Mijëra fluturime drejt aeroporteve kryesore të Parisit pritet të anulohen gjatë muajve Janar dhe Shkurt të 2024-ës, teksa autoritetet franceze shprehen se po ndryshojnë sistemin e kontrollit të afrikut ajror.
Momentalisht, kontrolli i trafikut ajror në Francë mbështetet mbi një sistem të ndërtuar në vitet ’70, i cili ende përdor letra për shfaqur informacion për fluturime të ndryshme. Edhe pse ky sistem është përmirësuar vit pas viti, planifikohet që ai të ndryshohet plotësisht në fillim të vitit 2024, si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të trafikut ajror.
Teksa aeroportet nisin përdorimin e sistemit të ri, priten problematika për pasagjerët gjatë dy muajve të parë të vitit. Më shumë se 2.5 milionë fluturime kalojnë përmes hapësirës ajrore franceze çdo vit dhe një ndryshim i tillë mund të sjellë problematika për shumë fluturime brenda Evropës. Gjatë kohës që punohet për ndryshimin e sistemit, pritet që rreth 16,500 fluturime të anulohen, sipas burimeve të medias franceze BFM.
Ndërmjet 9 janarit dhe 14 shkurtit, linjat ajrore janë paralajmëruar nga autoritetet franceze që të ulin numrin e fluturimeve drejt aeroporteve të Parisit si Charles de Gaulle, Orly, Le Bourget dhe Beauvais me 20%. Momentalisht, Ryanair dhe Wizz Air operojnë fluturime direkte nga Tirana drejt aeroportit të Beauvais.
Gjatë kësaj periudhe, sistemi i ri do të testohet në qendrën e trafikut ajror në Athis-Mons, e cila është më e madhja në Francë dhe menaxhon të gjitha aeroportet e Parisit dhe Beauvais.
Ende nuk dihet se cilat fluturime do të anulohen nga linjat ajrore, por pritet që t’ju jepet prioritet fluturimeve të distancave të gjata. Zëdhënësit e grupit Air France-KLM janë shprehur në mediat franceze se janë detyruar të anulojnë më shumë se 4,200 fluturime të distancave të shkurtra dhe të mesme gjatë kësaj periudhe. Për të ulur impaktin e këtyre problematikave, ky grup linjash ajrore i ka anuluar fluturimet dhe i ka lajmëruar pasagjerët paraprakisht, duke i ofruar atyre fluturime të tjera në të njëjtën ditë.
Qeveria franceze po investon rreth një miliardë Euro për të përmirësuar sistemin e kontrollit ajror të Francës, në mënyrë që të përballojë fluksin në rritje të fluturimeve dhe për të rritur efikasitetin.
Burimi: Euronews – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light