Dita e verës erdhi, e bashkë me të edhe ajo dëshira e brendshme për të lënë pas dimrin e për të ndjekur diellin kudo…E për të përmbushur ëndrrat e netëve të dimrit për një pije në ndonjë piacë të ngrohtë, për festivale muzike, për verëra shijuar pranë vreshtave, për gara shpejtësie, apo qoftë edhe për shkëlqimin Hollivudian që ndodhet vetëm 3-4 orë larg Shqipërisë, ne kemi studiuar pakëz rreth aktiviteteve të ndryshme në maj. Po listojmë 10 vende evropiane që duhet të vizitoni në maj:
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
1. Puglia, Itali
Gjatë majit, lëndinat me ullishte shpërthejnë nga lulet e verdha e të ngrohin shpirtin teksa endesh nëpër rrugët e provincave me gardhe druri apo guralecësh. Një guidë të plotë për Puglia-n e gjeni këtu. Jo vetëm akullore në Polignano a Mare, shtëpi konike, bardhësi nga Ostuni, por edhe degustim i veçantë verërash. Në Maj, në shumë treva të Italisë mbahet Cantine Aperte, festivali i verës. Në Puglia, ky festival do të mbahet më 25 dhe 26 maj. Ju mund të provoni verëra në vreshtaritë vendase por, duhet patjetër të rezervoni më parë.
Si të shkoni në Puglia nga Tirana: Wizzair ofron fluturime direkte nga Tirana në Bari ose Brindisi, për 30-40 euro vajtje-ardhje.
Ide Akomodimi: Puglia Hotel: Masseria San Francesko
Ide për restorante:
- Fabula Maison ne Monopoli
- Pescaria në Poligniano: e njohur për fast food me prodhime deti
- Ristorante Albachiara në Fasano: ushqim autentik buzë detit, në një vend shumë të thjeshtë
Lexoni më shumë:
2. Cinque Terre, Itali
Kur mendoj Cinque Terre, më vijnë në mendje vetëm ngjyra, gjallëri, natyrë unike dhe vendas shumë mikpritës. Më 18 Maj, mbahet festivali i Limonit në Monterosso, një event që vesh rrugicat e vjetra dhe shumëngjyrëshe të fshatit me limona. Prodhuesit e këtij fruti reklamojnë produktet e tyre, të cilat ti mund t’i blesh dhe t’i shijosh. Kur jeta të jep limona, udhëto dhe pi një limonadë në Itali 🙂
Udhëtimi nga Tirana në Cinque Terre: Wizzair ofron fluturime direkte Tiranë-Pisa për 40-50 euro vajtje-ardhje. Nga Pisa, mund të merrni trenin që kushton 9 euro/pp për të mbërritur në një nga fshatrat e Cinque Terre-s.
3. Berlin, Gjermani
Sigurisht që kryeqyteti më kontraversial dhe multidimensional i Europës ka dicka për të ofruar gjatë majit. Karneval der kulturen do të mbahet këtë vit në datat 17-20 maj. Ky event ka për qëllim te promovojë dhe festojë kulturat e ndryshme në Gjermani. E si mund të festohet më mirë sesa me parada në rrugë, muzikë, dhe performanca kërcimi.
Udhëtimi nga Tirana në Berlin: Wizzair ofron fluturime direkte nga Tirana në Berlin me çmime të arsyeshme.
Ide Akomodimi: Amo by Amano
Ide për restorante:
- Hofbraun: shërben ushqim autentik me festime vendase
- Frederick’s: ofron ambjent vibrant
- Baret Rooftop: ofron pamje 360 gradë të qytetit.
4. Amsterdam, Hollandë
Tha dikush tulipanë? Nuk besoj se ka një periudhë më të mire për të vizituar Amsterdamin sesa gjatë fundit të prillit ose fillimit të majit. Do të keni mundësine të shikoni rrugë të mbushura me lulen simbolike, por dhe të festoni si një vendas King’s Day. Një ditë festimesh në Hollandë që përkujton ditëlindjen e mbretit Willem Aleksandër. 27 prilli nis me festa rrugësh, koncerte dhe një treg të dorës së dytë.
Udhëtimi nga Tirana në Amsterdam: Transavia ofron fluturime direkte Tiranë-Amsterdam me çmime të arsyeshme.
Wizzair ka fluturime nga Tirana në Eindhoven me cmime të arsyeshme. Nga Eindhoven mund të merrni trenin për në Amsterdam.
