//

Terra Restaurant Tirana / Review

Lollipops qengji @Terra

Faktit që tek ne ka ende mungesë të theksuar profesionalizmi, nuk i fshihemi dot sado patriotë të jemi. Ndaj, kur personalisht dëgjoj për çeljen e një rrjeti hotelerie në Shqipëri, entuziazmohem. Ndryshe nga mënyra jonë e shpenguar e të punuarit, ku jemi krenarisht jo perfeksionistë në: “hë mo mooo, po ç’bëri aman…”, në fakt diferencën e BËJNË vërtetë detajet!

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Por, detajet në rastin e rrjeteve të hoteleve internacionalë, përkthehen në protokolle të cilat shqyrtohen mirë përpara se të caktohen e, mos zbatimi i tyre nuk pranohet lehtë nga bordi.

Kur ndodh të bëhen rrjetet e hoteleve jo edhe aq profesionalë në vendin tonë? Eh, po kur gërshetohen me menaxhim vendas, sigurisht!
Se në fakt…e duan rrjetet e shkreta një vendas të fuqishëm për të marrë leje ndërtimi, po edhe për të mos iu nxirë jeta me gjoba të paqena, po qoftë edhe për të patur njëfarë sigurie (siguri i thënçin…), se duke patur mbështetje vendase, do të kenë stabilitet financiar. Ata duan të shkretët, duan të paguajnë taksat një më një, por ligji ynë tatimor ndryshon nga 2 herë në vit e ndaj kanë frikë të penetrojnë 😅

E për t’u kthyer te restorant Terra, pa i hyrë shumë të thellave, duke qenë restoranti i hotelit Marriot në Tiranë, pritshmëritë i kisha të larta.

Vendndodhja: 10/10

Në drekën e një të shtune të vranët, parkuam tek Air Albania dhe u ndalëm për një vakt të shpenguar. Restoranti ndodhet në qendër të Tiranës, ndaj vendndodhja është mjaft komode.

Ambienti: 9/10

Ambienti është tipik i një restoranti hoteli me standard të lartë. Me një interier modern, më pëlqeu fakti që edhe pse ka atë elegancën që të ofron Marriott, ishte sa komod aq edhe i ngrohtë në ndriçim. U ulëm tek tavolinat pranë xhamit dhe nuk e ndiem vranësinë e motit.

Shërbimi 9/10: Profesionalizmi këtu duhet të jetë kusht, ndaj do të doja thjesht të komentoja mbi standardin. Atë të shtunë, shërbimi i kamerierit ishte tejet përkujdesës. Më bëri përshtypje fakti që në fillim të shërbimit, zotëria na pyeti nëse preferonim ndopak akull a limon në gotën e ujit.
U pyetëm nëse kishim ndonjë alergji dhe përbërësit e pjatave na u përshkruan me kujdes.

Edhe pse e kam si parim: “after sunset”, atë drekë ma pati ënda për një cocktail. Nuk e kisha hasur ndonjëherë degustimin e shijes së një cocktail-i në formë xhelatine, dhe kamerieri ma ofroi si ndihmesë për zgjedhjen time. Më pëlqeu ai djalë, ishte vërtetë i vëmendshëm.

Në vizitën time të dytë, ishim 4 çifte përgjatë netëve festive. Atë natë, na shërbeu një tjetër kamerier i cili ishte i kujdesshëm, por jo aq detajist sa i pari. Ky i fundit, tentonte të ishte pak i nxituar…

Ushqimi 8.5/10: kuzhina e restorantit është mesdhetare, ndërthurur me elementë nga Lindja e Mesme, me pjata si: Hummus, Baba Ganoush, Muhammra etj. Çfarë vlerësova shumë tek Terra, ishte vetë përmbajtja e menu-së. Pavarësisht imperfeksionin të disa pjatave, siç ishin arançini, unë vlerësova lamishmërinë (me sasi të përqëndruar, jo menu me 10 faqe që të marrin mendtë), si edhe përmbajtjen e pjatave interesante e të pakonsumuara për tregun. Tek e fundit, ajo që kam kohë që kërkoj është “një dorë ndryshe” dhe një pjatë pas të cilës të mos them: “është e 30-a herë që e ha”.  

Oreksndjellëse të ndryshme @Terra

Lamb lolipops (820L): Një qengj shërbyer si lolipop të ngjall kureshtjen pa diskutim. Qengji ishte shumë i butë, ato kokoshkat e orizit dhe filizat jeshile të menusë mungonin, sidoqoftë shija ishte e mirë. Në tërësi e shijova si pjatë, por ‘Chianti jus’ (salca e verës), nuk arrinte të balanconte thatësinë e mishit.

Ravioli me bizele (1,100L): Nuk është zgjedhje e zakontë të kesh bizele me ravioli, por kombinimi rezultoi shumë i arrirë, me shije të pasura e të balancuara, paçka se fëstëkët kërrc do i kisha preferuar të qëruar. Mbushja me kungull dimri dhe pesto me fëstëk e mente, i jepnin freski pjatës, ndërsa djathi krokant ishte plotësuesi final i domosdoshëm. E rekomandoj si pjatë.

Ndër mishrat e vjetëruar që provuam në vizitën e dytë (nuk di të them për çmimet sepse në këtë rast nuk paguam vetë), Rib Eye nga Australia ishte i preferuari ynë.

Krem frut pasioni (900L): Me biskota të gjalpit të kikirikut, me lëkurë agrumesh të karamelizuar, sfungjer fëstëku e borziloku – kjo ëmbëlsirë i kishte të gjitha për të kënaqur palatën. 

Pëmbledhje: Të dyja vizitat në këtë restorant na kanë shijuar shumë ndaj e rekomandoj për një vakt të qetë por jo dosmodoshmërisht formal. Vetë menu-ja të krijon komoditet me antipastat, pizza-t apo cocktail-et. Mgjth, disa prej jush më keni shkruar për disa problematika rreth ‘business lunch’. Përsa kohë që nuk e kam provuar, nuk mund të shkruaj me siguri por, do të rekomandoja që menaxhimi ti kushtonte rëndësi ruajtjes së standardit. Nga ana tjetër, do të sugjeroja më shumë informacion apo konsistencë në ofrimin e vakteve. Ka pak konfuzion tek ofrimi i ‘brunchit’. 

E për ta përmbyllyr: instruktojini vajzat e djemtë e rinj që merren me mirëmbajtjen e rrjeteve sociale, të shkruajnë ndonjë mesazh automatik për të falenderuar ata që i bëjnë tag. Ai tag-u ndonjëherë ka shumë më tepër vlerë se disa postime me foto profesionale… 

1 Comment

  1. Eksperienca ime eshte e ngjashme me viziten tende te pare. U sherbyem nga nje kamarier shume i perkujdesur, shume i sjellshem, i cili kishte punuar me heret tek restorant Ejona. Absolutisht i rrinte per shtat rrjeteve te hoteleve internacionale dhe i dha gjithe hijeshine e nevojshme asaj darke.
    Pershtypje negative me la alkoli qe perdorej ne kokteile (psh gin Beefeater i cili gjendet tek Spar dhe kushton 2500 Leke shishja). Kokteil kushtonte afro 1500 Leke dhe pritshmerite e mia ne nje kokteil me nje cmim te tille dhe ne nje rrjet hotelesh internacional, stonon pak me shishen e alkolit qe e blej ne market.

Comments are closed.