/

Piemonte: një fundjavë në rajonin e pasur me tartuf, verëra të çmuara dhe bukuri natyrore

Teksa vizitonim kështjellën e Saliçeto-s, një zonjë e moshuar e cila na udhërrëfente, e prekur u shpreh: ‘Këtu në Saliçeto, pas çdo funerali, i vihet dryni një shtëpie. Nuk ka më të rinj, kanë ikur të gjithë’…
Piemonte, dikur një vend i varfër, feudal, sot është shtëpia e Nutelës, FIAT-it apo kafesë Lavazza. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shumë piemontezë emigruan në SHBA ose Argjentinë; të tjerë morën një rrugë më të shkurtër, por jo më pak sfiduese për të punuar në Torino.

Saliceto by Ema's Light
Verë Nebbiolo @Osteria Tastè

E megjithatë sot, kjo zonë e listuar në UNESCO me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, rivalizon kodrat e Chianti-t. Vreshtat e Barolos dhe Barbarescos prodhojnë disa nga verërat e kuqe më të çmuara të Italisë. Duke parë Guidën Michelin, zbuluam një mjegullnajë yjesh brenda një rrezeje shumë pranë nga Alba: 22 yje të shpërndarë në 20 restorante. Asnjë pjesë tjetër rurale në Itali, nuk ka kaq shumë yje Michelin brenda një zone kaq të vogël…

Ku është Piemonte dhe si të mbërrini aty:

Piemonte është në cepin veriperëndimor të Italisë, në kufi me Zvicrën dhe Francën, dhe me rajonet e Lombardisë dhe Ligurisë. Emri ‘Piemonte’ do të thotë “këmbë e malit”, me të drejtë sepse rrethohet nga Alpet.

  • Mënyra më e shkurtër është me fluturim direkt nga Tirana në Torino. Unë udhëtova me Wizzair – €75/pp (me çantë shpine)
  • Një mënyrë praktike dhe ekonomike për të shkuar nga aeroporti në qendër të Torinos: Autobusi SADEM (linja 316) – rreth €7.5/pp për 45min. Për lehtësi, blijini biletat online tek aplikacioni ‘Arriva Italia’ ose bëjeni pagesën direkt ne autobuz, me kartë krediti. 
  • Sugjerim për paketë roaming: personalisht përdor gjithmonë Vodafone Travel Pack që kushton 1,600L dhe ofron 7.1GB internet, përveç 60 minutave dhe 60 SMS-ve.
Kur të vizitoni Piemonte-n?

Piemonte është i aksesueshëm përgjatë gjithë vitit dhe mund të vizitohet bazuar në qëllimet dhe preferencat e kujtdo nga ne. Skiatorët zgjedhin ta vizitojnë në dimër, ndërsa alpinistët zgjedhin verën ose vjeshtën. Vjeshta është në fakt koha më e bukur për ‘foodies’, jo vetëm sepse vera është në kulmin e të korrurave, por edhe sepse organizohet Festivali i famshëm i Tartufit të Bardhë në Alba.
 
Ekploroni Torinon:
Turin by Ema's Light

Eksploroni kryeqytetin piemotez, duke vizituar monumentet ikonike si Muzeu Egjiptian (muzeu më i madh jashtë vetë Egjiptit), Mole Antonelliana (ndërtesa 167 metra e gjatë nga ku do të shkrepni disa foto), Museo Nazionale dell’Automobile (për të zbuluar historinë e FIAT-it të Italisë apo Katedralja e Torinos. Shëtisni nëpër kopshtet e Palazzo Reale, krijuar nga i njëjti stilist që krijoi kopshtet e Versajës. E nëse lodheni me muzeume, mund të shëtisni në bulevardet dhe sheshet elegante të Torinos, të vizitoni dyqanin kryesor Eataly ose të ndaloni në një nga kafenetë historike të Torinos si Caffè San Carlo ose Caffè Torino. Mos harroni të provoni çokollata Gianduja dhe bicerina (një pije e ngrohtë tradicionale).