Ide Akomodimi: Novotel Amsterdam City
Ide për Restorante:
5. Bruksel, Belgjikë
Ku ka më mirë sesa të bësh politikë nën tingujt e xhazit! (Frank Sinatra po buzëqesh nga parajsa). Rrugicat me kalldrëma të kryeqytetit të BE-së vishen me tingujt e muzikës xhaz, gjatë datave 24, 25 dhe 26 maj. Nëse kjo s’do të mjaftonte, mund të kaloni një ditë relaksuese në hapësirat e gjelbërta të Parc du Cinquantenaire.
Udhëtimi nga Tirana në Bruksel: Wizzair ka fluturime direkte Tiranë-Bruksel me çmime të arsyeshme.
6. Riviera Franceze
Ky paragraf i dedikohet të gjithë atyre që adhurojnë kinemanë. Festivalit i filmit të Kanës do të mbahet në datat 14-25 maj. Ndoshta ti mund të jesh vetëm pak metra larg Eva Longorias, dhe gati për një foto Hollivudiane. Por dhe nëse kjo nuk ndodh, plazhet e Nicës dhe Kanës do të ta largojnë mërzinë shpejt. Një koktejl i mirë nën rrezet e diellit është ilaci më i mire thonë. Gjithashtu, po aq i rëndësishëm sa koktejlet: fshati mesjetar i Èzesë. Një perlë që duhet vizituar.
Udhëtimi nga Tirana në rivierën Franceze: Wizzair ofron fluturime direkte Tiranë-Nicë. Më pas nga Nica mund të merrni trenin ose autobuzin për te eksploruar zonën.
7. Monte Carlo, Monaco
Shënoni kalendarët sepse gara më sfiduese dhe e vështirë e Formula 1 do të mbahet më 24-26 maj, në rrugët e Monte Carlos. Mund të bëhesh pjesë e një event ikonë të garave të shpejtësisë që shumë kanë mundësinë ta ndjekin vetëm nëpërmjet ekranit. Për ju që kerkoni një arratisje më të qetë, ju sugjeroj të vizitoni Kopshtet ekzotike të Monacos.
Udhëtimi nga Tirana në Monaco: pasi të keni eksploruar rivieren Franceze, mund të merrni trenin ose autobuzin për të shkuar në Monte Carlo.
8. Ljubljana, Sllovenia
Ndoshta një destinacion jo dhe aq i dëgjuar për ne, por tepër surprizues me atë që ofron ky qyet i vogël. Sllovenët e adhurojnë natyrën, prandaj Tivoli City Park duhet të jetë ndalesa juaj e parë. Ajo që mund të shijoni më pas është festivali i muzikës Druga Godba. Artistë të botës së tretë performojnë nga data 23-26 maj, duke krijuar një atmosferë unike.
Udhëtimi nga Tirana në Ljubljana: Wizzair ka udhëtime direkte Tiranë – Venecia. Nga Venecia mund të merrni autobuzin ose trenin për të shkuar në Ljubljana
9. Vilnius, Lituania
Këtu mund të vizitoni qyetin e vjetër të mbrojtur nga UNESCO, kështjellën Gediminas, dhe për të apasionuarit e artit mund të vizitoni distriktin artitik të Užupis. Por sigurisht që dhe këtu mund të shijoni një festival. Në 18 maj mbahet Street Music festival që bashkon më shumë se 5000 artistë, të zhanrave të ndryshëm, në rrugët e kryeqytetit të Lituanisë.
Udhëtimi nga Tirana në Vilnius: Do të jetë një fluturim tranzit. Wizzair, ose Lufthansa ofrojnë fluturime direkte me Frankfurtin dhe Vienën. Lufthansa, AirBaltic apo Austrian Airlines (në varësi të vendit që ndodheni) fluturojnë drejt Vilniusit.
10. Siçili, Itali
Sigurisht që ky artikull nisi dhe do të perfundojë me rajonet më të bukura Italiane. Në Siçili është muaji kur çelin lulet, dhe natyra bëhet edhe më e bukur. Por, nuk mund ta mbyll këtë artikull pa sugjeruar një event të fundit. Festivalet infiorata mbahen në qytete si Noto dhe Caltagirone, këtë vit në 17-21 maj. Gjatë ditëve të festivalit, krijohen qilima shumëngjyrësh me lule nëpër rrugë, shpesh duke reflektuar tema fetare ose artistike.
Udhëtimi nga Tirana në Siçili: Wizzair ofron fluturime direkte nga Tirana në Catania (Siçili).
Ide Akomodimi: Una Hotels
Ide për Restorant: Vineria Modi