Hoteli është pjesë e “100 fshatrave” e sado që projekti në vetvete është kthyer disi në fushatë marketingu, fakt mbetet që investime të tilla shtojnë vëmendjen e turistëve.
Personalisht atë zonë e vizitova enkas për të parë investimin e ri dhe kisha veçanërisht kuriozitet për kuzhinën.
Në momentin e mbërritjes, krijohej efekti wow nga arkitektura moderne në një natyrë përrallore. Fasada xham, veshja e drurit si edhe elementi i gurit dhe hekurit, harmonizoheshin kaq bukur…
Stafi dukshëm kish marrë trajnim, vajzat dhe djemtë përpiqeshin dhe ishin të sjellshëm, sado që kamerieri që na shërbeu në drekë nuk e fshihte dot seriozitetin labëror dhe çfarëdo specifikash t’i kërkonim në porosi, e kishte ndarë mendjen të na servirte atë që kish ai në mendje.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Ushqimi: shërbehej standard i lartë për zonën dhe unë vlerësoj guximin për të sjellë elemente të ndryshme edhe pse me çmime relativisht të larta (e theksoj, për zonën).
Kulinaria tradicionale ish sjellë në formë moderne dhe vlerësova shumë produktet vendase në pjatë. Supa me trahana e hithra (600L) më ngrohu shpirtin.
Lexoni më shumë:
Çfarë shijova tjetër:
Kroketa me mish qengji (1,000L):
Kroketat ishin të mbushura me krem patateje dhe mish qengji, salcë aioli (të cilën unë e dashuroj), beshamel dhe pudër e ekstraktuar nga vaji i ullirit (nuk di nëse e keni provuar por është përbëres plotësues i gjetur).
Conchiglioni me mish keci (1,400L):
Edhe në këtë pjatë më pëlqeu që te pasta ishin përdorur produkte të zonës siç është mishi i kecit, shoqëruar me krem pekorino për të gërshetuar pastën.
Çfarë nuk ishte në shijet e mia:
Sallatë Mani Mani (700L):
Patate të ziera dhe mish derri të tymosur, shoqëruar me portokall, kaperi e ullinj sidoqoftë mbizotëronte patatja.
Hotelin nuk arritëm ta provonim edhe pse kisha shumë dëshirë të flija një natë në atë panoramë të gjelbëruar, sidoqoftë i mora maksimumin drekës/pasdites sepse u siguruam të shijonim burimin natyror dhe të kapnim disa karkalecë 🙂
E rekomandoj për një stop të shkurtër, zona ka ende punë sa i takon ofrimit të shërbimeve që të tërheqin më gjatë sesa një vakt apo një natë qëndrimi…