//

Ksamili dhe e vërteta e “fshehur” pas “Maldiveve të Evropës”

Mendova se Ksamili do të ishte vendi i duhur për një pushim të shkurtër. Por, edhe pse u përpoqa ta shihja objektivisht, e pata të vështirë ta shijoja siç duhet...

ksamili rera
Photo: Getty Images

Teksa po udhëtoja drejt jugut të Shqipërisë, në njërën prej fundjava të ngarkuara të sezonit veror, e detyrova veten të shkëputesha nga panorama e mjegullt që na ofron realiteti jonë social dhe politik. Si çdokush, edhe unë kam ndjenja të përziera rreth turizmit vendas. Jam gjendur shpesh mes dashurisë që vjen nga gjeneza për çdo gjë vetjake, siç është edhe vendi yt, e mes eksperiencave herë të bukura, e herë zhgënjyese. Reklama, të cilën edhe se kishim kohë që e prisnim, na erdhi si ‘boom’ nga revista prestigjioze këtë verë të 2023-shit, ndaj mendova…po sikur për një moment ta shihja Shqipërinë nga syri i një turisteje të huaj, e zhveshur nga çdo eksperiencë personale? Tek e fundit, kemi kaq kohë që dlgjojmë ofruesit e shërbimeve të lartësojnë turistët e huaj. Ata, diç do të dijnë… 

Po shijoja të gjithë rrugën nga Vlora në Sarandë, ku vija bregdetare në horizont dhuronte një pamje magjike për më shumë se 120 km, pa u fshehur thuajse për asnjë moment.

Udhëtimi im vijoi edhe për pak, deri sa arrita në destinacionin për ku isha nisur, Ksamil. 

Doja të dija ç’ofronte Ksamili ndryshe këtë vit, pas vërshimit të një numri kaq të madh turistësh të huaj. Por, edhe pse u përpoqa së bashku me “superfuqinë” time ta shihja objektivisht, ajo që pashë është një bukuri natyrore, dërrmuar nga mentaliteti abuzues njerëzor! 

Çadrat shumë pranë njëra tjetrës, lufta akustike mes subjekteve që menaxhojnë plazhet privatisht, apo çmimet që nuk kanë raport të drejtë me shërbimin – kishin mbetur njëlloj. Ajo që kish ndryshuar, ishte shtimi i strukturave të drurit në mes të detit, për t’ju përshtatur fotove të instagramit dhe video-ve të Tok Tok-ut, e diku nuk mungonte edhe shtimi i betonit, për të ndarë territoret…

Njerëz të vëmendshëm përpara asgjëje, dhe një plazh i cili krijoi zgjuarsisht një fasadë, ku në dukje është aq i bukur, por në të vërtetë është një zgjedhje tejet e gabuar. 

Maldivet e Evropës‘ janë mundësuar nga një rërë gëlqerore, e cila jo vetëm që dëmton faunën dhe florën, por edhe shëndetin e turistëve në terma afatgjatë. Habitati natyror i Ksamilit është degraduar, e kjo reklamë masive nuk premton në përmirësimin e situatës. Unë ndryshe nga një turiste e huaj, nuk mendoj se rëra e Ksamilit ka efekte kurative, ndaj pavarësisht dëshirës për ti parë gjërat pozitivisht, zëri i së drejtës brenda meje thërriste!

Si për të më dhënë një dorë në atë që po akumuloja, mendoi edhe Jona, një ndjekëse e cila më dërgoi një mesazh, ku shprehte zemëratë ndaj asaj çka i është bërë Ksamilit.

Për më tepër, Jona shkruan:

Përshëndetje Ema,

Si fillim, faleminderit për informacionin që ndan çdo ditë me ndjekësit dhe suksese në synimet e ardhshme që mund të keni!

Marr shkas nga artikulli në faqen tuaj për ndotjen e ujërave të zeza në plazhet Shqiptare, për t’ju shkruar mbi plazhin/plazhet e Ksamilit.

Unë Ksamilin e kujtoj si nje plazh plot gjire të vogla, me atë dheun e kuq që e rrethonte, me ujin e kristaltë e plot gurë dhe iriqa. Mbaj mend “kafshimin” e parë qe iu bë Ksamilit dhe ishujve të tij, dhe nga një bukuri natyrale u shndërrua në një plazh të trishtueshëm me njolla gërrmimi kudo.

Dhe në vitet e fundit, Ksamili na është shndërruar në një plazh ranor, me rërë të bardhë, sikur të jetë prerë si copë torte nga Maldivet dhe sjellë në jugun e Sarandës. Kjo rërë e bardhë, nuk është gjë tjetër veçse zhavorr lumi (njësoj si ai që përdoret për ndërtim) i thërrmuar e i hedhur mbi ata gurët plot jetë detare (përfshi edhe irriqat e padashur për plazhistët). Ky zhavorr i thërrmuar, përveçse një dëm ekologjik kam përshtypjen se nuk është pa pasoja për turistët.  Pas çdo zhytjeje në det, të ngelet në lëkurë një njollë e bardhë, dhe gjithashtu ndihet një aromë (si erë suvaje).

Nuk do të doja të zgjatesha më shumë për këtë temë, për sa rripa toke kanë kthyer në plazhe me zhavorr të hedhur deri në kufi me Butrintin.

Arsyeja përse po e dergoj këtë mesazh te ju, është që ndoshta nëse bëni një sondazh në faqen tuaj nëse qytetarët kanë informacion për dëmin që është bërë tashmë në Ksamil dhe ndoshta rrezikun që vjen nga ai si plazh, dhe pse jo ndoshta të shkojë në syrin (a veshin) e Ministrisë së Mjedisit/ Turizimit për të mundësuar një rikuperim sado të vogël të kësaj katastrofe në Ksamil.

Pra shpresoj që kjo temë të marri pak zë (Jam përpjekur të dërgoj/raportoj në Ministrinë e Mjedisit, por nuk ka një hapësirë për këtë lloj ankese)

Ju falenderoj për kohën e harxhuar në leximin e këtij mesazhi.

Ju uroj gjithë të mirat,
Me respekt
Jona