Qëndrimi: prill 2021
Vendndodhja: Radhimë / deti aksesohet pas kalimit të urës.
Në fundjavën që udhëtuam, hotelet e njohura ishin “fully booked”. Kemi qëndruar më parë te Regina City në Lungomare ndaj vendosëm të provonim degën në Radhimë. Edhe këtu nuk kishte vende, por kur telefonova për të dytën herë, një zotëri (me shumë gjasa pronari), bëri të pamundurën të na akomodonte (edhe pse prezenca ime në linjë për 6-7 minuta ndërkohë që komunikohej me stafin: “po 107-a u zuu, po 306-a, jo ajo joo, tjetraa”, mund të ishte shmangur).
Parkimi: i siguruar nga hoteli, por për sa qëndruam ne, ishte gjithmonë plot dhe kishte vende të lira vetëm poshtë (hoteli është në kodër). Këtu do të kisha vlerësuar që djali që na priti të na kishte ofruar ndihmë në mbajtjen e valixhes, pasi të dy fëmijët i kishte zënë gjumi e i kishim në krah ndërkohë që nxitonte të na drejtonte: “vëllaa, s’ka vende këtu, fute poshtë”.
Struktura: kishte përpjekje për design modern, por më la në tërësi një ndjesi të ftohtë. Nuk ia dolëm dot të kuptonim pse katet e ashensorit nuk përputheshin me numrat e dhomës, pra dhoma 205 ishte në katin e 3-të e kështu me rradhë.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Dhoma: 50€/nata në ofertë (2+1 me pamje nga mali).
Kishte hapësirë, krevati i fëmijëve ishte një divan jo komod që hapej. Mbase kjo ishte ndër dhomat e fundit që kishte mbetur e shpresoj që dhomat e tjera të mos i ngjasojnë, sepse e jona kishte amortizim të theksuar. Duke filluar që me derën e çarë që duhej mbyllur me çelës (nuk kishte kartë), kondicioneri megjithëse ishte i markës Daikin, bënte shumë zhurmë, dhoma nuk kishte ballkon, kasafortën apo minibarin me ndonjë shishe ujë realisht as nuk e pretendoja edhe pse quhet hotel me 5 yje. Pastrimi i dhomës u mundësua pas lajmërimit të tretë në orët e vona të pasdites.
Tualeti: edhe këtu mirëmbajtjes nuk i ishte kushtuar rëndësi. Pileta e lavamanit ishte e bllokuar (pamje aspak e këndshme pasi laje duart), pas dushit tualeti pasohej nga përmbytja e zakonshme…
Lexoni më shumë:
Shërbimi: duke lënë mënjanë mënyrën pak të ashpër të bregut, nuk mungonte dëshira për të mbështetur klientin (veçoj zotërinë që përpiqej t’i rrinte biznesit mbi kokë, kamerierin e restorantit si edhe zonjën e pastrimit shumë të sjellshme). Recepsioni pa shumë eksperiencë.
Wifi – punonte mirë në të gjithë ambientin e hotelit.
Mëngjesi: vlerësova faktin që struktura e sallës ku servirej mëngjesi ishte projektuar enkas për atë shërbim. Përpos produkteve që shërbeheshin në bufe, pjesa e ngrohtë e mëngjesit (vezë, krepa, salçiçe etj.) gatuheshin në çast e shërbeheshin më vete përbri pjesës së bufesë. Mund të them se larmishmëria e produkteve përmbushi pritshmëritë tona në mënyrë të kënaqshme. Në lidhje me cilësinë, kishte përpjekje edhe pse teknikat e gatimit nuk ishin ato të një hotelerie profesionale. Sugjerim: vendosni çokokrem për fëmijët.
Restoranti: në fundjavë kishte muzikë live. Nisur nga volumi i lartë preferuam të porosisim në dhomë. Pastat me fruta deti ishin shumë të shijshme, por nuk do të thoja të njejtën gjë për brusketat me bukë jo cilësore. Vera e shtëpisë ishte e këndshme. Do të sugjeroja që pjatat të shërbehen duke lënë edhe tabakanë në dhomë, sepse lart mbi krevat nuk janë aspak praktike.
Natën e dytë qëndruam në pjesën e restorantit larg muzikës live. Ishte këndshëm pasi mund të shijonim muzikën, por me volum më të ulët.
Gatimi: tipik i zonës me përmbajtje deti, cilësi standarde. Krudot kishin vend për përmirësim, por sidoqoftë eksperienca ishte e kënaqshme, nisur edhe nga shërbimi shumë i mirë. Kishte mungesa për karrige fëmijësh.
Përmbledhje: zgjidhni dhomat në katet e sipërme, pasi janë të reja dhe kanë standard më të lartë. Sigurohuni të akomodoheni pikërisht në këto dhoma kur të bëni rezervimin.
Sugjerim per menaxhimin: vendosja e çmimeve të ndryshme për dy standarde të ndryshme dhomash.