//

Udhëtimet drejt Islandës pritet të shtrenjtohen – dhe kjo është arsyeja

Photo: Britannica

Islanda është e njohur për shumë gjëra: ngjyrat fantastike që ofron Laguna Blu, peizazhet vullkanike dhe përrenjtë e llavës, ujëvarat dhe akullnajat e shumta, faktin që ka dyfish më shumë dele sesa njerëz dhe numrin e lartë të turistëve gjatë dekadës së fundit.

Në vitin 2009, Islanda mirëpriti 464 mijë turistë. Ky numër arriti në 2 milionë në 2019-ën, në një shtet me vetëm 360,000 banorë në një vend të vogël e mjaft të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës. Gjatë viteve të fundit, disa zona siç është kanioni Fjadrargljufur, janë mbyllur sepse mjedisi nuk mund të akomodojë dyndjet e turistëve.

Megjithatë, në një përpjekje për të mbrojtur mjedisin, qeveria islandeze zbuloi planet për shtimin e një takse turistike. Këto taksa turistike janë prezente në shumë vende të botës dhe mund të përdoren për promovimin e artit dhe kulturës (siç ndodh në Gjermani), por edhe për të mbrojtur mjedisin (në vende si Bhutani).

Ende nuk ka shumë detaje se si do të funksionojë kjo taksë. Kryeministrja islandeze Katrín Jakobsdóttir deklaroi më herët në një intervistë se taksa nuk do të jetë e lartë dhe do të implementohet fillimisht si një taksë qyteti për turistët në Islandë. Ende nuk dihet se kur do të nisë implementimi i kësaj takse.

Islanda i bashkohet një liste të gjatë destinacionesh (qytete dhe shtete) të cilat kanë tashmë ose planifikojnë të shtojnë një taksë turistike. Në vitin 2023, qyteti i Manchester vendosi një taksë prej £1 për çdo natë qëndrimi në hotel, ndërkohë që Barcelona rriti taksën ekzistuese nga €1 në €3.50 për çdo natë qëndrimi. Vitin e ardhshëm, Amsterdami do të vendosë një taksë prej 12,5% të çmimit të dhomës për çdo natë qëndrimi në hotel, ndërkohë që në Venecia do të aplikohet taksa e hyrjes prej €5 duke nisur nga viti i ardhshëm.