjen e hotelit! Dukshëm, menaxhimi nuk ka njohuritë e duhura për ofrimin e një eksperience luksoze. Muret nuk mjaftojnë…

zoe hora room toilet

Tashmë, erdhi momenti i shumëpritur i darkës

Restoranti: 8/10

Po jua shuaj kuriozitetin, duke ju thënë se: JO, tavolina e rezervuar për ne nuk ishte pranë pishinës. Ishte në të njëjtin kat, por me pamje nga fshati, buzë shkallëve.

Sidoqoftë, kjo nuk na pengoi të shijonim në maksimum atmosferën tejet elegante që krijonte muzika live, me një zhanër të lehtë me violinë dhe këngë të bukura kryesisht Shqiptare.

zoe hora dinner atmosphere

Në lidhje me restorantin, menuja nuk ishte aspak serioze. Kishte njolla, zhubra dhe një shkrim të zbehtë që lexohej me vështirësi. Përshkrimet, të paktën në të tilla struktura, e mira është të jenë të sakta. Chezkake anyone?

zoe hora dinner menu

Ushqimi na shijoi! Prisja ndonjë ‘amuse bouche’, ndonjë bukë të bërë vetë, ndonjë recetë vendase, por jo.

Porcionet ishin të plota, sallata e spinaqit ishte e freskët, carpaccio e viçit e butë, si edhe fileto ‘medium rare’, ishte gatuar teknikisht shumë saktë. Vetë mishi kishte cilësi dhe shije shumë të mirë. Menuja e verërave ishte e shumëllojshme.

Pjatat erdhën më parë seç duhej, sepse nuk kishte një raport të kujdesshëm mes porosisë dhe momentit të shërbimit të pjatës.

Shërbimi: 7/10

Miq, me përjashtim të rasteve kur has arrogancë, e kam të vështirë të flas për djemtë e vajzat e shërbimit, të cilët shpesh punojnë mbi kapacitetin fizik (sidomos në punë sezonale). Ata janë fronti i parë me përballjen e klientit, i cili (le ta themi hapur), jo gjithmonë ka qytetarinë të jetë mirëkuptues apo i kujdesshëm. Shohim shpesh të njëjtin staf, nga mëngjesi e deri në darkë, të kapluar, të djersitur e dukshëm të pamotivuar. Nuk i fajësoj! Populli jo më kot thotë: “peshku qelbet nga koka”. Nëse stafi nuk ka udhëzimet e duhura, do të çedojë…

Ky ishte rasti në tërësi i Zoe Horës! Kishte një farë shkujdesjeje, demotivimi, moskoordinimi e mostrajnimi të përgjithshëm. Madje, bënim shpesh humor me tim shoq, sepse tavolina në të cilën na kishin ulur, ishte pranë kuzhinës.

Ç’nuk pamë, e ç’nuk dëgjuam…ofendime, të bërtitura, tallje të kamerierëve duke u prekur me dorë teksa ngjisnim shkallët…Gati gati, menduam se na ishte mundësuar një privilegj më i lartë se të qëndruarit pranë pishinës 😅

Kishim estradë dhe cirk falas! Këto janë pa diskutim elementë që i zgjidh veçse një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore, duke mundësuar hierarkinë dhe motivimin e duhur!

zoe hora dinner setting

Mëngjesi: 7/10

Jam hezituese për ‘notën’ e mëngjesit sepse shkurt dhe qartë: prisja shumë më tepër. Pamja është spektakolare dhe mendova se do e shijoja pa fund, por sinqerisht Valta në Qeparo (investimet nuk mund të krahasohen), e kishte mëngjesin 10 herë më të plotë, e më cilësor.

Kishte shumë grerëza!

Përmbledhje:

Arsyeja përse zgjodha ta bëj këtë shkrim në gjysmën e dytë të shtatorit, është për të provuar për të disatën herë se nuk kam asnjë interes të ndaj eksperiencën time personale për qëllim antireklame. Do të kisha dashur të gjeja më shumë njerëz, që ta donin këtë vend po aq sa edhe unë.

Por, bizneset duhet të kuptojnë që nëse nuk fillojnë të investojnë në kulturë hotelerie, por vetëm në fasadë, do të ketë klientë si unë, të cilët do të flenë në atë vend sa për të shuar kureshtjen. Nëse Zoe Hora nuk ofron asgjë më shumë nga ajo që unë mora atë natë, nuk kam asnjë interes të rikthehem për hotelin.

Do të rikthehem për eksperiencën e restorantit, më tepër si një alternim apo nëse do të dua të shoqëroj miq që nuk kanë qenë më parë.

Zoe duhet të fokusohet në qëndrueshmëri dhe në aksesueshmëri. Në një botë ku hotelet jashtë i mëshojnë aq shumë produkteve natyrale dhe të drejtave të njerëzve ‘ndryshe’, këtu nuk kemi asnjë mënyrë aksesueshmërie për personat me aftësi të kufizuara apo për mosha të mëdha.

Stop marrjes së klientit për të mirëqenë! Aq më tepër biznese, të cilën shumicën e investimit e kanë përfituar nga taksat tona. Në këtë rast, do të duhet minimumi të ndiejnë përgjegjësinë që u takon, për ofrimin e një shërbimi me raport çmim/kualitet sa më të pranueshëm!

1 Comment

  1. E ndjeva cdo fjale te këtij pershkrimi me shume obektivizem. Me pëlqen shume mënyra sesa me kembe ne toke i pershkruan, edhe pse jan resorte VIP-ash dhe mbahen si te paprekshem nga ne njerezit e thjeshte.

Comments are closed.