Të udhëtosh në veri të Shqipërisë të mbush jo vetëm mushkëritë, por edhe me informacion rreth historisë (të cilët vendasit nuk ngurojnë ta tregojnë, sa herë i pyet). Bajraktarët kanë qenë prijësit e Bajrakut, një njësi territoriale Osmane (siç mund të jetë Bashkia sot). Bajraku në Shqip do të thotë ‘flamur’, dhe Bajraktarët si të parët e fisit apo bashkësisë, kanë patur edhe mjaft privilegje.
Kam qenë gjithmonë kurioze të shoh se ç’mund të kishte bërë një trashëgimtar, për të afruar turistë në Kullën e Bajraktarit. Për të qenë realistë, përtej adhurimit që shprehim për natyrën e këtyre trevave, të gjithë e dimë se, për shkak të aksesit të vështirë apo investimeve të vona e të vakëta në infrastukturë, turizmi në veri ka jo pak sfida, si për investitorët, ashtu edhe për pushuesit.
Personalisht, u surprizova për mirë kur pashë që, në një zonë ku aksesi nuk është aspak i lehtë, kishte patur një përpjekje shumë serioze. Për ta thënë hapur: një shtëpi bëjmë në qytet, e sa probleme hasim rrugës…😅
E imagjinoni dot, në mes të alpeve, të krijosh një investim të madh, të rregullt, e të mirëmbajtur?
🚧 Rruga për të mbërritur në Bogë: Rruga është tërësisht e shtruar me asfalt deri në destinacion. Ajo fillon ngushtohet pas Shkodrës dhe bëhet me kthesa të forta. E ritheksoj se veriu ynë nuk ka patur vëmendjen e duhur të instancave. Mbase edhe për shkak të mos përfundimit të rrugës së Arbërit, trafiku kryesisht në aksin Tiranë-Shkodër, është i mbingarkuar në këtë periudhë. Na u deshën pesë orë për të mbërritur në hotel, për vetëm 180km distancë.
Këshillë: sigurohuni të jeni të mirë furnizuar me karburant sepse nuk pamë asnjë stacion karburanti pranë Bogës.
🏨 Struktura: Hoteli ish gërshetuar me natyrën. Investimi ishte kryer mes alpeve si një oaz, me një dizajn alpin e me pamje mahnitëse. Struktura ishte e vogël, kishte një restorant kryesor, një ambient ku ofrohej mëngjesi, një pishinë të brendshme dhe parkim privat mjaft të rregulluar. SPA-në nuk e provova.
Kishte edhe një restorant të jashtëm, ende jo-funksional. Më bëri përshtypje edhe një furgon i branduar (tregon standard), i cili me siguri shërbente si transport për pushuesit, por nuk pyeta për detajet.
📞 Recepsioni: Eksperiencat me rezervimet në Shqipëri krijojnë shpesh anektoda dhe unë e theksoj këtë element si shumë të rëndësishëm. Në këtë rast, vajza që m’u përgjigj në telefon ishte e sjellshme dhe korrekte. Të dhënat u konfirmuan me WhatsApp, pa kryer parapagim.
Sugjerim: sa herë që klientët të hyjnë në holl, është veprim profesional që recepsionisti të kthejë kokën e të përshëndesë. E has shpesh mos-vëmendjen e stafit, i cili qëndron kokë ulur në telefon…
🏡 Mbërritja: Me mbërritëm në hotel në orën 22:00. Kuzhina mbyllej në 22:30, sidoqoftë u kujdesëm të nxitonim që të mos humbisnim vaktin. Në restorant gjetëm muzikë live. Ka edhe muzikë live të qetë në sfond, por kjo ishte e fuqishme 😅
Miq, pas 5 orësh rrugë me dy fëmijë, e fundit gjë që donim, ishte të hanim darkë pa patur qetësi!
E kuptoj që biznesi përpiqet të gjejë mënyra argëtuese, tek e fundit është kosto ekstra. Por, duhet të ketë ZGJEDHJE! Ai është hotel në mes të bjeshkëve. Siç mund të ketë njerëz që duan të argëtohen, ashtu ka edhe nga ata që mund të duan një darkë të qetë, të bëjnë muhabet me shoqërinë, apo edhe thjesht të konsumojnë një vakt të shpejtë pa ndonjë përkushtim të madh 😅 Për fat, ditën e nesërme të qëndrimit e shijuam në qetësi sepse nuk kishte muzikë live.
🛌 Dhomë standarde me mëngjes të përfshirë: €90 plus një krevat portativ €15 ekstra. Recepsioni na paralajmëroi që dhoma nuk është shumë e madhe e në fakt mua më ngjau shumë praktike. Çdo dhomë kishte ballkon dhe zgjimi me atë peizazh ishte fantastik! Dhoma ishte e pregatitur kur mbërritëm, krevati portativ ishte i shtruar si edhe peshqirët ishin të plotë.
