Me arkitekturën e tij në formë vele, Burj Al Arab është shndërruar që prej vitit 1999 në një prej godinave ikonike të Dubait, duke vendosur një standard të ri sa i përket hotelerisë në mbarë botën. Burj Al Arab ka një raport prej 8 punonjësish për çdo pushues në hotel, darkuesit shkonin drejt restorantit Al Mahara me nëndetëse dhe thuajse 2.5 ton ar u përdorën për të veshur interierin maksimalist. Kjo ishte hera e parë që një hoteli i jepej një vlerësim prej 7 yjesh.
Thuhet se ky vlerësim erdhi nga një gazetar, që e përdori këtë frazë për të thënë se Burj Al Arab ishte një hotel në një nivel komplet ndryshe, larg çdo hoteli tjetër të asaj kohe. Edhe pse askush nuk e di se ku është publikuar ky lajm për herë të parë, shumë media zgjodhën të përdorin këtë vlerësim për hotelin.
Që prej inagurimit të Burj Al Arab, asnjë hotel tjetër nuk ka merituar nga gazetarët ose vlerësuesit epitetin si hotel me 7 yje. Madje, disa hotele janë munduar ta përdorin këtë titull në favorin e tyre. Një resort në ishujt Turks & Caicos pranë Bahamasit quhet Seven Stars Resort & Spa, ndërkohë që në Indi, rrjeti i hoteleve Oberoi njoftoi se do të ndërtonte disa prona që do ta meritojnë vërtetë vlerësimin prej 7 yjesh.
Cinikët mund të mendojnë se ideja e një hoteli me 7 yje është vetëm një gënjeshtër marketingu dhe jo një vlerësim i vërtetë. Në fakt, ky nuk është një supozim dhe aq i gabuar, pasi asnjë vlerësues zyrtar hotelesh nuk përdor një shkallë vlerësimi që ka 6 apo 7 yje. Madje, një pjesë e mirë nuk përdorin fare yje.
Disa prej vlerësuesëve më të njohur si Forbes dhe AAA përdorin yje dhe diamante. Ndërkohë, lista e sapo publikuar e 50 hoteleve më të mira në botë nuk përdor aspak yje, por i rendit hotelet në bazë të votave të një paneli anonim ekspertësh. Kompania Michelin gjithashtu ka zbuluar plane për të krijuar një vlerësim zyrtar për hotelet. Pritet që ata të vlerësojnë 5000 hotele në 120 shtete të botës gjatë viti 2024, duke akorduar çelësa (njësoj si yjet e restoranteve Michelin) për të vlerësuar standardet e hoteleve në bazë të kritereve të ndryshme.
Ndërkohë që hotelet me 7 yje duken më shumë si një trillim, vlerësimet me 5 yje janë njëkohësisht mjaft subjektive. Vlerësimet e para deri në 5 yje janë krijuar në 1950 nga Exxon Mobil, kompania amerikane e naftës, e cila krijoi guidën e saj për hotele për shoferët. Në këtë guidë, hotelet vlerësoheshin nga autorët në një shkallë nga 1 në 5 yje.
Krijimi i kësaj guide u përqafua menjëherë nga hotelet, të cilat nxituan për të përmirësuar shërbimin e tyre dhe për t’u shtuar në guidë. Kjo praktikë u ndoq dhe nga vendet e tjera si Britania e Madhe, Zvicra, Franca dhe Zelanda e Re, të cilat krijuan sistemin e tyre kombëtar të vlerësimit të hoteleve. Megjithatë, nuk ka asnjë organ ndërkombëtar që mbikqyr kriteret e vlerësimit të secilit shtet, duke bërë që standardet të jenë mjaft të ndryshme nga hoteli në hotel.
Ka patur disa tentativa për krijimin e një sistemi global të pavarur për vlerësimin e hoteleve. Prej vitit 2009, sistemi Hotelstars përdoret në disa shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu Austrinë, vendet Baltike, Gjermaninë, Greqinë, Maltën, Hollandën, Zvicrën, etj. Ky sistem ka kritere të qarta për secilin nga vlerësimet, të cilat mund t’i gjeni këtu. Gjithashtu, në faqen zyrtare mund të gjeni listën e hoteleve me 5 yje në të gjitha vendet që përdorin këtë sistem vlerësimi.
Problemi kryesor me vlerësimin e hoteleve me yje është që nuk ka interes (dhe përfitimin monetar) nga asnjë hotel që ky vlerësim të jetë publik. Vlerësimi në shumë vende mbetet jotransparent dhe hotelet kanë mundësi të vetëvlerësohen në organizata të pavarura, duke marrë numrin e yjeve që dëshirojnë.
Ky problem është edhe më evident në vendin tonë, ku ende nuk ka një sistem të standardizuar vlerësimi për hotelet. Siç mund të keni parë edhe në shumë review të Ema’s Light, shumë hotele me 5 yje nuk përmbushin as standardet e hoteleve me 3 apo 4 yje në botë.
Në fakt, në 2015-ën, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit (sot Ministria e Turizmit dhe Mjedisit) mori përsipër hartimin e një ligji për standardizimin e vlerësimit të hoteleve dhe zonave turistike, si dhe ngritjen e një inspektoriati mbikqyrës për dhënien e vlerësimeve për hotelet. Pritej që, pas hartimit dhe miratimit të vendimit, të gjitha hotelet e regjistruara në vend t’i nënshtroheshin procesit të standardizimit të vlerësimit. Standardizimi do të përfshinte 421 kritere vlerësimi, nga kushtet e higjienës e deri te gatimi, pajisjet dhe shërbimi ndaj klientit. Ky sistem, fatkeqësisht, ende nuk ka hyrë në fuqi, duke bërë që të ngrihen një sërë hotelesh me 5 yje fiktivë, të cilat shërbejnë vetëm për të “justifikuar” çmimet e kripura, e jo për të garantuar një eksperiencë të kënaqshme për pushuesit.
Po ju vetë, a mendoni se një standardizim i vlerësimit të hoteleve do të kishte një ndikim pozitiv në industrinë e turizmit dhe mikpritjes në Shqipëri?
Burimi: AFAR & Revista Monitor – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light