Ju vonua apo anulua fluturimi? Zbuloni se cilat janë të drejtat tuaja

Rregullorja EU261 dhe Autoriteti i Aviacionit Civil garantojnë të drejtat e pasagjerëve, duke i siguruar atyre kujdesin dhe dëmshpërblimin e nevojshëm në çdo rast vonese dhe anulimi.

Vonesat dhe anulimet e fluturimeve, veçanërisht pas pandemisë, janë kthyer në një fenomen të shpeshtë dhe situata duket se nuk po përmirësohet. 

Nëse fluturimi juaj shtyhet ose anulohet, qoftë në aeroportin ku jetoni apo në vendin ku po udhëtoni, Rregullorja EC 261/2004 (EU261) dhe Autoriteti i Aviacionit Civil ju garantojnë të drejtat si pasagjer, duke ju siguruar kujdesin dhe kompensimin e nevojshëm për çdo rast të vonesës, anulimit, “overbooking”-ut, ose uljes në një klasë më të ulët fluturimi.

KUR MUND TË PËRFITONI KOMPENSIM?

Nëse jeni duke udhëtuar në Evropë, ju duhet të përfitoni kompensim nga linja ajrore në rastet kur fluturimi juaj anulohet, si edhe në raste vonese:

  • 2 orë ose më shumë për fluturime deri në 1,500km;
  • 3 orë ose më shumë për fluturime më të largëta se 1,500km ose fluturime jashtë Evropës midis 1,500km – 3,500km;
  • 4 orë ose më shumë për fluturime mbi 3,500km.

KUJDES: Ajo që ka rëndësi është orari i mbërritjes në destinacion. Pra, edhe nëse fluturimi juaj më pak se 1500km është nisur 2 orë e gjysmë me vonesë, nëse ju arrini në destinacionin tuaj 1 orë e 50 minuta më vonë sesa ora e parashikuar e mbërritjes, ju nuk mund të përfitoni kompensim. E njëjta gjë vlen edhe nëse fluturimi niset në kohë, por mbërrin në destinacion më vonë sesa është parashikuar. Pra, sipas rregullave më sipër, edhe në këtë rast ju keni mundësi të përfitoni kompensim.

ÇFARË KOMPENSIMI JU TAKON?

Në rast se fluturimi juaj anulohet pa një lajmërim paraprak, ose vonohet siç është detajuar më sipër, ju keni të drejtën e përkujdesjes, dhe linja ajrore është e detyruar t’ju ofrojë:

  • Ushqim dhe pije freskuese;
  • Dy telefonata, mesazhe, ose e-mail
  • Në rast qëndrimi për një natë ose më gjatë, akomodim dhe transport ndërmjet vendit të akomodimit dhe aeroportit.

Edhe në rast se linja ajrore nuk ju ofron akomodim, ju mund të zgjidhni vetë akomodimin tuaj dhe të kërkoni rimbursim nga linja ajrore. Kini parasysh se përkujdesja ofrohet në çdo rast vonese, përfshirë këtu edhe vonesat jashtë kontrollit të linjës ajrore.

Për sa i përket kompensimit monetar, në rastin e anulimit ose vonesave si më sipër, ju mund të përfitoni:

  • 250€ për fluturime prej 1500km ose më pak
  • 400€ për fluturime brenda Evropës më të largëta se 1500km ose fluturimeve jashtë Evropës midis 1500km – 3500km;
  • 600€ kompensim për fluturimet e tjera që nuk mbulohen nga pikat më sipër.

Në rast se keni mbërritur në destinacion pesë orë ose më shumë me vonesë nga orari i përcaktuar, keni të drejtë të rimbursoheni brenda 7 ditëve për vlerën e plotë të biletës suaj.

Kini parasysh se, nëse ju është ofruar një fluturim tjetër si zgjidhje nga linja ajrore, ju do të përfitoni kompensimin në masën 50%.

Për më tepër, ky kompensim vlen vetëm për pasagjerët që kanë paguar për biletën e tyre. Pra, nëse keni udhëtuar me fëmijë të vegjël dhe nuk keni paguar biletë për ta, nuk mund të përfitoni kompensim në emër të tyre.

SI MUND TË KËRKONI KOMPENSIM?

Për të aplikuar për kompensim, fillimisht duhet të plotësoni formularin në website-in e linjës ajrore me të cilën po udhëtoni. Më poshtë gjeni links për linjat ajrore kryesore që operojnë në Rinas:

  1. WizzAir
  2. Lufthansa
  3. Aegean Airlines
  4. RyanAir
  5. AirSerbia

Për linjat e tjera ajrore, duhet të dërgoni e-mail drejt shërbimit të klientit me informacion rreth fluturimit tuaj, vonesës, faturat e hotelit dhe transportit, si edhe të dhënat tuaja bankare për të marrë kompensimin.

Linja ajrore është pika juaj e parë e kontaktit për të marrë kompensim. Nëse linja ajrore refuzon t’ju kompensojë duke cituar se vonesa ose anulimi është bërë për shkaqe jashtë kontrollit të kompanisë, ju mund të kontaktoni Autoritetin e Aviacionit Civil në e-mailin [email protected] pasi të plotësoni formularin e vonesave të gjata ose të anulimit të fluturimit të lëshuar prej tyre.

Nëse të dyja këto kërkesa nuk japin rezultat, alternativa e fundit është të aplikoni nëpërmjet një kompanie ndërmjetësimi, por kujdes sepse kjo e fundit ju mban komision 30%-35% të kompensimit tuaj.

NË CILAT RASTE NUK PËRFITONI KOMPENSIM?

Fillimisht, nëse keni mbërritur në aeroport dhe keni bërë check-in pas orarit të rekomanduar nga linja ajrore (ose më vonë se 45 minuta përpara orës së lajmëruar të nisjes), ju humbisni të drejtën e kompensimit.

Gjithashtu, nëse vonesa e fluturimit shkaktohet për arsye madhore si kushtet atmosferikeprotesta të punonjësve të trafikut ajror, sulme terroriste etj., ju nuk mund të përfitoni kompensim.

Në rastin e anulimit të fluturimit, nëse jeni njoftuar nga linja ajrore të paktën 14 ditë përpara nisjes, ju nuk do të keni mundësi të përfitoni kompensim.

Sigurisht, shpresojmë që të gjithë ju të përballeni sa më pak me situata të tilla. Megjithatë, është gjithmonë mirë të dini të drejtat tuaja dhe të përfitoni kompensim maksimal për çdo problematikë që hasni gjatë udhëtimit tuaj.

Përgatitur nga editorët e Ema’s Light!