Minibari ishte i mbushur, por ne u siguruam të blinim ujë rrugës sepse nuk i dihet kurrë 😅
Do e kisha vlerësuar të kishte patur ujë pa pagesë në dhomë, sidomos në zona ku uji i pijshëm nuk mungon.
🛁 Tualeti: Edhe këtu ishte punuar saktë! Kabina e dushit ishte e mbyllur, nuk patëm rrjedhje uji jashtë kabinës dhe asnjë problem me ujin e ngrohtë. Sigurisht, ka vend për përmirësim, si p.sh.: duhen mbajtëse për letrat higjienike apo për peshqirin e duarve pranë lavamanit. Sidoqoftë, menaxhimi duket që ka dashur të sjellë një standard të lartë dhe protokollet bazë të hotelerisë ishin ndjekur.
🧆 Restoranti: Potenciali i kulinarisë së këtyre trevave është shumë i lartë dhe ende i pashfrytëzuar siç duhet. Sigurisht, menuja përmbante plot prodhime blegtorale të zonës dhe mishi i kecit shkrinte në gojë. Sidoqoftë, si përmbajtja e disa pjatave, ashtu edhe teknikat e gatimit, kanë nevojë për përmirësim dhe zhvillim teknologjik, në mënyrë që të krijohet një agroturizëm i denjë.
Mendoj se mund të ofroheshin shumë më tepër ushqime tradicionale, p.sh.: flija ishte në menu, por nuk shërbehej. Nga ana tjetër, më erdhi shumë keq të shihja që byreku me djath ishte ndër ata të ngrirët e importuar. Gjithashtu, uji i bjeshkëve që mbushej nga rubineti, kushtonte 100L një shishe. Askush nga ne nuk merr rrugët për të kursyer 100L, por parimisht për atë çka përfaqëson kultura e trashëgimia e mikëpritjes sonë, të paktën ujin natyror të zonës e prisja pa pagesë.
Mëngjesi: Ofrohej nga ora 8:00 – 10:30 dhe më pëlqeu toleranca e stafit kur shihja klientë që vinin në limitet e orës. Askujt nuk iu privua mëngjesi. Për çmimin e paguar, mëngjesi ishte i bollshëm dhe standard në atë që ofronte. Do të kisha dashur që kafeja ekspres të përfshihej tek mëngjesi, por këtë çështje le ta rregullojmë në hotele më të zhvilluara njëherë
Shërbimi: Për vështirësinë e krahut të punës me të cilin përballet zona, shërbimin e vlerësova si shumë korrekt e të shpejtë.
Synimi i menaxhimit për të arritur majat në këtë drejtim, do të duhet të jetë profesionalizmi në shpjegimin e pjatave, në përcjelljen e kulturës e të historisë vendase, në buzëqeshjen dhe ofrimin e pakursyer të ndihmës, për të paraqitur vlerat e vërteta të vendit tonë.
🏊🏻♂️ Pishina e brendshme është jo vetëm pikë e fortë, por domosdoshmëri për të ofruar turizëm në çdo stinë. Madje, hoteli do të kishte edhe më shumë vlerë me një pishinë të jashtme me ujë të ngrohur. Nuk di nëse temperatura e ujit ngrohet apo jo në dimër.
Struktura e pishinës ndërtuar rreth e përqark me dru, totalisht e ndriçuar nga fasada e xhamit me pamje përrallore nga kurora e maleve, ishte shumë e bukur. Megjithatë, kishte shumë pak shezlongë dhe një rregull që duhet përmirësuar në mënyrë të menjëhershme është fakti që nuk ofrohen peshqirë të dedikuar për pishinën. Po si mund të përdoren peshqirët e bardhë të dhomës për shezlongun e pishinës? Nuk është as higjienike, e as e përshtatshme nga përmasat…
Për ta përmbyllur: eksperienca ka të bëjë shumë me pritshmëritë dhe të them të drejtën në këto treva unë pres shumë nga natyra, por ende jo edhe aq kur bëhet fjala për koncepte të mirëfillta hotelerie. Pra, përgatis veten që do të bëhem njësh me natyrën, por do të kem shërbime bazike të pa sofistikuara. Në fakt, Kulla e Bajraktarit ofronte një përpjekje serioze në të gjitha drejtimet. Potenciali është i jashtëzakonshëm! Me projekte konkrete zhvillimi për agroturizmin, me investime në teknologji për të ofruar një kulinari të sofistikuar me prodhime vendase, hoteli mund të ofrojë standarde farë pranë atyre evropiane. Do të rikthehem!