Gjatë ditëve të fundit, disa pasagjerë të Ryanair kanë raportuar se iu është dashur të paguajnë deri në €25 për të rezervuar sediljen e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi të shkarkojnë një boarding pass digjital. Sipas tyre, opsioni tjetër i vetëm ishte që ata të mbanin rradhë pranë desk-ut të Ryanair në aeroport.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Në deklaratën e Ryanair thuhet se “të gjithë pasagjerët kanë mundësi të paguajnë për të rezervuar sediljen e tyre, por nëse preferojnë, mund të zgjedhin pa pagesë opsionin e një sediljeje të caktuar në mënyrë rastësore.” Megjithatë, pasagjerët janë ankuar në rrjetet sociale se, nëse zgjedhin opsionin me sedilje rastësore, atyre i shfaqet vetëm opsioni për të marrë boarding pass të printuar në aeroport.
Lexoni më shumë:
Linjat “low-cost” si Wizz Air e Ryanair, mund të heqin përgjithmonë tarifat për bagazhet e dorës!
Sipas pasagjerëve, e gjithë kjo situatë është “skandaloze”, pasi është e papranueshme që ata të jenë të detyruar të qëndrojnë në rradhë për rreth 30 minuta në aeroport, vetëm që kompania ajrore të fitojë disa para më shumë për çdo biletë. Sipas tyre, kjo politikë nuk ka qenë aplikuar më herët nga Ryanair dhe i bën ata të ndihen të detyruar për të rezervuar një vend, vetëm që të kenë një komoditet bazik përpara fluturimit të tyre.
Pjesa më e madhe e linjave ajrore, i lejon pasagjerët të bëjnë check-in online përpara fluturimit. Pasi check-in konfirmohet, pasagjerët kanë mundësi të shkarkojnë boarding pass-in e tyre online dhe më pas të zgjedhin nëse duan ta printojnë ose jo atë. Normalisht, nëse kanë dëshirë, pasagjerët mund të presin në rradhë në aeroport për të marrë boarding pass-in e tyre të printuar, por kjo mbetet një zgjedhje. Pavarësisht preferencës së pasagjerëve, thuajse asnjë prej linjave ajrore nuk tarifon ekstra që pasagjerët të marrin paraprakisht boarding pass-in e tyre.
Lexoni më shumë:
A do të qëndronit në këmbë në avion për një biletë më të lirë?
Kompanitë low-cost të fluturimit si Ryanair dhe Wizz Air mbajnë të ulët çmimin e biletave duke vendosur tarifa shtesë për çdo shërbim ekstra, që nga bagazhet e deri te sedilja e rezervuar apo ushqimi në bord. Mënyra se si këto tarifa “fshihen” nga linjat ajrore, ka tërhequr vëmendjen e parlamentit evropian, i cili ka kërkuar që, ndër të tjera, të gjitha linjat ajrore të përfshijnë në biletat e tyre edhe një valixhe dore pa pagesë.
Ekspertët thonë se ky rast duket si një gabim i sistemit të brendshëm të Ryanair. Sipas tyre, nëse Ryanair vendos vërtetë kosto ekstra për boarding pass elektronik, atëherë ata duhet të punësojnë shumë më tepër staf nëpër aeroporte, duke rezultuar në humbje për kompaninë.
Ryanair ka një reputacion mjaft negativ në vendet evropiane, si pasojë e tarifave të fshehura ose gabimeve në sistem, që shpesh i kushtojnë pasagjerëve para. Kjo histori shërben vetëm si një tjetër shembull i praktikave që kanë kohë që përdoren nga kompania.
Po ju, a keni fluturuar me Ryanair? Si ka qenë eksperienca juaj deri më tani? Jeni përballur me të tilla problematika?
Burimi: BBC News, përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light