Nëse ndonjëherë jeni gjendur në situata ‘kaotike’, që natyrshëm vonesa apo anulimi i një fluturimi sjell, mund të keni pyetur veten: “Sa shpesh vonohen ose anulohen fluturimet?”
Sipas statistikave ndërkombëtare, ekspertët sugjerojnë se është ‘normale’ të pritet që rreth 1 deri në 2 përqind e fluturimeve të anulohen. Ndërsa, 20 deri në 25 përqind e fluturimeve vonohen me të paktën 15 minuta, megjithëse është e vështirë që gjithmonë të gjurmohet diapazoni i vonesës së fluturimeve.
Pra, për ta thënë më thjesht, në qoftë se sot nga Rinasi (TIA) janë planifikuar të nisen 100 fluturime, mund të konsiderohej normale që 1-2 prej tyre të anuloheshin dhe 20-25 prej tyre të kishin vonesa në nisje.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Me siguri po mendoni: “Po pse vonohen apo anulohen fluturimet kaq shpesh?
Në fakt, në disa raste, ka një shpjegim të arsyeshëm. Le të marrim shembull që një avion do të niset nga Tirana, ku moti është i keq dhe më pas supozohet të shkojë, le të themi, në Stamboll (tranzit) dhe më pas në Ho Chi Minh (Vietnam). Mund të mos ketë probleme me motin në Stamboll ose Vietnam, por avioni mund të ngecë në Tiranë. Pra, problematikat e motit përbëjnë arsyet më të shpeshta të vonesave të fluturimeve. Arsye të tjera mund të jenë probleme mekanike të avonit, vonesa në shërbimet mirëmbajtëse të avionit, furnizimi me karburant, probleme të ekuipazhit, etj.
Vonesat dhe anulimet masive shkaktojnë pakënaqësi shtesë për udhëtarët: në shumë raste, ata nuk kanë qenë në gjendje të marrin bagazhet e tyre dhe u është dashur të flenë gjatë natës në terminal në kushte jo fort komode të ofruara nga linjat ajrore.
Për ata që kanë dëgjuar, apo më keq përjetuar kolapsin epik operacional të Southwest Airlines gjatë sezonit të festave të vitit 2022 (kur Southwest anuloi më shumë se 1000 fluturime, ose 29 përqind të planifikimeve të tij, për shkak të motit dhe dështimit operacional), kjo mund të duket si déjà vu.
Si të shmangni ndërprerjet e udhëtimit
Nëse po kërkoni të shmangni një dhimbje koke të mundshme për fluturimet e ardhshme, ka disa gjëra që mund të bëni për të patur situatën në favorin tuaj.
Rezervimi direkt me linjën ajrore, në krahasim me një palë të tretë (p.sh. agjenci udhëtimi), mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm nëse keni nevojë të ndryshoni fluturimin tuaj, sepse mund të komunikoni drejtpërdrejt me linjën ajrore, e cila shpesh është më e shpejtë. Përdorimi i aplikacionit të linjave ajrore është gjithashtu i dobishëm, pasi do të mund të shihni shfaqjen e plotë të fluturimeve të disponueshme dhe mund të lëvizni në një fluturim alternativ që i përshtatet orarit tuaj.
Zgjedhja e fluturimit të parë të ditës është gjithashtu një ide e mirë, sepse vonesat priren të grumbullohen me kalimin e ditës dhe nëse fluturimi juaj anulohet, ka më shumë mundësi për të mbërritur në destinacionin tuaj në të njëjtën ditë.
Është gjithashtu një ide e mirë të rezervoni pa ndalesë/tranzit për të minimizuar problemet e mundshme, por nëse nuk mund të shmangni ndalesën, zgjidhni një me distancë të gjatë mes fluturimeve, pasi do t’ju mundësojë siguri nëse lindin probleme.
Burimi: AFAR Media – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light.