Hotel Apollon / Review

Shkrim i muajit gusht 2020

Të zgjedhësh hotel në Sarandë duket e thjeshtë, por në fakt për këdo që kërkon standard, zgjedhja është shumë e vështirë. Sezoni korrik-gusht është pa diskutim i shtrenjtë, por për këtë le të shkruajmë diku mënjanë. Problemin e kam me raportin çmim/cilësi (kurrësesi me çmimin në vetvete). Para se të filloj me përshtypjet e këtij hoteli, po ju listoj vendet për te cilat pyeta para se të zgjidhej qëndrimi te Hotel Apollon:

Datat 30 korrik për 3 netë (2+1):

– Harmony Hotel: 7,500 lekë/nata
– Hotel Apollon: €90/nata
– Andon Lapa Suites: €120/nata
– Poda Boutique Ksamil: €140/nata
– Glow Boutique (pa ballkon): €140/nata
– Hotel Demi: €150/nata
– Bouganville Bay: €195/nata

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Dhomat: Standard 3* – kishte hapësirë dhe pastërti, gjithçka shumë komode. Hoteli mundësonte baby cot. Pamja nga deti ishte shumë e bukur.

Parkimi: i mundësuar nga hoteli, i rregullt dhe kishte disponueshmëri në çdo kohë.

Mëngjesi: ishte “buffet” dhe le të themi që përmbushte pritshmëritë. Vezët sy ishin të mbigatuara dhe vezët e rrahura ishin të zhytyra ne vaj. Sidoqoftë mbuloheshin mirë nevojat e mëngjesit (edhe pse për një natë që kushton 80-100€ pres më shumë).

Lexoni më shumë:

Shërbimi: i kenaqshëm. Dukej qartë që hoteli ishte i menaxhuar familjarisht. Përpjekjet ishin maksimale, paçka standardit mesatar.

Ambientet e jashtme: hoteli nuk ishte “kids concept”. Problemin më të madh e kisha me sipërfaqen përpara hyrjes së hotelit, ku fëmijët mund të vraponin direkt për në rrugën e makinave. Nuk kishte lojëra për fëmijë dhe hoteli nuk përmbante pishinë (në rast se ju duhet si informacion).

Vendndodhja: jo ideale – larg qendrës (të duhet makinë të lëvizësh), si dhe i pozicionuar në një vend plot ndërtime e zhurmë.

Pjesa e plazhit: nuk përmbushi aspak pritshmëritë tona. Plazhi privat në shërbim të hotelit ishte rezervuar në një platformë të ngritur në cep. Dukej sikur po bëje plazh në rrugë, fëmijët e vegjël duhet të zbrisnin me shkallë që të shkonin në det. Prindërit nga shezlongu nuk i monitoronin dot të vegjlit.

Restoranti: ushqim mesatar, menu standarde jugu, gatim i pastër, por asgjë për t’u veçuar. Çmimet të larta.

Për ta përmbledhur: ky ishte një hotel i cili në korrik kushtonte 80-100€/nata – edhe pse pretendohet të ketë 4*, për mua ishte hotel mesatar. Këtë çmim do kisha preferuar ta paguaja aty ku do të gjeja një vend të përshtatshëm familjar, si edhe të bëja plazhin në hotel pa qenë nevoja të lëvizja.
Ne plazhin e bëmë më së shumti në Ksamil, ndaj sugjeroj që nëse doni të bëni plazh në vende të ndryshme në Sarandë, të mos shpenzoni për hotel buzë detit.