Linjat “low-cost” si Wizz Air e Ryanair, mund të heqin përgjithmonë tarifat për bagazhet e dorës!

Bagazhet e dores
Photo: Getty images

Lufta për të drejtat e pasagjerëve në Evropë vazhdon. Bashkimi Evropian po shqyrton standardizimin e rregullave për bagazhet e dorës, në mënyrë që të adresojë praktikat e paqëndrueshme.

Rezoluta e propozuar, u depozitua në fund të muajit shtator 2023, dhe sugjeron eliminimin e tarifave shtesë dhe përcaktimin e dimensioneve dhe peshës standarde për bagazhet.

Sipas një deklarate të Parlamentit Evropian të lëshuar më 4 tetor 2023, “Legjislacioni i BE-së për të drejtat e pasagjerëve ajrorë, duhet të rishikohet për të dhënë një zgjidhje përfundimtare“, duke siguruar që pasagjerët që fluturojnë me linja ajrore të ndryshme, apo ata që duhet të ndryshojnë linja në tranzit, të mos hasin rregulla konfuze dhe jokonsistente në lidhje me tarifat e bagazheve të dorës.

BE po u kërkon linjave ajrore të japin informacion të qartë mbi tarifat shtesë, siç janë tarifat e bagazheve dhe përzgjedhjes së sediljeve. Në mocionin e rezolutës thuhet: “Harmonizimi për të gjitha linjat ajrore që operojnë në Bashkimin Evropian, në lidhje me rregullat për madhësinë, peshën dhe llojin e bagazheve të dorës apo bagazheve stivë, do të rriste transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit për të gjithë udhëtarët ajror.”

Për më tepër, rezoluta u bën thirrje vendeve evropiane të zbatojnë një vendim të lëshuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në vitin 2014, në lidhje me bagazhet e dorës.

Gjykata ka përcaktuar se bagazhi i dorës është një artikull thelbësor për pasagjerët dhe nuk duhet t’i nënshtrohet tarifave shtesë, me kusht që t’i përmbahet kufizimeve standarde të peshës dhe madhësisë, dhe të jetë në përputhje me rregullat përkatëse të sigurisë.

Implikimet për linjat ajrore “low-cost”?

Zakonisht, njerëzit priren të besojnë se fitimet e linjave ajrore mbështeten kryesisht në çmimet e biletave. Megjithatë, në shumë raste, veçanërisht për linjat “low-cost”, fitime të konsiderueshme gjenerohen nëpërmjet shërbimeve shtesë si: lloji i bagazhit, preferencat e sediljeve, ushqimet gjatë fluturimit dhe çdo blerje tjetër që mund të bëhet përgjatë fluturimit.

Rishikimi i rezolutës së propozuar dhe ndalimi i mundshëm i tarifave të bagazheve të dorës, mund të rezultojë në ulje të të ardhurave për kompanitë evropiane “low-cost” si Ryanair, Wizz Air dhe easyJet, ndër të tjera. A do të bëjnë rezistencë? Si mendoni?