Shkrim i muajit qershor 2021
Edhe pse disa nga ju mund të mendojnë ndryshe, fakt është që te Miamar ishte hera e parë që qëndroja. Kjo sepse realisht për buxhetin e familjes sime nuk ishte e lehtë të siguroje disa ditë në Miamar. Por, a mendoni se çmimi i hotelit përputhet me vlerën që ai na ofron? Unë po filloj me përshtypjen time.
Vendndodhja: Miamar ndodhet buzë detit në plazhin Livadh, 5 km nga Himara. Çfarë më pëlqen në Livadh përpos natyrës fantastike e ujit të kristaltë, është fakti që baret apo club-et lokalizohen larg ne pushuesve që duam qetësi. Miamar ngjan me një oaz vendosur në një zonë ku ende nuk është vënë fare dorë në infrastukturë (rruga buzë detit është totalisht e pa-asfaltuar e në disa vende ka edhe plehra).
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Parkimi: i siguruar nga hoteli, me një hapësirë të rregulluar në mënyrë shumë elegante, sidomos në pjesën e prapme të hotelit.
Struktura: një arkitekturë sa moderne aq edhe luksoze, me një interier që ka si temë natyrën (gjithmonë më kanë pëlqyer bimët në ambientet e brendshme). Hoteli ka një plan shumë interesant: një restorant të brendshëm, pishinë e jashtme shumë elegante, një lounge i ëmbël me një zjarr etanoli në mes, kabana relaksi, gjithçka në vendin e duhur.
Cons: nuk ka një kend lojërash; nuk ka shumë hapësira të gjelbërta dhe e pata të vështirë të menaxhoj fëmijët që luanin në prag të pishinës kur ne darkonim brenda (praktikisht unë mbeta jashtë). Hoteli përmban palestër, sauna, SPA.
Dhoma: qëndrimi maj 2021; (70€/nata) – dhomë standarde (mëngjes i përfshirë/pamje nga deti).
Një nga të paktat vende në të cilat kam parë një sy detajist dhe dorën e një arkitekti dhe menaxhimi me eksperiencë të mirëfilltë hotelerie. Duke filluar nga aksesorët e plotë të tualetit, hidrosanitaret Porcelanosa, minibar plot, dyshekë dhe jastëkë memory, makineri për kafe e çaj, mbajtëse telekomande, shapkat e plota e shumë lehtësira të tjera. Edhe shenja “do not disturb” ishte mirëmenduar të mos binte nga doreza (e keni parasysh sa herë e kapim me kujdes).
E vetmja vërejtje është krevati i fëmijëve i pashtruar. Teksa priten pushuesit, dhoma duhet të jetë totalisht gati.
Tualeti: eksperienca e dushit ndër më të mirat që kam patur në një hotel në Shqipëri, aksesorët e plotë të tualetit, një mbajtëse (më në fund) në vendin e duhur të peshqirëve, një mbajtëse e plotë e shampove të dushit, alarm emergjence në dush (duhet të jetë në çdo hotel, por rrallë e kam parë funksionale).
Lexoni më shumë:
Pishina: pjesa më elegante e këtij hoteli në syrin tim. Vlerësova shumë që peshqirët përveçse ishin të mëdhenj e të plotë, na u mundësuan pa ndonjë limit a rregull të caktuar. Kini parasysh që edhe në hotelet me 5* vetëm në standarde shumë të larta japin peshqirë pa kartë.
Mëngjesi: ne zbritëm ne hall-in ku ofrohej mëngjesi në orën 10:00. Me aq sa kish mbetur për të parë di t’ju them që cilësia ishte shumë e mirë dhe kishte zgjedhje. Për një hotel të këtij standardi, mendoj se duhet ofruar “late-breakfast”. Synimi kryesor i çdo hoteli është të ketë klientë të kënaqur e të relaksuar. Askush nuk duhet të mbetet pa mëngjes (në kuadër të disa orareve strikte), rasti i late-breakfast (ose të paktën zgjatimit të orarit), ofron më pak opsione, por të mundëson një vakt të pahumbur.
Shërbimi: një nga arsyet kryesore pse kjo review ka konotacion pozitiv. Recepsioni shumë profesional si në telefon ashtu edhe “fast-reply” të mesazheve dhe zgjidhjes së çdo kërkese. Kamerieri kur bëri një gabim në porosi na ofroi pjatancë frutash në pishinë si edhe akullore për djalin. Edhe djali që qëndronte në plazh na rezervoi shezlongët me shumë dashamirësi. Meqë ra fjala këtu: ato gazebot e rreshtit të parë që zënë totalisht pamjen e detit për të tjerët, e mira është të vendosen në krah (e kuptoj që disa pushues mund të duan kushte ekstra dhe privatësi), por le të mos penalizohen pushuesit e tjerë.
SPA: 40€/ora. Vetë nuk e provova, por im shoq që bëri një orë të plotë mbeti shumë i kënaqur (botë e padrejtë, e di 😅).
Restoranti: për këtë do ju bëj shkrim më vete, por në përgjithësi mund t’ju them se ofrohet cilësi dhe shije shumë e mirë.
Mezi pres të dëgjoj përvojat tuaja rreth këtij hoteli, komentoni më poshtë, ju lutem: A keni patur të njëjtën eksperiencë? 😊