Wizz Air ka njoftuar se ka tërhequr disa aviona Airbus nga shërbimi, si pasojë e problemeve të motorëve nga kompania Pratt & Whitney. Linja ajrore është detyruar t’i dërgojë këto aviona për të kryer shërbimet e nevojshme, duke i hequr ata përkohësisht nga flota e tyre. Kjo pritet të ndikojë edhe në kapacitetin e linjës, me numrin e reduktuar të avionave që mund të sjellë ndryshime në programet e fluturimit të Wizz Air.
Sipas ekspertëve, në motorat e avionave të Wizz Air të prodhuar nga Pratt & Whitney, janë gjetur mbetje mikroskopike metalesh, të cilat mund të përplasen dhe të sjellin probleme gjatë fluturimit. Fillimisht, autoritetet rregullatore të fluturimeve i kanë kërkuar linjave ajrore që ky problem të kontrollohet dhe të zgjidhet në mirëmbajtjen e ardhshme të planifikuar për avionët. Megjithatë, në një lajmërim të dytë, është kërkuar që këta aviona të shkojnë sa më shpejt për kontroll, si pasojë e riskut që mbartin gjatë fluturimit.
Për zgjidhjen e këtij problemi, duhet që motori të hiqet nga avioni, të çmontohet plotësisht, të pastrohet dhe më pas të montohet e të vendoset sërish në avion. Si rrjedhojë, Wizz Air është detyruar të dërgojë 45 aviona për mirëmbajtje të parakohëshme, duke nisur nga 15 janari. Inspektimi dhe rregullimi i një avioni mund të zgjasë deri në 60 ditë. Pritet që procesi të përfundojë plotësisht brenda 18 muajsh, pra në qershor ose korrik të 2025-ës.
Avionët e prekur nga ky problem janë kryesisht të tipit Airbus A321neo. Wizz operon disa avionë të këtij lloji në Shqipëri. Megjithatë, nuk dihet se si ky problem do të afektojë planet e fluturimeve në vendin tonë.