Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Britaninë e Madhe. Sipas Metro, në një raport të lëshuar më herët nga policia e Essex, rreth një vit më parë, një pilot i Ryanair, i cili kishte nisur fluturimin nga aeroporti i Stansted në Londër, arriti të dallonte një objekt të zi që po fluturonte në një lartësi rreth 1200 metra. Raporti është publikuar vetëm tani, pas një kërkese nga tabloidi Metro.
Objekti po fluturonte rreth 20 metra larg avionit në drejtim veri-jug, teksa avioni po fluturonte me një shpejtësi 370km/h. Sipas raportit të policisë, thuhet se ky objekt mund të ketë qenë një dron, por, nga ana tjetër, pajisjet e monitorimit të dronave në aeroport nuk kanë arritur të dallojnë asnjë dron në ajër gjatë periudhës që avioni ishte duke fluturuar.
Një tjetër UFO është regjistruar në aeroportin e Stansted gjatë vitit të kaluar. Ky objekt është raportuar nga tre avionë të ndryshëm. Dy prej pilotëve thonë se ai është dalluar nga sistemet e sigurisë së avionit në një lartësi rreth 150 metra, pak para uljes së avionit. Megjithatë, në të dyja rastet, pilotët nuk kanë arritur ta shohin objektin.
Më herët këtë vit, një person në Colchester ka raportuar se ka parë një UFO me formë ovale, pa ngjyrë metalike dhe pa asnjë dritë ose shenjë të dallueshme. Ai thotë se objekti nuk dukej si një objekt fluturues klasik dhe se nuk beson se ai ishte një dron.
Gjatë viteve të fundit, kemi patur një numër të lartë të raportimeve të objekteve fluturuese të paidentifikuara. Në rast se i keni harruar, gjatë këtij viti Pentagoni publikoi gjithashtu edhe video top secret të UFO-ve të identifikuara nga ushtria amerikane, me shefin e zyrës së UFO-ve të Pentagonit që tha se ekzistenca e alienëve mund të jetë e vërtetë. Duke marrë parasysh këto, çfarë mendoni se mund të ketë qenë objekti që kanë fluturuar pranë avionit të Ryanair?