CHC Torino Castello

Sugjerim për hotel: CHC Torino Castello (€130 dhomë standarde me mëngjes në Qershor 2023). Vendndodhje shumë e mirë për të bërë pazar dhe për të eksploruar muzeumet dhe galeritë e shumta të Torinos. Hoteli është edhe komod pranë linjave të transportit me autobus dhe tramvaj. Mëngjesi ishte fantastik.

Vizitoni Bra:

Kaloni nxitimthi në Bra, vendlindja e ‘Slow Food Movement’. Vizitoni fabrikat e djathit nëse keni kohë, për të shijuar djathrat rajonalë si Bra Duro dhe Bra Tenero, të cilat janë të mbrojtura nga DOP (Protected Designation of Origin). Ndaloni diku për të blerë të famshmen ‘salcica di Bra’ – ne e morëm në një market 🙂
Vetëm 30 kilometra në veri është Asti, ku prodhohet Spumantja e njohur Asti.

Mos humbisni Albën: kryeqyteti i Langhe dhe vendi ku organizohet Festivali Ndërkombëtar i Tartufit të Bardhë

Eksploroni rrugët mesjetare të Albës, mund të keni një aperitiv (i cili shoqërohet me antipasta nga produktet e zonës), të vizitoni Katedralen e San Lorenzos dhe të provoni verërat e rajonit. Tartufi shitet kudo nëpër rrugica por midis shtatorit dhe janarit, Alba bëhet një kënd argëtimi teksa zhvillohet sezoni i gjuetisë për tartufin e bardhë. Gjuetarët e tartufit – me ndihmën e qenve të stërvitur – shpesh kalojnë orë të tëra në pyje duke kërkuar të gjejnë një nga atraksionet më të mëdha të zonës. Për të kuptuar plotësisht artin e gjuetisë së tartufit, një përvojë që sugjerohet shumë është të rezevohet një tur me guidë vendase.  

Rekomandim për hotel: Hotel Calissano (€150 dhomë standarde me mëngjes). Ky hotel njihet si ndër më të mirët në qytet. Ne qëndruam këtu veç një natë, vendodhja pranë qendrës (5 min ecje). Mëngjesi tipik italian ishte i mrekullueshëm me produkte të zonës. 

Ne darkuam tek Osteria Tastè, rreth 7km larg Albës (afro 12min me makinë), dhe e rekomandoj si restorant për peizazhin e ëmbël rreth kodrinave. Këtu provuam verërat e zonës si Barolo apo Nebiolo, antipasta tipike si: vitello tonnato, tartar viçi Fassona, personalisht porosita gnocchi me djathë gorgonzola dhe arra, ‘tajarin’ ishte një tjetër pjatë tipike mishi (nuk është se më mbeti mendja por ishte e këndshme për t’u provuar), si edhe ëmbëlsira të ndryshme të cilat i shoqëruam me verën e ëmbël Moscato d’Asti

Vizitoni Saliçeto-n

Parrochia San Lorenzo

Zbuloni shtigje të fshehura e shijoni qetësinë përreth ‘Castello di Saliceto’.

Fare pranë ndodhet Pruneto: Drekëm e patëm pikërisht këtu, tek ‘Ristorante della Piazza’, i cili ish ndalur në kohë për nga arkitektura apo dizajni, por ofronte pjata autentike të shijshme me çmime shumë të mira.

Eksploroni fshatrat Piemontezë: Merrni me qira një makinë dhe dilni përtej qyteteve për të eksploruar fshatrat e shumtë të Piemontes, si Barolo dhe La Morra ku mund të vizitoni kantinat e verërave për degustim.

Unë u largova nga Piemonte me një listë të gjatë dëshirash të pa plotësuara e me një kuriozitet të madh të pashuar. Një fundjavë e vetme është si një ngjyerje peneli në kanavacën e këtij udhëtimi, por me vete mora esencën e asaj zone që kish kaq shumë për të zbuluar, ndërsa Piemonte mori nga unë premtimin për t’u rikthyer…

1 Comment

Comments are closed.