I ndodhur në zemër të Shqipërisë, me natyrën piktoreske, historinë e pasur dhe bujarinë vendase, Berati mirëpret vizitorë përgjatë gjithë vitit. Qyteti i “një mbi një dritareve” (jo 1001 dritareve 😂) është një prej siteve botërore të mbrojtura nga UNESCO, ku mund të përhumbeni në rrugicat e kalldrëmta qindravjeçare.
Lumi Osum e ndan qytetin e Beratit në dy pjesë, Gorica dhe Mangalem, të lidhura me njëra-tjetrën nga ura e Goricës. Mangalemi është zemra e qytetit, ku përgjatë bulevardit do të gjeni një sërë hotelesh, baresh e restorantesh për të kaluar kohën. Por, përveç shtëpive karakteristike e ushqimit të mirë, në Berat do të keni mundësi të shijoni disa nga peizazhet më të bukura të Shqipërisë në Belsh dhe Roshnik.
Si të mbërrini në Berat?
Rruga drejt Beratit nga Tirana zgjat rreth dy orë dhe kalon përmes Elbasanit. Mund të shkoni gjithashtu nga Durrësi, por duke kaluar nga Elbasani do të keni mundësi të shijoni dhe një kafe ose drekë buzë liqenit të Belshit, si dhe një prej rrugëve më panoramike dhe më të bukura të Shqipërisë. Nëse nuk keni makinën tuaj, një makinë me qira do t’ju kushtojë rreth 50-60€ dita, ndërsa bileta e autobusit nga Tirana drejt Beratit kushton 500L. Nga stacioni i autobusave të Beratit mund të shkoni drejt qytetit me autobuz ose taksi.
Ku të qëndroni në Berat?
Çfarë të vizitoni në Berat?
Berati shtrihet në kodrën e Goricës, rrëzë malit të Tomorrit, i cili të mahnit me madhështinë e tij sapo i afrohesh qytetit. Sipas legjendave, Tomorri dhe Shpiragu, dy vëllezër, u dashuruan me të njëjtën vajzë, Osumin. Kur ata e morrën vesh këtë gjë, Tomorri e preu Shpiragun me shpatë, ndërsa Shpiragu e gjuajti Tomorrin me top, duke i lënë gropa. Ndërkohë, lotët e vajzës rrodhën, derisa u shndërruan në lumin Osum.
Dy lagjet karakteristike të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, kanë prejadhje të ndryshme historike. Gorica njihet si lagjja e krishterë e qytetit, ndërsa Mangalemi si lagjja myslimane. Si rrjedhojë e kësaj ndarjeje, Mangalemi morri zhvillimin kryesor gjatë pushtimit osman, periudhë në të cilën u ndërtuan shtëpitë karakteristike, të cilat i japin dhe Beratit emrin e tij. Lagjet janë të lidhura nëpërmjet urës së Goricës, e cila me 7 harqet e saj të jep mundësi për foto fantastike.
Në majë të kodrës është e ngritur si kurorë kalaja e Beratit, më e madhja në Shqipëri. Në fakt, kjo kala është nga të paktat që ende banohen. Për këtë arsye, në brendësi të kalasë do të gjeni një sërë baresh, restorantesh, hotelesh, si dhe gjallërinë që të japin fëmijët që luajnë me top në rrugica.
Disa prej monumenteve më të rëndësishme historike të Beratit ndodhen brenda kalasë. Këtu do të gjeni Muzeun Etnografik të Beratit, si dhe Muzeun Ikonografik Onufri. Ky i fundit ndodhet brenda katedrales Fjetja e Shën Mërisë. Brenda tij do të gjeni altarin origjinal të restauruar në 1797, ndërsa më tej do të gjeni ikona dhe piktura të shekullit XVI-XVII. Disa prej këtyre ikonave janë të pikturuara nga vetë Onufri. Hyrja në Muzeun Ikonografik Onufri kushton 400L
Ndërkohë, Muzeu Etnografik të jep mundësinë të prekësh nga afër jetën e një familje tradicionale të Beratit gjatë kësaj periudhe. Hyrja në Muzeun Etnografik kushton 300L.
Brenda mureve të kalasë së Beratit ndodhet gjithashtu dhe Kisha e Shën Triadhës. E ndërtuar në shekullin XIII, kjo kishë e vogël bizantine është një prej më të bukurave në vend, duke ofruar një pamje spektakolare të Beratit.
Brenda Kalasë ndodhen gjithashtu dhe dy xhami, Xhamia e Kuqe dhe Xhamia e Bardhë, të cilat e marrin emrin nga gurët me të cilët janë ndërtuar. Të dyja xhamitë tashmë janë të rrënuara, ndërsa ende është ruajtur minareja e Xhamisë së Kuqe.
Në mbrëmje, mund të shëtisni buzë Osumit përgjatë Mangalemit dhe Bulevardit Republika, ku mund të kaloni mbrëmjen në një nga baret e restorantet e qytetit.
Në afërsi të Beratit ndodhen gjithashtu një sërë fshatrash dhe bukurish natyrore që duhet të vizitohen. Roshniku është një fshat rrëzë malit të Tomorrit, ku duhet patjetër të shijoni një drekë në ajër të pastër. Rruga drejt Roshnikut zgjat rreth 25 min.
Lumi i Osumit zgjatet përtej Beratit në zonën e Skraparit. Nëse keni kohë, mund të vizitoni Kanionet e Osumit në afërsi të Çorovodës, teksa kaloni përmes Poliçanit. Për aventurierët, rafting në Kanionet e Osumit është një prej eksperiencave më unike dhe sfiduese, të cilën jua sugjerojmë të mos ta humbisni.
Sugjerime për restorante në Berat
Me arkitekturën e tij mahnitëse, historinë e pasur dhe atmosferën mikpritëse, Berati është një destinacion ideal për t’u vizituar gjatë një fundjave, qoftë për çiftet, por edhe për familjet. Pa kuptuar, do e gjeni veten duke u përhumbur në historitë që burojnë nga çdo rrugicë, si dhe në peizazhet që mund të ofrojë vetëm kjo zone. Për mua, Berati është një qytet që nuk duhet ta humbisni 🙂