Nëse lulet e pranverës ju mbushin me gëzim, ekziston një vend në Evropë që duhet vizituar me patjetër: Keukenhof. Pranë kryeqytetit hollandez të Amsterdamit, do të gjeni kopshte të mëdha të mbushura me shtatë milionë llamba* – kryesisht tulipanë. Kopshti i bukur pranveror është një nga atraksionet kryesore turistike të Hollandës – por nxitoni pasi është i hapur vetëm për tetë javë në vit.
Si mund të shkoni nga Tirana në Keukenhof: Transavia ofron fluturime direkte Tiranë – Amsterdam. Nga aeroporti mund të merrni trenin për në Leiden Centraal. Më pas aty mund të merrni autobuzin e linjës 854 ose 858, të cilët ju çojnë direkt në Kuekenhof. Një alternativë tjetër është të merrni taksi ose uber.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Ekspozita e luleve me bazë në Lisse është e vendosur në 32 hektarë tokë dhe secila llambë është mbjellë me kujdes nga një prej 40 kopshtarëve të Keukenhofit. Viti 2024 shënon 75 vjetorin e themelimit të kopshtit, i cili edhe për këtë vit u hap zyrtarisht më 21 mars. Në këtë artikull do të lexoni gjithcka që duhet të dini për të:
Dyert e Keukenhofit – i njohur gjithashtu si Kopshti i Evropës – u hapën më 21 mars 1949. I themeluar nga një konsorcium kultivuesish dhe eksportuesish lulesh, fillimisht u krijua për të ekspozuar produktet dhe për të mbështetur industrinë e eksportit të Hollandës. Një vit më pas, kopshti u hap për publikun dhe pati një sukses të menjëhershëm, duke mirëpritur 200,000 vizitorë në sezonin e tij të parë. Tashmë njihet si një nga kopshtet më të mëdha të luleve në botë.
Ja çfarë të presësh gjatë një vizite në Keukenhof:
Kopshtet konsiderohen të jenë një fenomen kulturor, veçanërisht për sasinë e madhe të tulipanëve të ekspozuar. Megjithatë ju do të shihni një shumëllojshmëri lulesh të bukura që pranvera sjell. Rreth 600 kultivues dhe kompani tregtare ofrojnë lulet, shkurret dhe pemët e tyre më të mira për shfaqjen, e cila zhvillohet për rreth tetë javë në vit. Ju do të shihni lule të ndryshme si trëndafila dhe orkide, 800 lloje të ndryshme tulipanësh si dhe disa nga lulet më të mira të qershisë në të gjithë vendin.
Duket se ka diçka për të gjithë, madje edhe për vizitorët më të vegjël!
Përveç miliona luleve, ka një labirint për fëmijë, si dhe lojën me gjurmime scavenger hunt, kopsht zoologjik dhe një shesh lojrash.
Mund të mësoni më shumë rreth historisë së Keukenhofit, duke vizituar mullirin e famshëm të erës, i cili u ndërtua në Groningen në 1892 dhe më pas përdorej si një mulli pompimi.
Gjithashtu, në shfaqje janë varietetet autentike të tulipanëve të shekullit të 16-të dhe të 17-të, të cilat shërbejnë për të ilustruar zhvillimin e më shumë se 400 viteve të rritjes së llambave në Hollandë. Të vendosura nëpër kopshte, do të hasni gjithashtu rreth 100 skulptura individuale që shfaqin një shumëllojshmëri të gjerë stilesh artistike.
I gjithë vendi është ëndrra e një artisti, veçanërisht nëse ju pëlqen fotografia. Lulet – në çdo nuancë që mund të imagjinohet – shfaqen çdo vit nëpër mediat sociale, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve me ngjyrat e tyre të bukura.
Si t’i merrni më të mirën vizitës në Keukenhof:
Që nga themelimi, Keukenhofi ka qenë një destinacion jashtëzakonisht i frekuentuar. Për shkak të hapësirës së tij të madhe, kopshti nuk ndjehet të jetë i mbipopulluar. Sidoqoftë, ne do të këshillonim një planifikim përpara se të vizitoni tulipanët.
Nëse do të udhëtoni në Hollandë specifikisht për të vizituar Keukenhofin, ju rekomandojmë të qëndroni në Lisse aty pranë dhe të lëvizni me një autobus vendas. Pavarësisht se sa do të zgjasë udhëtimi juaj, duhet të bëni patjetër një shëtitje me varkë ose biçikletë në Hollandë. Për fat të mirë, ka një larmi turesh me biçikletë që mund të bëni rreth Keukenhofit. Nëse ju pëlqejnë aktivitetet në ujë, ka plot varka që lundrojnë nëpër kanalet midis fushave të llambave rreth Keukenhofit, që do të thotë se mund ta vizitoni ylberin e luleve në një mënyrë tepër të relaksuar.
Keukenhof është i hapur nga data 21 mars deri më 12 maj 2024.
*llamba – i referohet farave të familjes nga të cilat rriten tulipanët.
*Burimi: Euronews, përpunim dhe përshtatje nga editorët e Ema’s Light.